1. Nëse do të bëhej një sondazh për të vlerësuar ndryshimet e fundit, do të rezultonte “asgjë e re” nga fronti i mashtrimeve, veçse “riciklim”, vazhdimësi e lëvizje në boshllëk. Ose ndryshe: paaftësia, babëzia, hajdutllëku dhe klientelizmi këmbyen vendet me njëri-tjetrin dhe asgjë më shumë se kaq… Një mesazh i vjetër që iu përsëritet nga lideri suprem fuqimisht profesionistëve të aftë, të rinjve të arsimuar brenda e jashtë vendit dhe të gjithë atyre që janë me karakter të fortë e të ndershëm: largohuni sa më shpejt nga ky vend dhe emigroni ku të mundeni sepse ky s’është vendi juaj por vendi i destinuar të drejtohet nga injorantët, hajdutët, kriminelët, trafikantët, manekinët, mbi të gjitha ky vend i “mesit te dheut” do të popullohet gradualisht nga afganë, sirianë, bangladeshas… që fillimisht për t’i joshur do të marrin trajtime luksoze si në asnjë vend tjetër të botës dhe si asnjëherë tjetër në historinë e valëve të emigrimit…
2. Nëse do të shiheshin ndryshimet e fundit në një kënd tjetër, atëherë çdo përpjekje për të zbuluar ration e tyre, do të ishte e dështuar dhe joefikase… Sepse realisht nuk ka asgjë racionale në këto ndryshime, por të gjitha ato së bashku e veças janë pjesë e një kurthi të ngritur nga “guida” perverse e mendjesëmurë. Në fakt të gjithë ndryshimet përshkohen vetëm nga dy elementë: a) frika e tmerrshme e hajdutit që pasi ka grabitur pasuritë kombëtare, ka rrëmbyer edhe mandatin e tretë duke grabitur zgjedhjet e kërcënuar të gjithë ata që reagojnë; dhe b) mediokriteti e servilizmi që përcakton sjelljet e çdo anëtari të haremit të “konkubinave, eunukëve e dylberëve”, të vendosur nën hyqmin e sulltanit pervers e të frustruar, mediokër e të goditur, që minjtë e mashtrimeve, propagandës, sharjeve e ofendimeve përpiqen të shesin si të të madhërishëm.
3. E vërteta është edhe më e hidhur: ndryshimet e pozicioneve në haremin rilindas ku anëtarësia e të gjithë promovimet me emërues të përbashkët paaftësinë e servilizmin ekstrem ndaj sulltanit arrogant, përcaktohen nga perversiteti, frika e frustrimet e drejtuesit të tyre ndaj njerëzve të aftë, të “fortëve” dhe ndaj skesit femëror.
4. Nga ana tjetër, ka shumë përpjekje të dështuara t’i shesin të gjitha lëvizjet si ndryshime me “më shumë gra e me më pak burra”, por në fakt në këto ndryshime s’ka asnjë burrë të vërtetë, por vetëm meshkuj e femra të nënshtruara nga arroganca e perversiteti i drejtuesit të tyre që duket se kujdeset vetëm për karrigen dhe të ardhmen e tij të dyshimtë. Duket se të gjithë kanë frikën e hajdutit nga një mandat i vjedhur. Kanë frikën se mund të përsëritet rasti i Afganistanit ku një pushtet i korruptuar u shkërmoq për disa orë dhe përfundoi me largimin me helikopter të liderit “hajdut” me thasët me 169 milion dollarë të grabitura dhe një ushtri që nuk mbrojti dot vendin e u dorëzua brenda pak orësh.
Të gjithë pa përjashtim, pavarësisht se përpiqen të “përfitojnë në këtë katrahurë” ndjejnë se mund ti vijë shumë shpejt fundi kësaj babëzie e maskarade, po ashtu si në Afganistan. Se kjo qeveri në dukje e fortë por në thelb prej letre mund të shkatërrohet e thërrmohet brenda vetëm pak minutash e ndoshta edhe me shpejt…
5. Në fakt të gjithë kanë shumë frikë, dhe ata që janë vendosur pa asnjë meritë në poste drejtuese, edhe ata që janë spostuar pa dhënë arsye, edhe ata që janë riintegruar, edhe ata që janë bërë ministra, edhe ata që janë bërë anëtarë kryesie… Të gjithë së bashku, me liderin suprem në krye, kanë “lepurin në bark”. Janë të frikësuar deri në palcë, madje kanë dyshime të mëdha se edhe mbështetja e madhe nga jashtë që lideri iu artikulon cdo minutë mund të rezultojë një fiasko si në Afganistan e kështu mund të kenë fatin e Gruevskit, të Gadafit, por edhe të Ashrafit… dhe kjo i trondit e destabilizon të gjithë… Sepse të gjithë pavarësisht se bëjnë sikur i binden perversitetit e arrogancës, në fund të fundit nuk i besojnë deri në fund drejtuesit të tyre që e konsiderojnë mediokër e të paaftë.