Nga Gezim AJGERAJ
PROLOG
Si shkrimtar e poet, nuk e kisha vështirë të shkruaja për veprën e publicistit dhe shkrimtarit Bedri Halimi, sepse duke e njohur nga afër autorin, si dhe veprën e tij të cilën e kam përcjellë në vazhdimësi gjatë këtyre dekadave krijuese, por edhe aktivitetin dhe veprimtarinë e tij për çështjen madhore kombëtare, kjo më bën të privilegjuar në këtë studim. Më e vështirë për mua do të ishte që ta ndaja veprimtarinë e tij praktike nga ajo e artit, sepse të gjitha këto tek ky krijues janë të lidhura si mishi me ashtin, dhe kjo e madhështon, si veprën, po ashtu edhe personalitetin vertikal të Bedri Halimit. Për mua më e vështirë ishte se nga cili kënd i vlerësimit ta zbërtheja veprën e tij, dhe si të tillë e zgjodha metaforën e fjalës dhe të mendimit si ashti dhe organika e fjalës së shkruar artistike. Zaten, aty nis edhe zanafilla e mendimit filozofik për artin, prandaj vlerësojmë se në pjesën më të madhe të analizave të veprës artistike të Bedri Halimit, kemi prekur e zbërthyer bërthamën e mendimit, në artin e fjalës së tij.
Nëse kemi arritur ta zbërthejmë veprën krijuese çfarë do të themi në këtë fillim për rrugën jetësore dhe artin poetik të tij? Për Bedri Halimin, koha dhe vargu janë mishërim i pandashëm i shpirtit të tij, dhe përpjekja që përmes vargut për ta mundur atë. Këto dy nocione, këto dy metafora në këtë rast për ne, si ende të pazbërthyera, janë gjithmonë në luftë me njëra tjetrën, se cila do ta mundë atë, e heroi apo viktima në mes është vetë poeti. Në qoftë se për poetin koha ishte tepër gllabëruese, e pamëshirshme, shtypëse, prangosëse e vrasëse, vargu ishte arma me të cilën ishte vënë në përballje me të, ndërsa metafora ishte mburoja prapa së cilës ishte vet poeti. Dhe e gjithë kjo luftë me kohën, e kërkonte sakrificën, heroin e saj, personalitetin i cili do të përballej me të nëpër të gjitha fushëbetejat, ku e kërkonte ajo. Edhe në qoftë se koha herë herë e zbehte atë, e rrëzonte në pamjen e parë, në vizionin më të gjatë, ai ringritej, s`nënshtrohej, për të vazhduar në frontet e reja në arenat e mendimit dhe veprimit. Ai asnjëherë nuk pranon t’i jepet asaj, t’i dorëzohet për asnjë çmim, por metaforat e tij bëhen shtiza të mprehta lufte në arenën e mendimit, për t’u përballur me furtunat e saj. Autori gjatë gjithë përpjekjes së tij dhe përballjes me kohën, përpiqet që veprën e tij mos ta thyejnë furtunat, sepse çdo thyerje në këtë përballje, do të ishte dështim edhe i veprës së tij. Përkundrazi herë herë vargu i tij bëhet rreze drite edhe për të tjerët, e për t’u ndriçuar në udhën kah pranvera. Duke u kthyer tek koha, e sidomos tek koha me të cilën përballej poeti (flasim për kohën e aparteidit në Kosovë), ajo ka gëlltitur shumë autorë dhe në përballje me të, e kanë humbur betejën, por jo edhe Bedri Halimi i cili për mishërim kishte mitin e lashtësisë, dhe ajo ia hapte dritën në horizontet e reja të mendimit e të fjalës. Edhe për të, siç e