E kam me të rinjtë, me ata më të rinj se unë. Shkruani, shkruajini idetë që keni. Në gazeta, portale, rrjete sociale, ku të mundeni. Përndryshe askush nuk do ta dijë se çfarë mendoni, si e doni të tashmen, të ardhmen. Tuajën, të familjes tuaj, të Shqipërisë.
Shkruajini idetë që keni. Jo vetëm për t’i hequr justifikimin Enverëve të partive politike që mbroçkullisin “idera” se çfarë do rinia, çfarë është më e mirë sipas tyre për rininë, vetëm për t’ju përdorur më pas në mitingje dhe kuti votimi.
Por sidomos për faktin se kur një ide nuk është e shkruar, ajo minimalisht është ende konfuze dhe nuk arrin të përcillet me shkrim; maksimalisht kur një ide nuk shkruhet ajo nuk ekziston.
Të thuash që nuk ja vlen t’i shkruash idetë është njësoj sikur të thuash nuk ja vlen të marrësh frymë.
A jeni ju një rini pa ide? Një rini memece? Një rini konformiste? Që ka frikë të flasë, të lerë gjurmë?
Kush hesht pranon! Nuk ua ka kush borxh heshtjen!