Nga Indrit Vokshi
Nuk ta neverit Flamur Noka, pasi Flamuri ashtu ka qenë gjithmonë, oficer i Sali Berishës. Është shumë më i nderuar se shumëkush.
Ta neverisin ata të cilët, deri para një viti, Lulzim Bashën e shpallnin lider perëndimor, familjar, sharmant etj. Disave u thoja me shaka provokuese: Edhe Hitleri lider perëndimor ka qenë, a mos ishte lindor? Ata ngelnin.
Personisht kam thënë se Lulzim Basha ishte kryetari që na ka rënë për hise, mirë apo keq (keq sigurisht) në 15 vitet e fundit PD investoi specifikisht tek Basha. Atë nominoi partia për kryeministër, aq i ofronte PD Shqipërisë, atë do mundoheshom të çonim në kryeministri. Madje kam shtuar se ka më keq, Kristiani i Danimarkës ishte i shkalluar por oborri mundi ta menaxhojë mbretin dhe Danimarka u mëkëmb.
Pra duhet ta shihnim në ketë këndvështrim gjendjen tonë, kryetarët shkojnë e vijnë, partia duhet të mbetet e madhe dhe fituese.
Shumica ishin folklor, nuk mundeshin ta shihnin në ketë kënvdështrim, pra politikisht e pragmatikisht. Kur u përputhej interesi e mbështillnin interesin me dashuri, thonin ska si Luli, perëndimor, familjar, sharmant, ndërsa kur nuk iu përputhej e mbështillnin interesin me urrejtje, Luli me Ramën, kunati, vila, komodina, pasqyra. Kjo tregon për një organizëm të degjeneruar, aspak politik, aspak pragmatik e aspak të zgjuar, thjesht të rëndomtë.
Nuk flitet me dashuri për politikanin, me dashuri flet vegjëlia, populli mbarë, jo eksponentët politikë, qëndrorë apo lokalë qofshin. Po folën me dashuri, tregon se sjanë njerëz politikë, janë kot. Nuk flitet as me urrejtje, me urrejtje flet përsëri vegjëlia. Kur eksponenti politik flet me urrejtje, le të japë dorëheqjen sepse nuk bën për politikë.
Prandaj sot PD ka degraduar në çeta të shpërndara budallenjsh, të cilët pasi u pasuruan me pushtetin 2005-2013, me atë pasuri nuk ditën të financojnë dhe mbështesin një elitë të re pro tyre. Sepse aq mend kanë.
Duan të jenë kudo dhe përsëri vetë. Problemi është se nuk mundesh të jesh më vetë. Fakti se stë ka ndodhur gjë as penalisht as privatisht, nuk dmth se ke kredo ose se njerëzit harrojnë gjobvenien për një firmë. Nuk t’i harron kush paratë që i ke marrë apo sjelljen e keqe, prandaj partitë në botë kërkojnë rinovim, pikërisht se sti harrojnë.
Tani le të rrinë si qyqe, le t’i shpalli luftë edhe imperializmit amerikan, edhe social-revizionizmit sovjetik, të këndojnë se munden të mposhtin njëkohësisht edhe NATO-n edhe Traktatin e Varshavës. Të deklarojnë se nuk i nënshtrohen Amerikës por të mos kenë guxim t’i përmendin emrin të fortit të qytetit të tyre.











