Shkruan Agron PREBIBAJ
LIBRI I z.PJETER META, PASURON HISTORINË
Nën kujdesin e Dr.Mhill Gecaj- kryetari i Shoqatës Nikaj-Mërtuar, ndizet atmosfera promovuese për intelektualë të kombit!
Sot salla Ibrahim Rugava u pushtua nga disa dhjetra intelektualë të të gjitha trojeve shqiptare, kryefjala ishte “Nikaj-Merturi në lashtësi…”, e me dhënderr zotin Pjetër Meta, i cili erdhi sot para lexuesit shqiptar me një veper historike, pasuri kjo jo vetëm Nikaj-Mërturase, por kryeveper për për historinë tonë kombëtare.
Një sallë elitare, gjithçka e moderuar nga gazetari e publicisti Defrim Methasani, kjo dita e bekur e Nikaj-Mërturit ku sot dorëzoi fjalën e drejtimin për vëllezërit tanë nga Dibra, Labëria, Kosova, Mali i Zi etj.
Sot për Nikaj-Mërtur ishte dita e dëgjesës, ajo si e vlerësojnë e çfarë mëndojnë të tjerët për këtë pëllëmbë tokë dardane të vendosur përmbi Dri, çfarë thonë intelektualët për këtë pjesë të identitetit kombëtar, asnjëherë e shëmbur e as e dorëzuar, historia e mbushur më shumë me dhimbje sesa me gëzime.
Por qëndresa, besa, traditat e vyrtutet, besimi në Zot, etja për dituri – e bëjnë Nikaj-Mërturin *Mbretëri mëndje, dije e arsimimi, kjo fillesa e shkollës së jetës së ashper, qysh kur flinin në fier e me kokën në cumer, kjo shkolla shekullore (Soba) Oda e burrave, aty ku të vegjlit degjonin të madhin*.
Sot folën të gjithë, moderatori Defrim Methasani ngrohu secilin në auditor, ndersa fjala më ngrohëse ishte e zonjës Lina Guri – fjalë zemre të cilat erdhen sot nga një motër e nënë, vërtetë një intelektuale me fakte të shumë mirë argumantuara të historisë sonë.
Për tu veçuar mbeten fjalët e ardhura nga gazetari Asllan Bajrami – zëri i UÇK-së e Mehmet Prishtina-nipi i Hasan Prishtinës.
Ndersa prof.Sazan Guri foli me super relativa për Nikaj-Mërturin, të cilit ja shënova një fjali:-*aq sa ka kali jeshil, ka të paditur në Nikaj-Mërtur*!
Festën shkëncore ndër shqiptar e ndezi edhe prof.Prek Mrishaj me kënget e mrekullushme drejt qiellit, po veçoj, *Dasma Nikaj☆Mërtur!
Po sot në ditën e zotit Pjeter Meta u shpërndanë disa tituj nderi për disa intelektualë e përsonalitete; Dr.Mark Palnikaj, Ndoc Gjon Malaj, Ndue Sokoli(pv) dhe të Pjeter Meta- autori të disa librave, sot përbashkuesi i një elite të shëndoshë kombëtare.
Ndërsa për autorin e librit zotin Pjeter Meta, folën të gjithë, por vetë autori foli me emocion e lot gëzimi, ndaj dhe përzgjodha Dr.Dedë Qokaj në kumtesën e këtij libri si pasuri kombëtare.
#aPrebibaj
*******************
Pjetër Meta sjell universin nikajmërturas përmes një botimi enciklopedik
Ka disa kohë që ka parë dritën e botimit një libër tryeze për çdo nikajmërturas, me titull “Nikaj – Mërturi nga lashtësia deri sot”, në dy volume, i cili ka dalë nga ndërgjegjja vetjake e autorit si dhuratë brezash në memorialin e historisë së këtij komuniteti sui generis përmes polifonisë së shumë zërave nga bota njerëzore, diturore, kulturore dhe materialo-shpirtërore në përgjithësi.
Duke shfletuar me kujdes faqet e këtij botimi voluminoz, lexuesi i trevës gjen aty, si në një galerë mijëravjeçare, historinë e shtresuar të ngjizjes njerëzore, që nga mijëvjeçari i katërt para erës sonë e gjer më sot, në mënyrë kronologjike, sipas referencave shkencore më kompetente të emrave të njohur të albanologjisë për të ardhur, sidomos në mënyrë më të drejtpërdrejtë, në 500-vjetëshin e fundit të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë.
Fiset Nikaj dhe Mërtur janë pjesa e luanit në tërë kapitujt e hulumtimit të autorit, i cili me dëshirën e zjarrtë, vullnetin e fortë, syrin pishë për të skanuar çdo imazh natyror dhe njerëzor, u ka dhënë udhë shpjegimi, si prejardhje, këtyre dy toponimeve, bazuar në të dhëna shkencore, popullore dhe vetjake, shoqëruar me tabela gjenealogjike për të ardhur deri në ditët tona. Është kjo, një memorie e shkruar tashmë, për lidhjen e breznive anembanë trevës ku, pavarësisht ndonjë kontestimi nga lexues idealistë, marrësi i librit gjen një bazë dokumentare që shërben për thellime të mëtejshme shkencore.
