Nga Indrit Vokshi
Më pyeti një mik a do e japësh firmë për kuvend. Instiktivisht i thashë po. Pastaj po e mendoja thellë-thellë.
Tani meqenëse unë shprehem haptas dhe nuk kam dëshirë të bëj rolin e skuthit, duke menduar gjithashtu se përsakohë je pjesë e forumeve politike qëndrimet duhet të jenë publike dhe të argumentuara, po them:
Ne kemi qenë fëmijë në 1997 kur Sali Berisha u rrëzua nga pushteti. Mbaj mend kur u kthyen baba im, burra hallash e kushërinj, me kallashë në duar e me antiplum veshur. Vëllaim im nuk i kthente përgjigjje babës së vet se nuk e njihte ngaqë kishin rritur mjekrrat e ishin me tip kapelesh. Kishin qenë më qafë të Koshovicës në postoblloqe kundër rebelëve anti-shqiptarë të cilët të ndezur prej agjenturave po digjnin Shqipërinë.
Është mbështetur ky lider gjithmonë, duke ia votuar edhe kandidatët të cilët nuk meritonin votë, po hajt se vota po shkon për Sali Berishën.
Në vitin 2013 ky zotni dha dorëheqjen. Po të mos e jepte do të mbështetej përsëri. Mirëpo iku dhe na tha, ikja ime është pa kthim, iu kam lënë Lulzim Bashën. Po të thoshte do të kthehem përsëri, ndoshta do e kishim pritur por ikja pa kthim dhe bekimi për Lulzim Bashën ishte mesazhi: bëjini llogaritë me Lulzim Bashën, jo me mua, lidhini mardhëniet me të, investohuni për atë kryeministër. E ne ketë bëmë.
Paradoksi tashti është se kuvendi u mbajt me 17 korrik 2021 dhe nuk u propozua në statut ky neni që propozohet sot “nëse kryetari merr vendim pa forumet ai është automatikisht i shkarkuar”. Po të propozohej do isha dakord sepse është nen i duhur. Dhe si anëtar i Këshillit Kombëtar më intereson që kryetari të mos marrë vendime pa këshillin. T’i rritet rëndësia këshillit. Por nuk u propozua. Nuk ishte ky zell demokratik me 17 korrik.
Kur u mbajtën zgjedhjet për kryesi e sekretariate nuk votova me dorë, dola jashtë dhe e bëra publike se nuk votoj pa dy alternativa. Dola edhe në televizor dhe thashë se Lulzim Basha bën gabim që nuk i hedh për votim në këshill me votë të fshehtë nënkryetarët dhe sekretarin e përgjithshëm. Filluan këta kazerma e Lulzim Bashës akuzat personale; jo e bën nga inati se nuk u kandidove vetë për kryesi. Në fakt as u përpoqa të kandidoj për kryesi, as i thashë kujt as më tha kush.
Një mik më tha flasim me kryetarin për këto sekretariate e departamente. I thashë jo, sdua të ngatërrohem me ato.
Nuk ishte pra çështje inati asgjë por thjesht mendim i arsyeshëm se nuk duhet votuar ashtu, nuk duhet zhvlerësuar këshilli. Askush nuk foli, as z. Berisha. E nuk më bind thënia “unë nuk desha të flisja se duhet të kisha një projekt” sepse kur komisioni skualifikoi Salianin, Berisha e qortoi komisionin e tha “Si mund të përjashtohet Ervin Saliani..”. Përmendi vetëm ketë deputet, me emër e mbiemër, asnjë të skualifikuar tjetër, duke sugjestionuar se ky duhet të jetë deputet.
Tani Kuvendi Kombëtar i jashtëzakonshëm nuk është kuvend antiamerikan, Basha gabon thellë kur e damkos si të tillë. Le ta thotë haptas se është kuvend kundër armikut Lulzim Basha. Skemi pse përdridhemi kot.
