Marsela Lekli, psikologe
Ngjarja e sotme me 3 gra të vrara dhe 3 të plagosura, është tregues për shoqërinë shqiptare, e cila përvecse është në një krizë morale të frikshme, nxjerr në pah dhe disa problematika që lidhen me rolin integrues dhe rëndësinë e përfshirjes së aspekteve sociale në edukimin e brezave.
Duar vrastare që komandohen nga mendje maskiliste, sërish sot guxuan t’u marrin jetën 3 grave dhe që fatkeqësisht nxorën në pah problematikën e zakonshme të institucioneve që shpërfillin ligjet dhe që abuzojnë me zbatimin e tyre.
3 jetë të humbura dhe sërish tituj gazetash dhe portalesh që kryelajm kanë këtë krim makabër, por që në vetvete është drama e shoqërisë sonë, e cila po prek fundin në degradimin e vlerave të saj.
Në një shoqëri ku dhuna ndaj femrës është strukturore dhe justifikohet ende me argumente maskiliste, dëshmon krizën e rëndë të vlerave me të cilat po përballemi dhe që reflektohet me statistika në rritje të vrasjeve të grave.











