Nga Indrit Vokshi
Fytyra paqësore që SHBA reklamon për veten, ka gënjyer shumë njerëz. Deklaratat e tipit “demokracia më e madhe në botë”, “vendi i votës e i lirive”, “vendi ideal” etj. e kanë maskuar realitetin, kanë bërë që njerëzit të mendojnë paksa gabimisht se çka është SHBA. Të krijojnë imazh jo të saktë.
SHBA është e fuqishme jo prej votës së lirë, jo si demokraci sepse në të vërtet është republikë oligarkike. Ka fuqi sepse është ushtria më e fuqishme në botë. Dhe ushtria nuk ka lidhje me demokracinë por me imponimin. Është kjo që është, sepse imponohet më fort se të tjerët. Ka mekanizma globalë si BB apo FMN etj. me të cilat imponohet. Ka CIA me të cilën imponohet.
Të ishte për demokraci e votë, vendi më i fortë në botë do na dilte Zvicra e referendumeve, Suedia a Danimarka ku vota e qetësia janë më të pranishme se në SHBA. Mirëpo nuk është punë demokracie. Nuk përcakton fuqia e demokracisë por fuqia e ushtrisë, e shërbimeve sekrete dhe e institucioneve financiare.
SHBA nuk ka ndonjë dashuri të madhe për botën e që prej kësaj dashurie të madhe, dashka tu japë edhe vendeve të tjera demokraci, rotacion, ndarje pushtetesh etj. Aspak. Të mendosh kështu, ke keqkuptuar perandoritë.
Ky sistem, me rotacion, me ndaje, me pozitë-opozitë, është doktrina dhe instrumenti i influencës amerikane në rajonet dhe vendet e tjera.
Po ta shohim, aty ku fitoi Bashkimi Sovjetik, çoi sistemin e tij komunist, aty ku fitoi SHBA, çuan edhe ata sistemin e tyre të quajtur demokraci liberale.
SHBA si perandori fituese e Luftës II, shtriu influencën në Europën Perëndimore. Pastaj si fituese e Luftës së Ftohtë kundër Bashkimit Sovjetik, si çdo fitues, ka shtrirë influencën e vet edhe në Europën Lindore ku ndodhemi ne si Ballkan e si Shqipëri.
Në emër të kësaj influence, SHBA mori Reformën në Drejtësi. Kjo reformë nuk u mor thjesht për të përmirësuar drejtësinë se drejtësia përmirësohej edhe ndryshe. U mor nga SHBA për ta pasur instrument gjeostrategjik kundër rivalëve të perandorisë në rajon. Dhe politikanët e Shqipërisë, Rama, Meta, Berisha, Basha e pranuan dhe e votuan me 140 vota. Ia dorëzuan për shkak të fuqisë së demokracisë? Jo. Ia dorëzuan për shkak të fuqive të tjera. Pika tjetër; ne anëtarësimin në NATO, është dorëzuar qasja në informacionet e shërbimeve sekrete.
SHBA eleminuan Gruevskin dhe vunë Zaevin. Vunë Vjosa Osmanin presidente, Lumir Abdixhikun në krye të LDK, vunë Dritan Abazoviqin në Mal të Zi. Pse ndodhin këto? Sepse perandoria ka ndërmend qëndisjen e një sistemi rajonal të influencës së vet. Rendi politik është rajonal, jo i posaçëm vetëm për Shqipërinë apo ndonjë vend tjetër.
A po e qendisin në mënyrë të shëmtuar në Shqipëri? Po. Shumë të shëmtuar. Shumë pa takt e pa talent, shumë me mllef. Ama shqiptarët skanë pse habiten. Shqiptarët janë mësuar me perandoritë dhe e dinë, përderisa tregojnë se si perandoria turke mblodhi 100 bejlerë në Manastir dhe i vrau. Përderisa këndojnë i Ali pashë Tepelenës të cilin e vrau perandoria përmes shpatës së Hrushid pashës.
Perandoritë të tilla kanë qenë dhe të tilla do të jenë gjithmonë të dhunshme e brutale. Njëlloj si me Ali pashën; shkuam në luftë kundër perandorisë me 25 prill duke tentuar të fitojmë pa dëshirën e tyre. Ata fituan, pastaj sollën traktatin e humbjes ku na kërkuan kokën e më të fortit.
Se çfarë qëndrimi mbajmë kundrejt L. Bashës, nuk ka rëndësi, mund ta mbajë secili sipas pikëpamjes dhe interesave të veta. Ka shumë arsye për të mos e përkrahur, pa ndodhur 9 shtatori. Veçse puna e perandorisë duhet kuptuar drejt, për vete, për nesër.











