Historia e Aleksandrit, Vlorë
“Nuk më mungon më asgjë dhe nuk kam asnjë arsye për t’u larguar nga Shqipëria tani. Unë e kam provuar emigrimin dhe e di që askund nuk ka më mirë se në vendin tënd.”
Aleksandri së bashku me familjen e tij prej shtatë anëtarësh banon në fshatin Poro të Bashkisë Vlorë. Prej pothuajse dy vitesh, ai i është dedikuar totalisht një ideje biznesi për rritjen dhe tregtimin e zogjve dhe pulave në kushte natyrore. Kjo ide tani është kthyer në një biznes të mirëfilltë ku angazhohet e gjithë familja, duke përfshirë bashkëshorten dhe prindërit. Madje Aleksandri na tregon se i ka popozuar edhe vëllait të tij i cili është emigrant në Itali që të kthehet dhe të punojnë së bashku për të çuar përpara këtë biznes, bazat e të cilit tashmë ai i ka hedhur.
Deri para disa vitesh edhe Aleksandri ashtu sikurse vëllai i tij dhe shumë bashkëfshatarë të tjerë, të ardhmen e shihte jashtë Shqipërisë. Në vitin 2017 ai emigroi në Gjermani ku aplikoi për azil ekonomik, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët e tij të vegjël qëndruan në Shqipëri. Në Gjermani u vendos fillimisht në një kamp refugjatësh dhe më pas u zhvendos në një banesë sociale. “Unë që në momentin që shkova në Gjermani, shpresoja që të sistemohesha një herë vetë dhe më pas të tërhiqja edhe familjen,” – tregon Aleksandri. Pas nëntë muajsh qëndrimi në Gjermani larg familjes, kur kuptoi që mundësitë për të përfituar një leje qëndrimi të rregullt ishin shumë të vogla ai u rikthye sërish në Shqipëri. Rikthimi dhe ndërtimi i jetës në Shqipëri në atë periudhë rezultoi shumë i vështirë, prandaj vendosi ta provojë edhe njëherë emigracionin, këtë radhë në Itali. Edhe në Itali qëndroi afërsisht një vit, por kur nuk arriti të gjente një punë të qëndrueshme dhe të tërhiqte edhe familjen, u rikthye përfundimisht në Shqipëri.
Para se të provonte emigracionin, Aleksandri punonte në bujqësi dhe merrte toka me qera për t’i mbjellë me misër dhe grurë, të cilat më pas i shiste. Por ky aktivitet nuk i siguronte të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjen e tij prej shtatë anëtarësh. Kështu, pas kthimit nga Italia, ai mendoi si zgjidhje rritjen e pulave dhe zogjve. Ideja e tij ishte që prodhimet të ishin totalisht bio dhe pulat nuk i mbante të mbyllura në pulari por i lëshonte të rriteshin dhe të ushqeheshin në natyrë. Fillimisht mori një numër të vogël pulash dhe rosash dhe këtu kuptoi se ky aktivitet mund të rezultonte shumë fitimprurës nëse i përkushtohej totalisht dhe e zgjeronte por mundësitë e tij financiare ishin shumë të kufizuara. Për shkak se nuk dispononte çertifikatën e pronësisë së tokave të tij dhe asnjë formë tjetër garancie bankare, e kishte të pamundur marrjen e një kredie. Madje ai nuk përfitonte edhe nga skema e subvencioneve shtetërore pasi nuk ishte një fermer i regjistruar.
Në këtë periudhë kur Aleksandri ishte duke u përpjekur të gjente një mënyrë financimi për idenë e tij, mësoi për projektin RE-IN-VEST, që në bashkinë e Vlorës zbatohej nga organizata World Vision Albania. Ai u bë pjesë e projektit, ndoqi me shumë interes të gjitha trajnimet e ofruara dhe në fund përfitoi një grant prej 1500 eurosh të cilat i investoi në aktivitetin e tij. Aleksandri u regjistrua si fermer dhe menjëherë zgjeroi kapacitetin e stallës, bleu një inkubator të vogël për nxjerrjen e zogjve dhe disa materiale të tjera të nevojshme. Gjatë vitit të parë të këtij biznesi, rezultatet ishin shumë të kënaqshme. Vazhdimisht ishte duke e rritur numrin e pulave dhe zogjve që mbante dhe vezëve që tregtonte, ndërkohë që përpiqej të mbante kosto sa më të ulëta. Aktualisht, përveç tokës së tij ka marrë edhe tokë me qera nga bashkëfshatarët, të cilat i mbjell me misër, grurë dhe jonxhë për të ushqyer pulat dhe zogjtë.
Një vit më vonë, duke parë ecurinë pozitive të biznesit, Aleksandri u mbështet sërish nga projekti me materiale, kryesisht rrjeta teli për të rrethuar vendin ku lëshon pulat dhe rosat për t’u ushqyer edhe një pompë për ujitjen e tokave bujqësore. Gjatë vitit të parë ai u fokusua kryesisht tek pulat, prej të cilave shiste vezë të freskëta dhe zogj, ndërsa vitin e dytë e zgjeroi aktivitetin edhe me rosa e pata. Aleksandri na tregon se përgjatë vitit 2021 ka rritur rreth 480 rosa dhe 650 zogj pule, të cilat i tregton jo vetëm tek banorët e zonës, por edhe në disa restorante të afërta. Aktualisht ka 250 pula të cilat i mban për prodhim vezësh dhe për të nxjerrë zogj të rinj. “Unë çdo ditë jam duke e zgjeruar biznesin tim, pasi kërkesat nga klientët që blejnë produktet e mia janë shumë të larta dhe nuk arrij t’i përmbush dot të gjitha. Vezët dhe zogjtë që unë shes janë 100% bio, të rritura në natyrë dhe me ushqim të cilin e prodhoj vetë, prandaj nuk e kam aspak të vështirë për t’i shitur,” – tregon Aleksandri. Ai thotë se nga ky aktivitet familja e tij siguron të ardhura mesatare prej rreth 100.000 Lekë në muaj, ndërkohë që vazhdon dhe e zgjeron biznesin edhe më tej. Para dy muajsh ka blerë edhe një inkubator të ri me kapacitet më të madh dhe pret që brenda këtij viti ta dyfishojë numrin e zogjve që do të tregtojë.
Përveç pulave, zogjve dhe rosave të cilat janë aktiviteti i tij kryesor, Aleksandri dëshiron të ketë fermën e tij. Ai ka ndërtuar një serë të vogël, si dhe ka blerë disa dhi. Së fundi, ai është zgjedhur edhe kryetar i fshatit dhe përpiqet që të ndihmojë edhe bashkëfshatarët me ide dhe këshilla lidhur me produktet që duhet të kultivojnë. Aleksandri shprehet me bindje se ka ndërtuar përfundimisht jetën e tij në Shqipëri dhe tashmë nuk e mendon si mundësi largimin nga vendi. “Nuk më mungon më asgjë dhe nuk kam asnjë arsye për t’u larguar nga Shqipëria tani. Unë e kam provuar emigrimin dhe e di që askund nuk ka më mirë se në vendin tënd,” – thotë ai. Ëndrra e tij është që të ketë një fermë të madhe me produkte bimore dhe shtazore 100% bio dhe është duke punuar çdo ditë pa pushim për ta arritur këtë.