Teksa ka falënderuar ndjekësit dhe miqtë e tij të shumtë, për mbështetjen e dhënë në këto momente, ku vajza e tij u përball me peripeci të shumta shëndetësore, dhe falë Zotit tashmë është mirë dhe gjithcka po shkon drejt rikuperimit, ish-deputeti lezhian, Eduart Ndocaj, përmes një video-komunikimi ka ndarë ca opinione, në lidhje me situatën politike në Shqipëri dhe “luftërat“ e ndryshme që sipas tij shfrytëzohen nga klasa politike në vend për pasurim të oborrit familjar dhe oligarkëve rreth tyre.
Në përforcim të argumentit të tij, Ndocaj solli në vëmendje tërmetin e 26 nëntorit 2019, si dhe pandeminë Covid-19, ku spekulantët e tregut dhe kryesisht ata me fije klienteliste politike, bënë një rritje artificiale të cmimeve dhe produkteve.
Ndocaj, ka shfrytëzuar këtë video-komunikim të sinqertë me ndjekësit, ku ka lëshuar apelin e tij për ngritje të hovshme dhe të stuhishme të shqiptarëve kundër qeverisjes më të papërgjegjshme në historinë e pluralizmit, e cila guxon dhe vjedh shqiptarët në ditët më të këqija të tyre, duke i varfëruar dhe degdisur rrugëve të botës. Në këtë apel, ish-deputeti, u kujton shqiptarëve se një përmbysje e tillë vjen duke u ngritur të gjithë, pa dallime partiake, pasi cmimet abuzive dhe rritja e tyre ka prekur cdo familje, pavarësisht rreshtimit në llogoret e politikës.