E unë në ketë mes nuk kam ndonjë armiqësi specifike kundër Lulzim Bashës. Disa thonë bashkohu për rrëzimin e tij sepse ai stë kandidoi për deputet, kandidoi lloj-lloj tipi e ty jo. Nuk eci unë me emocione e hormone puberteti e menstruacionesh. Eci me kokë. Nuk kam pasur pakt me të për tu bërë deputet, sma ka shkelur paktin. Mënyra si funksionin ai dhe sistemi i tij nuk më favorizon e nuk më përzgjedh mua? Punë tjetër kjo, thjesht smerrem me të për ketë temë dhe kaq. Duhet me qenë i sinqert e serioz.
Nga ana tjetër nuk kam as ndonjë miqësi me të. Kur takohem një herë në 6 muaj, kemi bisedë gjysëm të vërtetë gjysëm hipokrite; ai bën sikur të vlerëson dhe të çmon shumë, unë bëj sikur e besoj dhe kështu jemi rehat të dy. Fundja hipokrizia është një lloj arti që përdorej në sallonet e ballot e pushtetit për të shmangur tensionin dhe sjelljet e pahijshme.
Në foltoren e Berishës kismet Zotit do të shkoj. Ne kemi pritur gjithkënd, çdo kandidat e çdo pretendent dhe nuk është burrnore mos të respektosh e ta dëgjosh Sali Berishën i cili vlen më shumë shumë deputetë e kandidatë të marrë bashkë. Por firmën jo.
Ju e dini, kam mbajtur qëndrim kundër shpalljes së tij nongrata, kundër selektivitetit amerikan, pro hyrjes së tij në parlament sepse është e turpshme të ta caktojë një shtet tjetër kush hyn në parlament e kush jo. Disa miq të lidhur me amerikanë smi kanë pëlqyer, madje një televizion më ka fshirë edhe intervistën. Por vazhdoi iu qëndroj atyre fjalëve.
Megjithatë unë sot nuk mund të jap firmën kundër dikujt, 8 vjet pasi jemi divorcuar e Berisha na ka thënë se po ikën pa kthim, merruni e investohuni tek Lulzim Basha, më harroni mua.
Pasi je orientuar aty, pasi ke krijuar lidhjet e miqësinë me rrjetin e sistemin e tij, një ditë duhet t’i shkatërrosh ato sepse e kërkon njeriu që na tha mos e mbani mendjen tek unë se unë nuk merrem më me këto punë. Gjykojeni me çdo ligj ketë, ejani ta hedhim në zakon me 24 pleq, qëndron kështu siç po them, nuk jemi borxh.
E di që ky qëndrim nuk është popullor brenda anëtarësisë por unë nuk e kam merak me qenë popullor e me iu pëlqy të gjithëve. Shqetësohem vetëm për me fol drejt dhe të mos mundet kush me ma hedh poshtë me argument atë çka them. Sa për të ardhmen e PD, nuk më kërkon kush mua të kujdesem për të. Ndaj po flas e po kujdesem vetëm për fytyrën time.
Përfundimish, kuvendin nuk e pengon mungesa e firmës time pasi do të mblidhen mijëra firma. Nuk e kam unë për detyrë të mbroj Lulzim Bashën, në daçin ta rrëzojnë, në daçin ta mbajnë. Unë kam për detyrë të mbaj një qëndrim ashtu siç e gjykoj se duhet mbajtur. Edhe e mbaj qëndrimin, nuk ka mundësi të më kompleksojë askush. Nëse ky gjykim nuk vlen le të ma anulojnë respektin ata me të cilët kemi vite bashkë. Këto çështje kanë faturë dhe jam gati ta paguaj.
Por nuk mundet të më kërkojë askush të mbaj qëndrime në kundërshtim me kriterin tim të gjykimit. Ata që më duan e kanë respekt, le të më duan kështu me ketë bosht. Boshtin se ndryshoj. Se pastaj na vjen ndërmend ajo shprehja “Femrat duan t’i ndryshojnë meshkuj e pasi i ndryshojnë, nuk i duan më”. Më duan kështu siç jam se po ndryshova sdo më doni më.











