Digjitalizimi sfidë dhe risi në shkollat shqiptare

Nga Ana Llazo, eksperte e arsimit

Hapat e mëdhenj që shoqëria po hedh drejt digjitalizimit na çojnë drejt një panorame te re në të gjithë sektorët, përfshirë dhe arsimin.

Prandaj duhet të përgatitemi për të kaluar drejt ndryshimit dhe për të njohur metodat dhe tendencat e reja që po shfaqen në arsimin e sotëm, pasi transformimi digjital është duke u bërë fakt tashmë dhe njekohësisht është drejtimi që po merr shoqëria jonë.

Por sa të gatshëm dhe të hapur jemi ndaj këtyre ndryshimeve? Si në çdo fushë tjetër jo të gjithë janë të hapur ndaj ndryshimeve, edhe pse ka një numër të madh nismash dhe projektesh inovative ka edhe vështirësi në zbatimin e tyre kur bëhet fjalë për zhvillimin digjital.

Disa nga vështirësitë apo pengesat që hasim sot janë; Mungesa e njohurive në procesin e digjitalizimit, si mungesa e njohurive nga ana e trajnerëve për teknologjinë digjitale në arsimin tradicional dhe mënyrat e reja të përdorimit të tyre.

Ndaj është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi i mësuesve dhe madje të ofrohet trajnimi i tyre. Mungesa e një plani të veçantë dhe të një specialsti të IT- së i cili përcakton dhe kordinon strategjitë që duhen ndjekur.

Investimi në teknologji është i domosdoshëm për të realizuar transformimin digjital, ky investim duhet të jetë i vazhdueshëm pasi ky proces po ecen me ritme të ngadalta por është i nevojshëm për shoqërinë.

Cilat janë disa nga risitë e procesit te digjitalizimit? Procesi i digjitalizimit ofron një sërë përmbajtjesh që ndihmojnë në mbajtjen e nxënësve më të angazhuar, pasi zhvillojne aftësi digjitale që do t’u shërbejnë në jetën profesionale dhe personale.

Gjithashtu çon drejt një mësimi të vetë-drejtuar dhe më të lehtë për tu qasur. Ne kemi nevojë për të integruar teknologji dhe metoda të reja të mësimdhënies dhe vlerësimit në shkollat tona.