Është pikërisht kjo histori e formimit të fiseve Nikaj dhe Mërtur, dhënë përmes tabelave gjenealogjike dhe shpjegimeve përkatëse, që shërben si një dëshmi e gjallë e vijimësisë së brezave dhe rritjes së këtyre fiseve deri në ditët tona, një punë e mundimshme që e ka lënë pa gjumë autorin e librit, nisur vetëm nga vulllneti i mirë dhe dashuria që ka ndaj vendlindjes së vet dhe banorëve të kësaj treve.
Një vëmendje të veçantë kanë marrë edhe dëshmitë pagane para Krishtit dhe pas Krishtit, hyjnitë e ndryshme, mitolgjia që merr trajtim të strukturuar, sipas mendësisë nikajmërturase, gjer tek kulti i të vdekurve, si dhe riti i veçantë ndaj tyre, sidomos gjëma e burrave dhe vajtimi i grave, dukuri këto që janë të veçanta nga krejt trevat e Veriut të Shqipërisë.
Gjithashtu, kremtimet e festave në Nikaj-Mërtur, reflektohen si pjesë e pandarë e shpirtit njerëzor, të cilat krijonin një ngazëllim të veçantë, qoftë si ritual, qoftë si veprim praktik dhe besim që lidhej me paganizmin dhe monoteizmin. Mitologjia, elemente të ndryshme të saj, mendësia që lidhet me to, kanë marrë trajtim të zgjeruar duke i ilustruar edhe me raste praktike nga jeta e banorëve të kësaj ane konservative në Alpet Shqiptare.
Në vijimësi të pjesës së parë, e drejta zakonore që lidhej me përbetimet, etnografinë e të folurit, gjuhën e folësve, kultet e shenjta, janë reflektuar si pjesë e veçantë e artikulimit nikajmërturas, kurorëzuar me epikën legjendare të kësaj treve që është krenaria e folklorit shqiptar.
Me interes është trajtuar edhe organizimi shoqëror i popullsisë së dy fiseve, sipas të drejtës zakonore, kushtetuta e tyre e pashkruar, përcjellë brez pas brezi, duke u vetëqeverisur sipas dispozitave të saj, me “parlamentin” e vet popullor, sipas mëhallëve, vëllazërive e gjer tek kurora e fisit.
Një kapitull më vete përbëjnë doket dhe zakonet e kësaj ane, si përtëritje jete, ritualet e këtij vitaliteti njerëzor që nga raporti në familje e pastaj në komunitet, si dhe etnografia me elementet e saj specifike, si për burra, ashtu edhe për gra, modele të veçanta të kompozimit estetik, simbolika të këtij kompozimi që vinin që nga lashtësia e deri në aktualitetin e kohës.
Kultura muzikore, veglat karakteristike të trevës, kompozimi artistik i tyre merr shpjegimin kompetent të autorit, duke zgjeruar rrezen e informacionit edhe në planin arkitekturor të kullave malësore, skalitjen e tyre, aty ku ziente kjo pasuri materiale dhe shpirtërore.
Sikurse jeta ka përtëritjen, pranverën e saj, edhe shuarja është pjesë e gjeneratave, me bekim hyjnor, por nganjëherë edhe nga dora vrastare e vet njeriut. Kështu që edhe kjo pjesë s’kishte si t’i shpëtonte mendjes dhe dorës së autorit, pavarësisht dramave që ka përjetuar si forcë kanuni, sipas të drejtës zakonore, por mendjet e mençura të fisit kanë luajtur shpesh rol pozitiv përmes dorës së pajtimit.
Heroizmi, qëndresa e banorëve vitalë të kësaj ane ndaj pushtuesve, që kanë dashur t’i nëpërkëmbin dinjitetin, religjionin e tyre, kanë marrë ndëshkimin e vendosur popullor përmes prijësve të vet legjendarë, sidomos ndaj pushtuesve turq dhe serbo-malazez, duke ruajtur identitetin e vet të racës së stërlashtë dardane, dukuri që marrin trajtimin e duhur në kapitullin e fundit të librit të parë.
Ndërsa në librin e dytë, si vijimësi krerësh e librit të parë, autori Pjetër Meta e fillon me humorin dhe aforizmat nikajmërturase, siç e thotë vetë, si “…treguesi i thellësisë së mendimit dhe inteligjencës”, duke i ilustruar me shembuj konkretë anembanë trevës, në rreth njëzet e pesë faqe. Në vijueshmëri, arsimit nikajmërturas, i janë kushtuar rreth pesëdhjetë faqe. Kemi të bëjmë me një popull nga më arsimdashësit në Republikën e Shqipërisë, ndaj autori i librit ka listuar 37 emra mësuesish që nga vitet 1945 deri në ditët tona. Këto figura të dritës dhe dijes për Nikaj-Mërturin janë trajtuar me shumë dashuri, duke i vlerësuar si kapacitete intelektuale që kanë vënë gurë themeli në arsimin e trevës duke ngritur në piedestal ngrehinën arsimore të kësaj zone, si krenari e veçantë edhe në arsimin kombëtar shqiptar.
