Nga Marsela LEKLI, psikologe
Pamjet e sotme tek “5 Maji“ ku dhjetra familje nxirren në rrugë, përmes një skeme klasike të bashkëpunimit “pushtet-para“ që shemb banesat e tyre për ndërtime oligarkësh, janë kronikë e një“fati“ të paralajmëruar prej kohësh.
Klithma e atyre banorëve, është oshëtima e kahershme e këtij vendi, që i kapluar nga oguri dramatik i qeverive të korruptuara të tranzicionit shqiptar servir një realitet të tillë ku skenat e dhunës janë mjeti i “dialogut“ me qytetarët, është ofshama e dëshpërimit që ka zhytur në spiralen e pashpresshmërisë dhe të brengosjes së ardhmërisë shqiptarët dhe andrrallat për prosperitet të tyre.
Nuk është e rastit kjo që ndodh, pasi episode të tilla, vijnë të herëpashershme dhe skenat e dhunimit e të nxjerrjes jashtë të banorëve nga shtëpitë e tyre të ndërtuara me aq mund e djersë, shfaqen oreksshëm duke përmbushur përmes politikave antisociale dhe antikombëtare axhendën e tyre të braktisjes masive të këtij vendi nga qytetarët shqiptarë që rendin pa asnjë perpsektivë dyerve të botës, me të vetmin qëllim, të ikin nga shteti i tyre që përpos represionit të vazhdueshëm, u ka vrarë bulëzat e shpresës për ardhmëri në vendin e tyre.
Këto pamje të sotme, janë një “deja vu“ e bregalumasve, e “Astirit“ , e “Bulevardit“ , e….etj, etj, ku protestat e tyre ishin një zë në shkretëtirë dhe nuk merrnin asnjëherë jehonën e tyre kombëtare, pasi shqiptarët janë mësuar të protestojnë me regji politike dhe asnjëherë në mbrojtje të kauzave të tyre jetësore.
Shqiptarët mblidhen dhe protestojnë furishëm për karriket e liderëve të tyre, për poltronet e humbura të pushtetarëve, por asnjëherë për veten, sepse politika ka indoktrinuar mendjet e qytetarëve duke i helmatisur me dogma nënshtruese.
Sa kohë që ushqehemi nga kuzhina e partive politike dhe nuk qasemi qytetarisht për të patur nëj reagim esencial mbi parimet bazë të të drejtave dhe lirive kryesore të njeriut, kthetrat e pushtetarëve zullumqarë do vazhdojnë të shtrihen pa u tkurrur dhe pa u ndalur në pangopësinë e tyre dhe pamje të tilla do jenë bashkëshoqëruese tonat, pavarësisht vendit dhe kohës.