Një maskë alla shqiptare në NATO

Nga Flutura AÇKA

Tek shihja njërën nga kronikat mbi Samitin e fundit të NATO-s, i cili i zhvilloi punimet në Bruksel pak ditë më parë me pjesëmarrjen e liderëve nga tridhjetë shtete të botës, mes buzëqeshjeve të fshehura nën maska antikovid të të pranishmëve, më ra në sy lloji i maskës së kryministrit shqiptar, e cila ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat. Në maskën laryshane, mbase e dizenjuar prej atij vetë, shfaqej qartë logoja e Partisë Socialiste dhe madje e shkruar shumë qartë. Natyrisht, jo e pseudoRilindjes, se për atë kemi kohë që na vjen turp dhe e përmendim gjithnjë e më radhë, pasi u kujton shqiptarëve mavijosjen që u ka ndodhur në jetën e tyre dhe te republikës së tyre nën zullumet tetëvjeçare “rilindase”.


Në Samitin e NATO-s dhe në çdo takim të lartë mes liderëve të shteteve, kryeministri shqiptar dhe çdo shtetar tjetër, përfaqëson të gjithë shqiptarët dhe shkon edhe si përfaqësuesi im, edhe si përfaqësuesi i çdo qytetari, i cili jo domosdoshmërisht e ka lidhur fatin me partinë që ai (kryeministri, ose shtetari) drejton, dhe as me bëmat e tij si kryetar i saj. Atje ai shkon edhe për popullin opozitar, siç i pëlqen ta quajë sa herë kërkon vota, togfjalësh që e harron sapo e verifikon se votat e blera janë te vendi i duhur; edhe për popullin që nuk ia ndien për politikën; edhe për popullin në emigrim, i cili ndonjëherë as ua di emrat partive shqiptare, por edhe për popullin që është duke u rritur dhe as e ka idenë e ekzistencës së partive, atyre organizmave, të cilat, nga vetë rrënja e fjalës nënkuptojnë skizmë, arsye pse kur liderët e partive zgjidhen të drejtojnë, detyrohen me hir a pahir, por edhe nga ligji, të shkëputen nga ethja e skizmës dhe e provokimit dhe të përfaqësojnë të tërën, edhe atë që nuk e voton.

Po të shohësh maskën njëngjyrëshe të kancelares Merkel apo të Joe Biden, të shohësh maskën e kryeministrit anglez Boris Johnson apo atë të kryeminstrit kanadez Justin Trudeau, vëren se shumë-shumë i kanë dhënë të drejtë vetes të venë një shenjë të vogël në simbol të vendit të tyre. Sikur të kishte vënë edhe kryeministri ynë një maskë të zezë me një shqiponjë të vogël në anë, nuk do të më kishte rënë në sy fare laryshanja e tij. Pa folur pastaj për atë që mban kryeministri holandez Mark Rute, që është e njëjtë me atë që mban e gjithë popullata holandeze, apo Makroni, apo edhe mëtonjësi rishtar i NATO-s, fqinji ynë Zoran Zaev, i cili për çudi nuk e paskesh fare në mend të bjerë në sy. Madje edhe vetë kardeshi (vëllami) i tij, Erdogani, kishte vendosur maskën që mbajnë qytetarët e tij dhe nuk deshi që të dallohej nga tufa.

Mbase ky mund të jetë një detaj fare pa rëndësi, se fundja maskë është. Po, mund të jetë kështu, por në rastin e Edi Ramës, njeriut që ngriti për shqiptarët PPP-në më të shtrenjtë në historinë e shtetit shqiptar – propagandën – asnjë detaj nuk është rastësi; të gjitha detajet, edhe ato fare të parëndësishme, janë qëndrime.

Duke iu referuar pamjeve të 14 qershorit nga Brukseli, një media pranë pushtetit nxitoi t’i quante interesante pamjet që vinin me zë e figurë prej andej dhe aq me sheqerosje i shoqëronte, sa nuk kishte se si ta vërente detajin “e vogël’. Unë nuk di se sa ky detaj është pakujdesi apo kapriçio personale e kryeministrit tonë, a është shkujdesje e stafit të tij apo një gjë e qëllimtë. Këtë nuk e them dot me siguri. Do ta doja ta quaja shkujdesje, sepse nëse është e qëllimtë, është një fyerje për çdo shqiptar, qoftë ky edhe popull pozitar, i cili, jam e bindur, nuk do të pranonte të përfaqësohej në NATO i ndarë si Partia Socialiste. Nuk besoj se do ta bënte këtë po të ishte në vend të tij as kreu i Opozitës, dhe sikur ta bënte, do të ishte po aq e kritikueshme dhe e shëmtuar.

