Enver Bytyçi
Arditi është vetëm 29 vjeç. Në vitin 2013, kur Berisha dorëzoi pushtetin e tij, pra humbi zgjedhjet dhe dha dorëheqje nga funksioni i kryetarit të Partisë Demokratike, ai ishte 18 vjeç. Atë vit votoi për herë të parë.
Rastësisht udhëtova me të nga Tirana në Vlorë.
Sapo dikush nga bashkudhëtarët tanë foli diçka për Sali Berishën, ai u hodh e tha: “Berisha është i korruptuar”, “Berisha është kriminel” dhe një bateri të tërë të akuzave kundër Doktorit, të cilat janë formuluar para se Arditi të kishte lindur nga ish-sigurimi i shtetit dhe shtabi i tij operativ i Zonës së Parë Operative! Pasi heshta për gati një orë, m’u desh të hyja në bisedë:
Doja të të pyesja, i thashë, sa veta duhet të jenë pjesmarrës në një akt korrupsioni? Më shumë se dy, apo jo? Pra, që të korruptohesh duhet të bashkëpunosh me dikë, duhet të pranosh të bëhesh vegël në duart e dikujt. Çka do tëthotë se do të duhet të jesh peng i dikujt gjithë jetën. Po ju pyes, a mundet që Berisha me atë integritet, dinjitet njerëzor e prej politikani, me atë krenari dhe karakter që ai ka të mbetet peng i dikujt?
Pastaj i shpjegoj se korrupsioni është për njerëz hajdutë, pa karakter, pa parime, pa norma shoqërore. Ai lider politik që nuk ka sedër, që nuk skuqet e as zverdhet, pra ai lider politik që beson te perversiteti e jo te tradita, te e drejta, te ligji, te dinjiteti i tij përballë qytetarëve, vetëm ky lloj lideri mund të korruptohet dhe mund të korruptojë njerëz të tjerë. Dhe të tillë ne kemi Edi Ramën. Pa familje, pa moral, pa kurrëfarë droje se turpërohet apo se turpëron dikë tjetër!
Pra është Edi Rama njeriu më i përshtashëm në grupin e politikanëve që korruptohen dhe korruptojnë të tjerët. Korrupsioni çon në korrupsion. Ai që korruptohet, korrupton.
Në rastin e Sali Berishës nuk ka asnjë akuzë, se ai ka dashur të korruptojë ndonjë politikan apo personalitet tjetër ndërkombëtar. Në rastin e Edi Ramës janë zhvilluar senaca gjyqësore pa fund, si ai i MCGonigal në SHBA, pra me njerëzit që ai i kishte korruptuar. Me fakte dhe me prova, me zë dhe me figurë!
Arditi heshti një moment dhe lëshoi pyetjen: – Po 21 janari 2011? Kush i vrau ata të katër protestuesit? Saliu i vrau. Prandaj ai është kriminel. Atëherë më detyroi të përmbledh disa fakte. Por nuk kishte nevojë ç’është e vërteta për disa, sepse vetëm një fakt e mbyll argumentin se Saliu nuk i vrau katër protestuesit e 21 janarit 2011. Cili është ky fakt?. Personi që ka hapur zjarr kundër protestuesve dhe ishte dënuar nga gjykata për këtë krim, pas daljes nga burgu u bë kryetar i Partisë Socialiste të Matit. Sot është kryetar në mandat të dytë i Bashkisë së Matit për Partinë Socialiste. Po ju pyes? Nëse ndonjë nga gardistët e 21 janarit 2011 do të ishte shpërblyer kësisoj ose edhe më pak se kaq nga Sali Barisha, çfarë do të kishte ndodhur? Do ishin çarë boritë e Rilidnjes për përfshirje të Berishës në ato vrasje? Pse nuk e pranoni që Edi Rama është përfshirë në vrasjet e 21 janarit, derisa ai e shpërbleu njërin prej vrasësve realë gardist i asaj dite?
Madje ky gardisti i dënuar se qëlloi atë ditë merr tendera nga Bashkia e Tiranës dhe nuk do të reshtë pa grabit pasuritë e këtij vendi, sepse ka në dorë urdhërin e padronit të tij të sotëm për vrasje!
Sërishmi heshtje. Më pas vjen akuza e tretë: – Ama Gërdecin e bëri vetë Saliu!, vazhdoi në të tijën, Arditi! Fillimisht e pyeta se nga e dinte ai që edhe Gërdecin e bëri Saliu. – Të gjithë këtë e thonë, u përgjigj ai. E pyes sërishmi se çfarë interesi kishte Berisha të ndodhte ajo që ndodhi në Gërdec? Ajo ngjarje ishte kundër tij dhe kundër Shqipërisë. Pse duhej ai t’i vinte flakën barutit dhe të hidhej në erë një fshat? Përgjigja ishte: – Këtë nuk e di. Atëherë vijova:
- Ngjarja e Gërdecit ndodhi më 15 mars 2008.
