Nebil Çika: PD e ka detyrim moral dekomunistizimin e shoqërisë, i ka pasur votat

Nebil Çika:

Është një dështim i politikës shqiptare, por do të thosha në veçanti të gjysmës së politikës shqiptare, e asaj pjese të politikës shqiptare që ka marrë përsipër, pra ka lindur si një forcë anti-komuniste në Shqipëri dhe ka marrë përsipër përmbysjen e komunizmit, dhe pastaj dekomunistizimin, dënimin e krimeve të komunizmit dhe gjërat e tjera që lidhen me pjesën më të errët të historisë, diktaturën 45-vjeçare të komunizmit dhe komunistëve në Shqipëri.

Unë mendoj që ka dështuar për disa arsye, por e para që mendoj unë është se ka pasur një mungesë të vullnetit politik për të dënuar krimet e komunizmit, i cili ka ardhur në fakt për shkak të konfliktit të interesit që jo vetëm partia trashëgimtare po themi e komunistëve, Partia Socialiste e Shqipërisë, që siç e dinë krerë dhe gazetarë në vitin 1991 vetëm ndërroi emrin nga Partia e Punës së Shqipërisë, në Parti Socialiste duke garantuar kështu edhe de jure vazhdimësinë komuniste në Shqipëri. Por, nё mënyrë të veçantë nga ajo parti e cila e ka marrë përsipër dhe nё mënyrë të veçantë ka marrë votat e viktimave të diktaturës komuniste, e familjeve të përndjekura politike dhe në përgjithësi të të gjithë shqiptarëve anti-komunist.

Pra, ka qenë detyrim moral , politikë, elektoral, ligjor i Partisë Demokratike për të bërë dekomustizimin e Shqipërisë në të gjitha aspektet e saj. Duke filluar nga dënimi i krimeve të komunizmit, e deri tek ndalimi i simboleve të komunizmit apo i propagandës komuniste në Shqipëri.

I ka pasur votat. Në 92-shin për shembull, kur ishte momenti, ajo ka pasur 70% të parlamentit. Po edhe në 2005-ën, kur erdhi në pushtet i ka pasur prapë ato. Unë mendoj që ka munguar vullneti politikë.

Ka pasur përpjekje sporadike, dënimi i disa anëtarëve të drejtuesve të lartë të Partisë Komuniste shqiptare, pra diktaturës komuniste dhe të vet të sigurimit të shtetit në vitin 1995, ku më shumë ishte një iniciativë e të përndjekurve politikë, pra e një aneksi të shoqatës të të përndjekurve politikë që u përpoq të dënonte krimet e komunizmit dhe gjenocidin në Shqipëri. Ju e dini që u dënuan drejtuesit më të lartë, Ramiz Alia dhe të tjerë, por vetëm një vit më vonë nga pas revolucionit komunistë të 97-ës, ata u liruan, madje dhe u shpërblyen 3 herë më shumë sesa viktimat e tyre dhe i morën këto para në dorë.

Dhe që atëherë, përpjekja për të dënuar krimet e komunizmit ka përfunduar.