Ndonjëherë duket sikur i gjithë kontributi i kryeministrit tonë në gjuhë të huaj për Shqipërinë, është vetëm investimi që ai të jetë ndryshe, të jetë lajm ai vetë dhe jo Shqipëria, të jenë lajm veshja e tij dhe jo ëndrrat e shqiptarëve, të jetë lajm maska e tij e jo kontributi ynë në NATO. Ndoshta pse hyrja në NATO nuk mban vulën e qeverisjes së tij, as të partisë së tij, ai po përpiqet ta bërtasë këtë prani të tij, qoftë edhe përmes këtij detaji, si për të plotësuar me ndjeshmërinë tonë pikërisht egon e tij për të qenë i pranishëm në të gjithë kohën kalendarike të demokracisë ku edhe ne jemi të pranishëm.

A thua të jetë po ajo arsye për të rënë në sy, e njëjtë me atletet e bardha që e përjashtuan dikur nga fotoja familjare e liderëve të samitit ku i veshi? Atletet e tij të bardha na siguruan të qenit lajm, edhe pse nga ajo kohë kushtet për të filluar negociatat me Europën u rritën në progresion gjeometrik. E risjell në vëmendje skandalin që nisi në Samitin e Triestes në korrik të vitit 2017, dhe se si pas këtij samiti, i mikluar nga të qenit në vemendje, kryeministri ynë e vazhdoi provokimin e tij me vlerë fare të lirë në Samitin e Kartës së Adriatikut në gusht të vitit 2017 dhe sërish po me atletet e tij të bardha kinse emblematike. Por as kjo nuk mjaftoi. I munduar nga dhimbja e të rënit në sy gjatë kësaj trajektoreje të shkallëshkallshme e që Milan Kundera e quan “universiteti i egocentrizmit”, ngaqë në këto takime të para ai nuk ra aq shumë në sy, pasi mund të ishin minore për një staturë si e tija, ai e përsëriti paradën e atleteve në Samitin e Ballkanit në Londër në korrik të vitit 2018, që shënoi edhe takimin e tij të parë të nivelit të lartë, duke u bërë edhe objekt i shpotive të rretheve politike dhe argëtim të televizioneve angleze.

Përse e bën atëherë kryeministri ynë këtë shfaqje? Pra, pse ai bën sjelljen e njeriut, që sipas Max Stirner “këput edhe besimin, edhe betimin madje, asisoj që të jetë në qendër, në vend që t’ia nënshtrojë veten shqyrtimit moral”? Besoj se askush prej të pranishmëve nëpër hollet në Bruksel nuk u dokëndis ta pyesë për kuptimin e shenjave dhe ngjyrave të maskës së tij, por sikur ta ketë pyetur, do të kisha qenë kureshtare për përgjigjen. Sepse ishte në një samit të NATO-s dhe jo në ndonjë konferencë të partive simotra europiane. Sepse, po t’u thoshte se ishte maska e logos së partisë së tij që sapo triumfoi në pushtet për së treti në Shqipëri – krejt çuditshëm dhe ndryshe nga fati i socialdemokracisë europine sot – çfarë do të mendonin ata, dhe çfarë kishte ai për t’u shitur si lider i saj: grabitjen nga partia e tij e të dhënave të qytetarëve shqiptarë nga platformat shtetërore të ndërtuara në shërbim të tyre me paratë e Europës, kthimin e sistemit të përndjekjes së demokratëve me të njëjta metoda të Sigurimit në diktaturë, bjerrjen kombëtare në vitet e pushtetit të partisë së tij me largimin e rreth 500 mijë shqiptarëve duke u kthyer në problem europian, hartimin e projektit shtetëror të kanabizimit të vendit në vitin 2016 duke e kthyer Shqipërinë në Kolumbinë europiane, kërcënimin e medias dhe flirtet e frikshme me të si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e demokracisë shqiptare, mbylljen e kufijve tri ditë para zgjedhjeve për rreth 100 mijë demokratë dhe qytetarë që bindshëm do të votonin kundër tij? Për të thënë vetëm disa nga përgjigjet hipotetike të rastit.