Më 4 prill të atij viti, pak më shumë se dy javë më vonë, Shqipëria do merrte ftesën për t’u pranuar në NATO. Dhe Gërdeci ka lidhje me këtë fakt. Shërbime sekrete të vendeve që nuk donin pranimin e Shqipërisë në NATO kryen aktin terrorist të Gërdecit. Në Mal të Zi u tentua grusht shteti me gjakderdhje. Në Shqipëri u sajua ngjarja e Gërdecit. A ka përgjegjësi shteti? Sigurisht. Dhe në kompensimin që shteti iu bëri familjeve të Gërdecit ka shprehur në vendim faktin se ai krim ishte përgjegjësi e shtetit. Shteti duhet t’i mbrojë qytetarët e tij. Në Gërdec dështoi ta bëjë këtë. Por kjo nuk e bën kriminel as shtetin, as ish-kryeministrin Berisha.
Më duket se u bind për të tri akuzat që i drejtohen Berishës rëndomë në mjedisin shqiptar. Por, për të dalë nga dilema vazhdoi me vërejtjen: – Berisha bëri gabim që nuk u tërhoq nga politika e të rrinte në shtëpi. Sot do të ishte i qetë me familjen e tij! Këtu kurthi ngrihet edhe kundër Berishës, por edhe për ata njerëz që nuk e kanë kuptuar ende të vëertetën. Prandaj i thashë shprehimisht: – Berisha humbi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 dhe u tërhoq, dha dorëheqjen.
Por bëri gafën e madhe se la si pasardhës Lulzim Bashën. Ai nuk do të rikthehej në politikë aktive, nëse nuk do të shpallej non-grata ose së paku nëse nuk do ta përjashtonte nga partia pasardhësi i tij, Luli. Por kur ndodhi kjo, atëherë ai iu rikthye politikës aktive.
Pse u shpall non-grata? Sepse Berisha vuri në lëvizje politikën e Kosovës për të kundërshtuar planin për ndarjen e Kosovës, për të cilin punonin dhe punojnë edhe sot e kësaj dite presidenti i Serbisë, Vuçiq, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Mbështetës të këtij plani ishin sidomos amerikanët e Sorosit. Ata ishin edhe mbështetës të Ballkanit të Hapur. Berisha ishte sërishmi kundër kësaj iniciative serbe. Në këto kushte pati kimi të përbashkët Sorosi me Ramën, që të shpallnin Sali Berishën non-grata.
Ta paralizonin në një farë mënyre. Fakti që autoritetet e Kosovës nuk e kanë takuar pas shpalljes non-grata, do të thotë se Sorosi dhe Rama ia kanë arrit në një farë mase qëllimit që ta izolojnë nga politika e Kosovës. Por opinioni publik e mbështet. Kjo është arsyeja pse ai u shpall non-grata dhe për këtë shkak u rifut në politikë aktive.
Po mirë, çfarë i duhej Berishës të kundërshtonte ndarjen e Kosovës dhe Ballkanin e Hapur, pyeti Arditi. Edhe këtu Rilindja ia ka arrit qëllimit të vet, duke bindur jo pak njerëz se “Berisha është fajtor, sepse nuk qëndron indiferent për fatet e kombit shqiptar”! Eshtë sikur të thuash çfarë i duhet një shqiptari patriot të mbrojë atdheun e tij. Berisha bëri këtë dhe për këtë shkak u “deklasua” nga aleati më i madh i shqiptarëve. Mjafton ky fakt për të ditur se sa e si ka ndryshuar politika amerkane ndaj shqiptarëve në Ballkan, sidomos ndaj Kosovës.
Nga një politikë, kur presidenti amerikan, George W. Bush, e shpallte pavarësinë e Kosovës në Tiranë nga zyra e kryeministrit Sali Berisha, në një politikë që dënon pikërisht Berishën, pse lufton ende dhe sot për konsolidimin e plotë të shtetësisë së Kosovës!
Në fund me mikun tim, Arditin, u ndamë si miq. Pëshpëriti nëpër dhëmbë se “Po, po! Berisha ishte burrë shteti”! Se u bind apo për konformizëm, këtë nuk mund ta di! Por një bisedë e tillë flet shumë për punën që bën e duhet të bëjë Partia Demokratike, lidershipi i saj, deputetët, departamentet dhe madje edhe anëtarësia e saj për t’i sqaruar njerëzit! Rilindja nuk duhet të lejohet pafundësisht të spekullojë me shpifjet, trillimet dhe akuzat e saj kundër njerëzve të devotshëm, si Sali Berisha!