Një hapësirë më vete i është lënë traditës kulturore të këngës, çka tregon për shpirtin e lartë artistik të talenteve të spikatura të zonës, ku janë komentuar plot 15 emra, të cilët mbartin kapacitetin e një festivali rajonal dhe kombëtar. Është kjo një krenari e ligjshme për çdo nikajmërturas brenda e jashtë atdheut. Ndërsa arti i kompozimit muzikor justifikohet denjësisht me mjeshtrin e madh, sa maja e Ershellit, zotin Kolë Susaj, emri i të cilit tashmë i ka tejkaluar përmasat kombëtare. Ngjitur me mjeshtrin e madh, në libër, kanë zënë vend edhe artistë që kanë dalë nga gjiri i Nikaj-Mërturit, siç është emblema kombëtare, mjeshtrja e madhe e punës, Tinka Kurti, si dhe artistët Gazmend Gjoka, Gjelosh Mark Dedndreaj dhe Sokol Progni.
Art i fjalës poetike, narrative dhe asaj pamore të trevës nikajmërturase është mbushur me plot 21 emra, një pjesë e të cilëve tashmë janë bërë pronë letrare jo vetëm e zonës, por edhe si një vlerë e shtuar e pasurisë kombëtare.
Fusha me rëndësi që kanë marrë trajtim nga mendja dhe dora e Pjetër Metës, si pasqyrë e e vlerëshme e Nikaj-Mërturit, janë kapacitetet sportive të përmasave kombëtare, siç lakohet emri i Ndoc Qokajt, apo njerëz të shkencës, dijes dhe mësimdhëniesn spikatur me 20 emra që përbëjnë një katedër të kompletuar kapacitetesh kompetente të fushave të ndryshme të dijes.
Gjithashtu një trajtim të veçantë nga dora e autorit kanë marrë edhe disa kuadro dhe personazhe të rëndësishme të zhvillimit dhe dijes në zonë, gjithsejt 28 emra, të cilët kalojnë përmes laboratorit të shkrimtarit, publicistit dhe etnologut, duke kërkuar të vibrojë në çdo skutë të mendjeve të ndritura të zonës.
Gjatë shtegtimit në faqet e librit të dytë, syri dhe mendja e lexuesit gjen një material pothuajse shterrues, lidhur me profesionistë të ndryshëm, anembanë trevës, 27 të tillë, që shkëlqyen në fusha të ndryshme me talentin e tyre të gjithanshëm.
Leksikoni nikajmërturas është pasqyruar si një vlerë e shtuar me emrin e Zymer Stalit dhe Nikë Mengjës, si mençuri brezash, që vjen e freskët deri në ditët tona, duke përvijuar me plejadën e burrave trima e luftëtarë, dëshmorë brenda trevës e në emër të atdheut, kundër monarkisë mesjetare për një Shqipëri demokratike apo pas viit 1945 në përpjekje me banditë dhe kundërshtarë të regjimit, duke plotësuar një numër prej rreth 70 vetash, çka përbën rast unik për numër popullsie, çka tregon për shpirtin liridashës dhe dinjitetin e lartë njerëzor që ka mbretëruar në gjirin e këtyre dy fiseve, Nikaj dhe Mërtur.
Emrat e publicistikës, spikaten si zë i fuqishëm i masmedies nikajmërturase e, pse jo, edhe kombëtare. Autori i librit ka rrezatuar përmes faqeve të tij edhe bujq e blegtorë të dalluar, duke spikatur veçantë edhe bukurinë e racës femërore, por edhe atë burrërore, si dhuratë hyjnore e një simbioze të njeriut me natyrën.
Duke hapur krahët e mendjes dhe hulumtimit të zellshëm përtej trevës nikajmërturase, Pjetër Meta i është qasur me kujdes dhe me durim gjakut të shprishur të trevës jashtë gjeografisë së saj, duke listuar personazhe shumë të rëndësishëm që kanë prejardhje nga Nikaj-Mërturi, të shpërndarë nëpër kohë, që nga Shkodra, Kolgecaj, Gri, Bytyç, Dibër e hapësira të ndryshme të Kosovës, çka tregon se sa i madh është Nikaj-Mërturi, siç del nga hulumtimi i autorit të këtij libri.
Lexuesi nikajmërturas, dhe jo vetëm, duke e marrë me ngé këtë libër tavoline, me autorësinë e Pjetër Metës, gjen brenda faqeve të tij një galerë të përmasave enciklopedike, të cilit s’mund t’i shqitemi asnjëherë, duke u përthithur si vera e vjetër në rrjedhë të kohëve, ndaj autorit i përulemi me shprehjen magjike: – Të lumtë dora e mendja, o nikajmërturasi i madh, o Pjetër Meta!