thamë koha ishte e pamëshirshme, përpiqej ta gllabëronte, ta zbuste e nënshtronte, t’i mbyllte horizontet prej nga ai mbushullohej me dritë, por nuk ia arriti assesi. Terri dhe drita janë metaforat e robërisë dhe lirisë së kërkuar në këtë rast. Por, nëse flasim për artin e këtij poeti, si art për mbijetesë, këtu kemi diç më tepër nga kjo, sepse këtu arti dhe pena e tij janë të vëna në shërbim të metaforës së lirisë. Pra, nuk e kemi vetëm luftën e artit me kohën, por artin e vënë edhe në kërkim të lirisë. Në këtë rast terri ka rolin e dyfishtë, atë të zhbërjes së poetit dhe së dyti, të zhbërjes edhe të lirisë së tij. Po edhe vargu i tij ka dy misione; atë të mbijetesës si vlerë për kohën dhe përpjekjen e vënë në kërkim dhe shpërndarje të rrezes së dritës. Dhe këtu, metafora e lirisë është bërthama e vargut. Poeti Bedri Halimi është vënë në përballje me dy gllabëruesit e vetë, në njërën anë për t’i dhënë dritë territ kohë dhe së dyti dritë dhe shpresë territ robëri. Të parën duhet ta kuptojmë si filozofi e vlerës, që shkrimtari synon ta arrijë për të mbijetuar, ndërsa të dytën si kërkim i lirisë përmes artit. Pra, këto dy fenomene nuk i ndeshim në ato letërsi apo shkrimtarë që e gëzojnë lirinë e shprehjes, sepse ata kanë vetëm rrugën e mbijetesës së artit të tyre, varësisht nga vlerat që sjellin. Në rastin tonë, situata ishte specifike, sepse ishte mungesa e lirisë. Andaj, poeti me mbijetesën e tij, edhe të artit si mision i synimeve të arrira, e ka mundur kohën dhe natën verbuese, me dritën që shpërndau përmes artit. Vet mbijetesa e tij dhe e artit, si dhe e arritjes së dritës së lirisë, është metafora e fitores.
Bedri Halimi iu përkushtua artit letrar me vetëdije të plotë, sepse përballja vetëm fizike me terrin e robërisë që kërkonte ta zhbënte, nuk i mjaftonte, ndaj kërkohej gjak i ri, edhe ai i pendës. Ai u nis kësaj udhe plotë thepa e prita me idenë militante, se kjo përballje mund edhe ta zhbënte si artin ashtu edhe vetë poetin. Ishte dashuria e madhe për lirinë si dritë në ideal dhe për lirinë si metaforë. Për shumë kë, këto kohë dhe udha e tij, më shumë e kishin peshën e zhbërjes, por për poetin shpresa e dritës dhe lufta për të nuk u shuan, ashtu siç nuk u shua lufta për të dhe zjarri i pendës. Në të gjitha librat edhe në krijimtarinë e poetit Bedri Halimi (flasim për kohën e robërisë), alfa dhe omega e metaforës është metafora e lirisë së munguar. Aty ajo merr shpirt, merr jetë, shkëlqen në shpresën e tij, dhe si një rreze drite shpërndahet tek të tjerët si një diell që do të ngrohë për të gjithë. Njeriu i nocionit të tij si personazh, është njeriu i shtypur, i munduar, i burgosur e i vrarë, zaten ky ishte edhe fati real i kohës së poetit. Në anën tjetër kemi qiellin e nxirë, robërinë dhe okupatorin mbi qiellin dhe tokën e atdheut, që rri si korb kobzezë mbi kokat dhe njerëzit e poetit. E gjithë kjo përballje, shpërthen ndjeshëm në gjithë krijimtarinë e poetit Bedri Halimi.
