Ish-presidenti Ilir Meta ka kallëzuar ditën e djeshme në SPAK Autoritetin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, të cilët i akuzon për falsifikim, për ta paraqitur atë si bashkëpunëtor të Sigurimit.
E teksa dje bëri kallëzimin sot ka ndërmarrë hapin e radhës. Me anë të një postimi në rrjetet sociale Meta bën me dije se ka caktuar Genc Gjokutaj, si avokat për të ndjekur çështjen.
Ndër të tjera kryetari i Partisë së Lirisë shkruan se falsifikatorët do të përballen me të gjithë forcën e ligjit.
“Një ditë pas kallëzimit penal për anëtarët e Autoritetit të Dosjeve, ndërmorra sot hapin tjetër të radhës të caktimit të z.Genc Gjokutaj, avokat dhe ish-prokuror i njohur, për të ndjekur ligjërisht këtë çështje në funksion të një procesi të rregullt ligjor, por edhe transparent para të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Jam i bindur në diskreditimin e plotë të këtij manipulimi dhe falsifikimi ndër më të rëndët në historinë e pluralizmit politik. Falsifikatorët do të përballen me të gjithë forcën e ligjit” shkruan Meta në postimin e tij.