Maska e paqedershme me siglën e partisë së tij në Bruksel, ia hoqi në fakt shumë shpejt maskën retorikës së tij në vigjilje të mandatit të tretë si kryeministri ynë, faktit se ka vendosur të mos hedhë më gurë e rrufe ndaj opozitës, se do të jetë një babaxhan dhe nuk do të ushqejë më dasitë partiake në popull. Madje edhe shpallja si blasfemi kombëtare e mungesës së listave të anëtarëve të PD për kandidatët sfidantë dhe shpallja e saj si mëkat, nuk është aspak çudi që, në një përqindje të caktuar, të jetë investim i drejpërdrejtë i pushtetit për të shtënë në dorë emrat e demokratëve dhe për të nisur gjuetinë e shtrigave në masë të tyre. E bëri këtë gjatë këtyre tetë viteve në pushtet duke shpallur përditë ndarjen Ne dhe Ata, e bëri gjatë fushatës zgjedhore me një ethe të paparë, duke i kërcënuar demokratët kudo që ishin në vende e punës në shtet a në kompanitë private, ata dhe familjarët dhe miqtë  e tyre. Kam shembuj të tillë personalë pa fund. Ndaj si mund ta besosh kur flet për planet e tij dhe të partisë së tij për shqiptarët e vitin 2030, kur si kryeministër i shqiptarëve nuk e kapërcen dot as ngërçin e një maske të thjeshtë ndarëse?

Por habia më e madhe e imja është se këto ditë mediat në shërbim të tij, po i sakrifikojnë netët për të folur për këto arritjet të tij të fundit, vetëm e vetëm për të vënë në qendër të gjykimit, pse jo edhe të ekzekutimit mediatik, zgjedhjet në Partinë Demokratike, sigurisht të ndihmuar edhe nga dorëzanës demokratë, të cilët, më të shumtën e herës, me të drejtën e tyre për të folur për parime, përdorin rastin për të nxjerrë hatërmbetjet personale ndaj lidershipit të sotën të PD-së, ose shfrytëzojnë rastin e një turi mediatik, edhe pse e dinë se fjalët e tyre do të harrohen pa dalë ende nga studioja. E rëndësishme është të merremi me PD dhe kurrfarë gjëje tjetër, deri sa të harrohet Vaterloja e zgjedhjeve parlamentare.

Sa për zgjedhjet në Pardinë Demokratike, nuk ia gjeta vetes të drejtën të komentoja para se ato të kryheshin, për sa kohë kam nderin të përfaqësoj çdo demokrat dhe përsa kohë nuk kam qenë pjesë e zhvillimeve brenda saj, dhe si një outsider do të hyja në territore që u takojnë të tjerë njerëzve që e mbajnë dhe militojnë me plotërinë e tyre brenda saj. Një gjë është e sigurt dhe këtë kritikuesit nuk e thonë me zë të lartë: askush nuk i tërhoqi zvarrë mbi 32 mijë demokratë për të vouar Lulzim Bashën, dhe akush nuk ua kontrolloi votën atyre që nuk votuan për të. Zgjedhjet në PD, përtej mangësive që mund ta kenë ndjekur procesin, treguan se është një parti e hapur, demokratike, ku mund të kritikosh, ku mund të jesh kundër, kur mund të largohesh pa u përndjekur pas ikjes – shih në kampin tjetër vetëm rastin e kryetarit të Bashkisë së Vlorës dhe fushatës kundër tij.

Ndaj, për t’u kthyer te argumenti im, për të dhënë shembullin e sjelljes së ndryshuar ndaj qytetarëve të vet, një lider nis më parë nga gjërat e vogla që nuk e shquajnë të qenit të tij ndryshe nga të tjerët, qoftë edhe në gjuhë të huaj. Bota e qytetëruar ka parë me qindra politikanë të përkohshëm të mbushur me veten, por në fund historia ka parapëlqeyer të shënojë si të përjetshëm ata që ua kanë mbushur me dritë jetën qytetarëve që i kanë zgjedhur, qofshin ata edhe vetëm njëra pjesë e dy gjysmave që ata kanë ndier detyrën që t’i përfaqësojë si një të tërë.