Edhe pak dua të flas për zanafillën dhe udhën e artit të poetit, si luftëtar i kërkimit të dritës, jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Në art ka një pikëfillim, pikënisje prej nga nis edhe rrjedha dhe buron fjala. Lashtësia e kullave të Zinovës, është kalitja dhe burimi ku ka zanafillën fjala. Mungesa e lirisë, shtypja dhe robëria, qielli i nxirë mbi këndet e atdheut, plisbardhi i shtypur, e i nëpërkëmbur nga dora e ardhacakëve barbarë të kalamegdanit, përballja e tij me egërsirën e kohës, ideali, rruga e lirisë, burgjet, përgjithësisht jeta e shqiptarit të robëruar, janë zanafilla e metaforave të tij. Ai, në këtë rrugë e kërkoi atë që i takonte dhe asgjë të huajën. Brenda kësaj modestie, përmes artit nuk i synoi majat në kuptimin e artbërjes, por synoi dritën e misionit dhe të idealit të tij, brenda të cilit ishte vënë në shërbim. E dinte se vlerat do të vinin më vonë, do t’i sillnin ndryshimet, koha, rruga e përkushtimit të tij jetësor. Pra, këtu edhe gjalloi e frymoi kjo modesti. Por synimi i tij, i vënë në dy plane; në atë të veprimit praktik dhe fjalës në art, me synim lirinë, si metaforë, nuk u ndalën për asnjë çast. Nuk mund t’i shuante as terri i korbës kohë, as ai që për çdo ditë ia nxinte qiellin atdheut të poetit. E gjithë kjo ngurtësi mes dy poleve të ngrira, asaj të palës okupuese që me ngulm kërkonte zhbërjen e nocionit dhe botës së poetit dhe palës stoike përballë, që me mish e gjak kërkonte lirinë e vet, sigurisht se ishte sakrificë, kërkonte sakrificë e guxim, kërkonte edhe gjak, sepse pa të as që mund të thyhej kjo ngurtësi në mes. Për këtë, poeti ishte më së i vetëdijshëm, po shtigjet ishin të mbyllura dhe se e vetmja zgjidhje që nuk mund t’i ikej, ishte ajo. E lufta për zhbërjen e kohës, sigurisht se një ditë do të shpërthente. Edhe kësaj përpjekje, poeti Bedri Halimi nuk ju nda, por i qëndroi besnik idealit dhe vijës për të cilën ishte përcaktuar. Dhe në fund, definuar në format e shprehjes dhe gjuhës së përditshmërisë, ai mbeti një vertikale si karshi idealit, si përballë artit të tij. Do të ndalemi këtu, tek fundi i errësirës dhe agu i dritës, si mision i arrirë i synimit të idealistit dhe poetit, në mënyrë që koha e mëvonshme e lirisë, të zbërthehet përmes recensioneve për vargun dhe krijimtarinë poetike, publicistike e letrare të Bedri Halimit.
Qershor, 2014, Zvicër
1.
METAFORA – SI SHKËNDIJË DRITE PËR VIZIONIN E NJË POPULLI
Në planin individual, krijimtaria dhe arti shpesh shihen si shpërthim i brendshëm i krijuesit, i cili në raport me kohën shpreh atë botën e brendshme shpirtërore, brenda ndjenjës dhe perceptimit personal, por kur arti merr përmasat publike, ajo ndryshon formën e të akceptuarit. Nëse krijuesi e ka paraqitur drejt dhe ka hapur shtigje të reja drite për një çështje të caktuar, apo një të ardhme, kur ajo arrin të perceptohet nga lexuesi si dritë që hapë shtigje, misioni për të cilin është përcaktuar poeti, ka arritur efektin e vet, për çfarë edhe krijohet arti. Pra, arti është gjithmonë ai i cili brenda rezonancave të tij, hap shtigje të reja drite në evolucionin e këtij kapërcimi njerëzor.
Nëse deri në vitet e nëntëdhjeta, në hapësirat tona u krijua apo kishim një metaforë të mbyllur, hermetike nëse mund ta quajmë, apo që herë herë i këndoi lulëzimeve të një kohe, që edhe jo aq e përshtatshme ishte për ne, pas viteve të nëntëdhjeta, por edhe pak më herët, kishim një vlim brendapërbrenda metaforave, një gufim, deri tek një shpërthim, në raport me kohën dhe pozicionin që gjendeshim si komb i robëruar. E pra, i tillë erdhi edhe brezi i poetit Bedri Halimi, i kalitur sfidave të idealit kombëtar, përndjekjeve, burgjeve e vrasjeve që i bënte okupatori i huaj mbi shqiptarët. Dhe kjo metaforë gufuese dhe shpërthyese kundrejt kohës, ndjeshëm shfaqet edhe në vargun e poetit Bedri Halimi, i cili qysh në librin e parë më 1992, shpalosi botën e tij përmes librit: ‘Ditar Dardanie’, brenda të cilit përveç që shpalos botën dhe ndjenjën e tij për këtë kohë, ai shpërndan shkëndija drite edhe për të ardhmen e një shoqërie të gjerë. Synimi ynë është që përmes artit të metaforave, të shpalosim botën shpirtërore dhe artistike të poetit, si filozofi e mendimit për dritën, lirinë dhe të ardhmen e komunitetit të tij të robëruar, të cilit i takonte poeti. Pra metafora e tij nuk na vjen si brengë individuale e muzës së tij poetike, por si plagë, dhimbje dhe brengë e një kolektiviteti të tërë i cili në përpjekje me verbuesit e lirisë, po kalonte tmerrit barbar të bishave të kalamegdanit. Pra, metafora e këtij poeti dhe e brezit të tij, tani kapërcejnë artin dhe vijat që zakonisht krijohet arti, dhe bëhet mjet në përpjekjen dhe luftën për liri, jo vetëm për poetin, por edhe mjedisin shoqëror brenda të cilit frymon e gjallon ai.
