Me reformën e pagave të pushtetit lokal, qeveria sugjeron që të mos ketë më diferenca të nivelit të të pagës nga bashkia në bashki. Kjo me qëllim që të ulet tendenca për të braktisur punën në rrethe. Sipas Arbjan Maznikut, Ministër shteti për Pushtetin Vendor, Bashkitë do të kenë të gjithë një nivel page. E vetmja diferencë është që disa bashki të mos kenë disa klasa. Ne besojmë që me këto nivele jemi konkurrues edhe me tregun privat.
Ministri i Shtetit për Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku, takoi 61 kryetarët e bashkive të Shqipërisë për të diskutuar me ta nivelet e reja të pagave dhe formën se si duhet të ristrukturohet stafi i bashkisë.
Pagat e reja do të rriten ndjeshëm për punonjësit vendorë dhe sipas planit të qeverisë, kjo do të zbusë edhe mungesën e stafeve në bashki pasi punonjësit e të njëjtit profesion, do të paguhen njësoj në të gjitha bashkitë ku punojnë.
“Sugjerimi ynë është që të mos ketë më diferenca të pagës nga bashkia në bashki. Bashkitë të kenë të gjithë një nivel page. E vetmja diferencë është që disa bashki të mos kenë disa klasa pagash. Ne besojmë që me këto nivele jemi konkurrues edhe me tregun privat” tha ministri.
Sa i përket ristrukturimit, Mazniku u tha kryetarëve të bashkive se do të duhet që punët duhet të ndahen në njësi që ndërmarrin politika, të tjera që zbatojnë politika dhe të tjera që kryejnë shërbime.
Rritja e pagave për pushtetin vendor do të ndodhë në muajin qershor dhe vendimi do të hyjë në fuqi brenda verës. Rritja e pagave kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike.