Kryetari i PD Lulzim Basha ka refuzuar pajtimin me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj në gjyqin e hapur për shpifje në Gjykatën e Tiranës. Seanca është zhvilluar në orët e para të ditës së sotme, ku prezent ka qenë kryetari i PD Lulzim Basha dhe avokatët e Erion Veliajt. Togat e zeza u kanë ofruar mundësinë e pajtimit palëve në proces, ndërkohë që kreu i PD ka refuzuar duke kërkuar kalimin e çështjes në seancë gjyqësore. Pas këtij qëndrimi të mbajtur nga palët, gjykata ka vendosur të vijojë procesin duke kaluar në seancë gjyqësore.
Më 3 tetor 2020, kryetari i PD Lulzim Basha dorëzoi në gjykatë padinë ndaj Veliajt me akuzën e shpifjes së kryer botërisht. Në padi, thuhet se Erion Veliaj, si drejtues i fushatës së PS për Tiranën, ka bërë 3 akuza konkrete, të cilat PD i konsideron shpifje me qëllim që t’i dëmtojë imazhin e Lulzim Bashës. Konkretisht, kreu i PD kërkon dënimin e Veliajt duke i konsideruar shpifje deklaratat e tij sipas të cilave, kryetari i PD u bë me 4 shtëpi gjatë tërmetit dhe pandemisë, kryetari i PD ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë dhe kryetari i PD ka ndërtuar kate pa leje.
Sipas akt-padisë së bërë në gjykatë, “Këto të pavërteta janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme, duke qenë se Lulzim Basha është Kryetar i PD në opozitë dhe Erion Veliaj, si drejtues i fushatës zgjedhore të PS për qarkun e Tiranës, këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve, si për vete dhe për PS.