Metafora si art i shprehjes dhe si mjet i shpalosjes së një bote të brendshme të një individualiteti njerëzor, është përdorur shumë herët qysh në zhvillimet e para të së folmes njerëzore. Nëse hyjmë në studimin e saj, në fillim të fillimeve çdo fjalë, mund të quhej metaforë. Por me kuptimin e tyre, është shfaqur nevoja e krijimit të metaforave të reja, si filozofi dhe mendime të cilat i ngjajnë apo kanë ngjashmëri me atë që synojmë të themi. Megjithatë, për ne kjo mbetet tjetër temë, për t’u kthyer tek metafora e artit të poetit Bedri Halimi, si simbolikë dhe mundësi për ta shfaqur apo shpalosur botën e tij të brendshme, përmes artit të fjalës, në përballje me kohën. Le të marrim një varg të poetit Bedri Halimi, për ta argumentuar atë që e thamë më lartë: /u linda i dënuar/ jetoj me të/ të vdes pa të/ jeta t`u mbetet/ pasardhësve të mi/ MBIJETESË (Maribor, 1986). Nëse e njohim botën e poetit, (të cilën përmes vargjeve sigurisht se më vonë do ta njohim), në këtë rast, metafora e mbijetesës flet për një kohë tepër të ligë, brenda prangave të kohës, robit, i vuajtur burgjeve nga njëri qytet në tjetrin. Metafora /u linda i dënuar/ në këtë rast nuk është vetëm bota individuale e poetit, sado ajo flet në njëjës, i takon një kolektiviteti të tërë, i cili tanimë po përjetonte saçin e robit mbi kokë. Këtu edhe vendi e data janë një metaforë në vete, sepse edhe ato kanë rolin e tyre në përcaktimin e vendit, pozitës dhe pozicionit në të cilin ndodhet poeti. Pra në këtë rast, ato janë burgu, kronika e një kohe të caktuar. I rëndësishëm është këtu fakti që kjo metaforë të përjetohet tek lexuesi, sepse vetëm atëherë do të ndihet klithma e kohës dhe e njeriut tonë në raport me të.
Do të përpiqem që të paraqes sa më shumë metafora dhe vargje nga krijimtaria poetike e Bedri Halimit, sepse vetëm përmes vargut si dëshmi, do të mund të jemi pranë fjalës dhe veprës së poetit; /mund të ta shuajë jetën/ ta mohojë ekzistencën/ Ta ndërpresë lindjen/ të arrestojë intelektualë/ të helmojë fëmijë/ të torturojë të pafajshëm/ por s`mundet kurrë/ ta ndalë Pranverën/, PUNË OKUPATORËSH, ( Prishtinë, 1990).
Besimi i poetit në pranverën, si simbolikë dhe si metaforë për lirinë, vjen si rreze drite edhe për lexuesin, sepse shpresa e tij bëhet lajtmotiv edhe për të tjerët, bëhet shkëndijë drite, shpresë se pavarësisht sfidave të komunitetit të poetit, ajo, pra liria do të vijë një ditë. Ky shkëlqim drite, ky lajtmotiv i poetit, vjen si freski për shpresat sa do të munduara, të shtypura e të vrara, ngrit atë dritën e besimit në të ardhmen e ndritur. Sigurisht se vargu në këtë pikë prek ndjeshmërinë dhe dellin e etjes edhe të lexuesit, dhe si dritëshkëlqim ai hap horizonte të reja të mendimit dhe të shpresës për lirinë. Zaten këto lloje metaforash, bëhen si shkëndija drite, të cilat një nga një pushtojnë hapësirat e etjes sonë për lirinë, që një ditë t’i bëhemi të gjithë krahë asaj. Sjellim këtu edhe disa vargje për ata që ia zënë diellin e dritën një populli: /dje zbritën nga Karpatet/ sot si mikroorganizma patogjenë/ jetojnë në trup të huaj/ bëjnë jetë heterotrofe/ kërkojnë/ të hanë shumë/ … /pas aktit të parë/ për t`u gëzuar/ raca barbare/, BARBARËT, (Prishtinë, 1990). Metaforat si; /në trup të huaj/, /jetë heterotrofe/, /raca barbare/, në këtë varg