Akuza nga Austria për aferë 700 mijë $, reagon Meta: Do flas për korrupsionin e Ramës!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta njoftoi se është njohur sot me një shkrim pa autor, të publikuar në gazetën austriake “Kronen Zeitung”, artikull që sipas tij përmban veçse shpifje dhe gënjeshtra, të hershme dhe të konsumuara prej vitesh.

Presidenti paralajmëron se përkundër këtyre akuzave ka vendosur jo vetëm të çojë përpara përpjekjet për zbardhjen e aferës së inceneratorëve, por edhe të publikojë skandale të tjera qeveritare:

“Ju garantoj se beteja ime për mbrojtjen e interesit publik dhe luftën kundër korrupsionit, jo vetëm që nuk do të ndalet, por do të përshkallëzohet, që nga zbardhja e plotë e aferës së inceneratorëve (që deri tani vetëm sa është gërvishtur), si dhe të gjitha aferat e tjera”.

Duke folur për akuzat, Meta thotë: “Këto shpifje, mjerisht të fabrikuara dhe të hedhura në tregun mediatik edhe kohë më parë, e kanë marrë përgjigjen shumë të qartë dhe në mënyrë asgjesuese, që në prill të vitit 2018”, thotë Meta dhe vijon:

“Edhe kjo përpjekje e radhës, e rifabrikuar në mënyrë qesharake dhe vulgare, do të marrë përgjigje përpara drejtësisë austriake”.

Presidenti i Republikës, thotë se ka autorizuar stafin dhe mbrojtësit ligjorë, që të përgatisin menjëherë padinë “Për përhapjen e të dhënave të pavërteta”, “Shpifje”, “Cenim të imazhit publik”, që në këtë rast cenon rëndë edhe interesat e larta shtetërore.

Në këtë mënyrë, vlerëson ai, shpifësit do të marrin përgjigjen e merituar përballë drejtësisë.