REDAKSIONALE
Me 2 shtator 2021 u formua qeveria e Shqipërisë. Në ketë shtet ka qenë rregull i pashkruar se duhet të përfaqësohen të gjitha fetë e krahinat. Ky rregull nisi me Këshllin e Naltë të Kongresit të Lushnjes në 1920, ku u përcaktuan Abdi bej Toptani, Aqif pashë Biçaku, imzot Luigj Bumçi e dr. Mihail Turtulli, si katër anëtarë të katër komuniteteve fetare, nga jugu e nga veriu, për t’i përfaqësuar të gjithë.
Ketë rregull e ndoqi dhe monarkia e Zogut I. Mbreti ishte nga veriu, ndërsa kryeministrat ishin nga jugu, Pandeli Evangjeli, Koço Kotta, Mehdi Frashëri. Plus ministrat, gjysma nga jugu.
Rregullin e prishi Enver Hoxha. Të gjithë hierarkët kryesorë u vunë nga Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër. Hoxha, Shehu, Kapo, Hazbiu, Myftiu etj. Asnjë verior, asnjë katolik. Edhe Ramiz Alia i cili pretendonte se ishte nga Shkodra, nuk përfaqësonte askënd e tek ai nuk përfaqësohej askush; ai u vu president si shegert i famljes Hoxha, aq sa si shenjë nënshtrimi pati ndërruar edhe të folurën dhe fliste si nga fshatrat e Gjirokatsrës.
Rregulli u përtëri pas vitit 1990, kryesisht nga PD e cila u dha katolikëve ministrin e jashtëm, kryetarin e Kuvendit dhe kryetarin e Gjykatës së Kasacionit. Në 2005-2013, kabineti i veriorit Berisha, dominohej nga ministrat nga jugu duke pasur ministër një familjar të imzot Luigj Bumçit. Për më tepër, një kryetare kuvendi si Jozefina Topalli e cila ishte përfaqësuese energjike e katolikëve në parti e në pushtet. Ajo nuk i përkiste katolikëve kaçakë që zgjodhi Edi Rama por katolikëve të qytetit ku katolicizmi kishte krijuar kulturë, përfaqësonte rrethet familjare qytetare e të goditura nga diktatura.
Deri me ardhjen e Ramës, ky ka qenë rregulli i pashkruar i harmonisë, bashkëjetesës dhe ndarjes së drejtë të pushtetit.
Në qeverinë Rama 3, kryeministri Rama është me origjinë prej familjeje ortodokse nga Mbreshtani i Beratit, të gjithë ministrat janë nga poshtë Tiranës, me përjashtim të Ulsiut dhe mbesës së Beqir Ballukut. Pra të gjitha privilegjet e pushtetit do të shkojnë tek rrethet shoqërore e familjare poshtë Tiranës. Zhbalancim i frikshëm e kobzi.
Qeveria nuk ka asnjë ministër katolik dhe, Partia Socialiste nuk ka asnjë katolik me influencë (siç kishte PD Jozefinën) i cili ose e cila të ketë lidhje me katolikët dhe t’i mbrojë interesat e tyre.
Rama vetë, sot deklarohet katolik, nesër deklaron se është lider musliman, a në të vërtet nuk është as katolik as musliman, është thjesht bir i baballarëve bolshevikë, veçse me ngjyra ylberi jo me pantallona teritali. Ai si animator cirku, lëviz shpejt e shpejt, duke deklaruar se është nga të gjitha fete e të gjitha krahinat, me shpresën se do t’i mashtrojë të gjitha fetë e krahinat. Ndërsa e vërteta është se rrethi i tij miqësor e famljar, nuk ka lidhje as me katolikët as me muslimanët, ndaj pushteti e privilegjet e tij ndahen vetëm me familjet bolshevike të ish-Bllokut. Rama nuk përfaqëson komunitetet tradicionale të Shqipërisë, nuk ndjek rregullin e pashkrar shekullor.
Me një karikaturë të këtij rregulli, Rama emëroi Lindita Nikollën kryetare kuvendi. Mirëpo Lindita nuk përfaqëson katolikët. Nuk identifikohet si përfaqësuese e katolikëve, identifikohet thjesht si drejtoreshë shkolle afër Ramës të cilën Rama si fiksim personal e mori dhe e ngriti në politikë, si besnike të vetën.
Katolikët e qarqeve Lezhë-Shkodër, janë përgjithësisht anti-komunistë. Po ta vërejmë, Edi Rama shkon e zgjedh katolikë nga pakica komniste brenda katolikëve, prandaj ata nuk janë përfaqësues të katolicizmit por janë ata pak katolikë të partisë. Sikundër Ulsiu përfaqëson vetëm pakicën komuniste të qarkut të djathtë të Dibrës.
Bashkangjitur me ketë, fondet e qeverisë ndahen në mënyrë aq të padrejtë, saqë nëse do e shihte dikush i cili nuk është shqiptar, do mendonte se veriut po i bëhet një aparteid, siç u bënin të bardhët afrikano-jugorëve.
Një qeveri e tillë aparteidi nuk dëmton vetëm veriun e vetëm katolikët, ajo dëmton gjithë Shqipërinë duke i shkaktuar një disbalancim, një çarje sociale dhe ekonomike, një pabarazi mbi baza urrejtjeje krahinore. Një qeveri e tillë nuk mund të emërtohet ndryshe veçse qeveri anti-kombëtare sepse ajo përçan dhe zhbalancon kombin. /Faktor. al/