vijnë ndjeshëm si vlim e shpërthim poetik, i cili tanimë shpalos ndjeshëm botën dhe zemërimin e poetit, i cili sigurisht se me arsye i quan: racë barbare. Me këto vargje, ai prek gjenezën e atyre që ia nxinin diellin, po njëkohësisht ai jep mesazhin tek njerëzit e tij për origjinën e atyre që i kanë shkelë, torturuar, nëpërkëmbur e vrarë lirinë e atdheut të poetit. Pra, përbindëshi barbar, zbret me gjithë vrazhdësinë e tij për të jetuar në /trup të huaj/ siç thotë vargu, duke e zbehur kohën dhe jetën e një komuniteti tjetër, i cili me shekuj kishte gjalluar brenda trojeve të veta. Sigurisht se vargu i poetit, përpos që bëhet mllef, po aq edhe ironik në përbuzjen dhe përuljen deri në: /mikroorganizma patogjenë/, siç i quan poeti, të cilët gjithmonë synojnë të; /jetojnë në trup të huaj/. Të gjitha këto imazhe që na vijnë përmes metaforave, për neve që mbijetuam ato kohë, na kujtojnë një të kaluar plot dhimbje, e vragë, të cilat i ndjejmë edhe sot, disa dekada më vonë. Nëse edhe më tej shpalosim: Ditar Dardanie (1992), të poetit Bedri Halimi, do të futemi thellë në zymtësinë dhe vrazhdësinë e një kohe përplot me plagë e dhimbje, kohë të cilën vetëm vargjet metaforike, dinë t’ia ruajnë të pikturuara dhimbjet nëpër vargje, zaten ky është edhe misioni i vargjeve: /të hënën planet/ të martën arrestimi/ të mërkurën aktvendimi/ të enjten aktakuza/ të premten seanca/ të shtunën pushkatimi/ të dielën aktgjykimi/, DITAR DARDANIE, (Maribor, 1986). Këto vargje, tani më janë aq impresive, aq shpërthyese sa që e zhveshin deri në palcë aparteidin që ushtronte okupatori mbi komunitetin e poetit. Vrazhdësia merr përmasat gjenocidale, sa që edhe vargun e poetit e zhvesh nga metaforat hermetike në metafora të çiltra e shpërthyese, si një protestë e papajtueshmërisë së hapur me rrjedhën e kohës. Siç thamë më lartë, në këtë libër edhe vendi është shkruar, edhe datat janë metafora në vete. Poeti tanimë veç ishte në përballje të hapur me zvetënuesit e kohës, dhe po vuante burgjeve, për idealin e çlirimit kombëtar. Pra, narratojmë në kohë kur metaforat ishin bërë një me idealin e poetit, dhe mishërimi me to kërkonte dritë edhe përtej tij. Tanimë kjo zhveshje e metaforave, më tepër se protestës i takonte mesazhit të të kuptuarit, për atë se çfarë po ndodhte brenda hapësirave tona.
Le të marrim një lloj tjetër të metaforave, nga libri: “Plagë shpirti”, për ta ndjekur ecjen e poetit dhe kohën, që i referohet: /Në çajtore/ qyqet rrisin thonjtë/ hanë thesin kah fundi/ dhe këndojnë simfoninë/ si gjela në kor/ hërë Ku-Ku/ herë Ki-Ki/ herë Ri Ku-Ku/, PJELLË QYQESH. Referencat e metaforave në këtë rast na nxjerrin brenda atij labiliteti të dellit tonë nënshtrues, i cili fatkeqësisht në epoka të caktuara na zbehu atë damarin kryengritës, për interesa të caktuara. Sigurisht së është mirë të thuhet dhe mos të harrohen edhe ligësitë të cilat ia ndihmuan nxënësve të djallit, ta zbehin sa më gjatë qiellin tonë, sepse brezi që i vuajti ato pasoja, nuk ka dëshirë ta përcjellë edhe në të ardhmen. Pra, në këtë rast poeti ironizon haptas, duke përcjellë mesazhin metaforik se me vaj kukuvajkash, nuk vjen pranvera. Sa shpalosim e ecim brenda vargjeve, metafora gjithnjë e më tepër zemërohet e egërsohet, drejtë një shpërthimi i cili sikur paralajmëron kohë kuqen.
