E djathta ekstreme dhe mekanizmi imperialist i formimit të çmimit të karburanteve

Nga Artan FUGA

Nuk është fjala te çmimi i karburantit. Ai mund të ulet, mund të ngrihet, mund të mos ketë karburant fare, fjala është për tjetër gjë!

Puna është se veç se kemi çmime monopol përcaktuar nga karteli i grosistëve, kemi edhe çmim të ruajtur me ligj dhe polic nga shteti nëpërmjet më famëkeqit bord të Evropës, të botës, besoj, atë që quhet i transparencës.

Nuk më duhet këtu fare çështja e çmimit. Puna është se niveli i tij i vendosur nga shteti duket sikur mbron konsumatorin, në fakt është një gardh me policë me shkopinj në duar në mbrojtje të interesave të grosistëve të karburanteve.

Jam i bindur një mijë përqind se nëse çmimi i vendosur me polic çlirohet nga zinxhirët e dhunës shtetrore, ai do të bjerë, do të vendoset një marrëdhënie më harmonike midis konsumatorit dhe tregtarëve të karburantit.

Kush ka lexuar ta zemë edhe vetëm Hilferdigun nja njëqind vjet më parë do ta dinte se në atë është argumentuar se kjo që ndodh në këta muaj quhet imperializëm. Pra, bashkim i fuqisë së dhunëshme të shtetit me interesin monopolistik të privatit, të korporatave të mëdha të tregut të karburanteve!

E gjitha bëhet të mos lejohet konkurrenca sepse konkurrenca do të fillonte ta normalizonte çmimin duke e ulur atë. Nëse e ngrinte, do të ulej konsumi, dhe askush nuk do të kishte interes ta ekzagjeronte me ngritje çmimesh.

Në vend që qeveria të shtonte operatorët e tregtisë të karburanteve, për ta normalizuar tregun, kalon në imperializëm!

Pra kemi një politikë të një të djathte ekstreme, antitreg, antiliberale, antikonsumator, një vendosje e prangave dhe e shkopit të policit për të fiksar çmimin e mallit në treg!

Eshtë një marrje e parasë të qytetarit me forcën e shtetit. Shteti dhe kapitali i madh janë bërë njësh duke dhënë pikërisht realitetin dhe konceptin imperialist të një të djathte ekstreme!

Parodia është se kjo politikë e së djathtës ekstreme sot në Shqipëri quhet socialiste!