Nëse marrim edhe disa vargje të kësaj natyre dhe i shpalosim, do të ndeshemi me një botë të cilën, poeti e nxjerr një krahasim të reales që zhvillohej brenda kohës së cilës i referohet. Pra, kemi në mes edhe një shterë të nënshtruarish e të mashtruarish, të cilët në njëfarë forme i bëjnë sehir kohës së robit dhe zhvillimeve brenda shoqërisë sonë. /Gërrhamë në kor/ thyhen xhamat/ hapen dyert/ thellohet gjumi/ kur gërhasin gratë/ fëmijët pshurrin në tryezë/ buka digjet/ në shtëpi pa oborr/ burrat hedhin valle vallen e vajtimit/, GËRRHAMË GRASH, (Plagë shpirti, 1994, fq. 11). Metafora: grash, në këtë rast përfaqëson një lloj ironie karshi gjinisë, jo që i referohet fjala, pra asaj mashkullore, e cila brenda asaj heshtje dhe atij nënshtrimi, sikur pajtohet me jetën e robit, dhe i bën sehir vajtimit. Ky krahasim, sa ironik, është po aq edhe real në kohën që i referohet vargu poetik. Në këtë rast, në vargun e dytë dhe të tretë, poeti na flet për terrorin dhe dhunën që ushtron okupatori mbi popullatën tonë, derisa në anën tjetër dikush kërkon të na vë në gjumë brenda një robërie që i ngjan një kafazi ndrydhës. Ironia e vargut nga ana e poetit përdoret si një lloj përbuzje, si tërheqje vërejtje që në prapaskenë për metaforë, ironia i thirr zgjimit. Dhe ky zgjim tek një pjesë e caktuar e shoqërisë nuk mungonte, ashtu siç nuk i mungonte poetit, i cili tanimë ka kaluar nëpër katrahura të burgjeve, torturave e dhunës së okupatorit, e që e kishte të ndezur në shpirt kandilin e lirisë, të cilin përpiqej ta shpërndante ende tek shtresat e tjera të shoqërisë. I tillë, ai dhe metafora e tij na vinë me vargjet e Ylber Hasanit dhe me paratitullin metaforik që i prin vargut: /Fati yt është i imi/. Fuqia e metaforës, i bën të ndjeshme disa çështje, sado të harruara e të ndrydhura të jenë ato brenda realitetit real të të jetuarit. Nëse në realitetin e kohës që po i referohemi Çamëria, Malësia e Madhe, Arbëria, ishin mollë e ndaluar e një realiteti, ato përmes metaforave vijnë si; /Plagë shpirti/, në vargun e poetit, dhe këtu qëndron ndjeshmëria e dhimbjes dhe e ngacmimit të muzës ndezëse edhe për të tjerët, për tu vënë në kërkim të një realiteti sa do i ndaluar të jetë ai. Pra, përmes metaforave hapen shtigjet e reja të vizionit dhe dritës së munguar, dhe kur vargu arrin të përçojë mesazhet tek shtresat e gjera të shoqërisë, sigurisht se edhe synimet dhe objektivat e poetit, në mas të caktuar janë arritur. Po pse ky synim? – Sepse përmes vargut, poeti synon që një çështje të caktuar ta përçojë dhe ta ngritë tek shtresat e gjera të shoqërisë, e cila më vonë do të bëhet grusht dhe promotor në lëvizjen e proceseve përpara. Pra mesazhi poetik kërkon shpesh mobilizimin e shtresave të përgjithshme të shoqërisë, për t’u ngritur të bashkuar rreth një çështje të caktuar, e në rastin tonë në kërkim të lirisë. Sigurisht se vizioni si ai i poetit dhe brezit të tij, me shumë përpjekje, mundime e sakrificë, pas gati dy dekadave aparteidi të paparë të okupatorit mbi popullin që i takonte poeti, erdhi edhe koha e ngritjes kundër okupatorit, për një ndërrim epokash. Mesazhet e këtyre vargjeve, por edhe të krijuesve e veprimtarëve tjerë, sikur e kanë arritur efektin edhe për të cilin janë shpërndarë tek shoqëria jonë e gjerë.
Nga libri: Metafora e Lirisë, vështrim rreth krijimtaris së Bedri Halimit—!