Sot kryesia e PD| Nga sekretari organizativ te Forumi Rinor i PD dhe Lidhja e Gruas, vakancat në PD

I sapovotëbesuar edhe për 4 vitet e ardhshme në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha tanimë është gati të nisë analizën e zgjedhjeve të 25 prillit.

Pavarësish se e konsideron masakër elektorale, Basha kërkon që të shohë arsyet se ku u përmbushën objektivat dhe ku jo dhe për çdo rast të bëhet analiza e rezultatit.

Metodologjia dhe ekipi që do të merret me analizën e tyre do të përcaktohet sot në orën 11:00 në mbledhjen e kryesisë që është thirrur nga Lulzim Basha. Pika tjetër e rendit të ditës së kryesisë është që të thërrasë Kuvendin Kombëtar të PD-së më 17 korrik. Deri në këtë datë ekipi që do të ngrihet në selinë blu do të analizojë çdo detaj që ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, ndërkohë pasi të kenë një panoramë të qartë, me përfundimin e analizës, kryesia do t’i propozojë Kuvendit të PD riformatim të strukturave. Burime pranë selisë blu bëjnë me dije se ndryshimet do të jenë deri në nivelet e larta të PD-së e madje te njerëzit e afërt të Lulzim Bashës.

VAKANCAT

Vakancat në disa poste kyçe të PD-së i imponojnë të paktën në disa hallka ndryshimet në selinë blu. Kështu, prej më shumë se një muaji vendi i sekretarit organizativ është bosh. Që prej janarit të 2019-ës në atë post ishte Sahit Dollapi, por ky i fundit u largua menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve kur doli rezultati paraprak për humbjen e zgjedhjeve. Largimi i tij i menjëhershëm pas zgjedhjeve ngjalli diskutime, megjithatë arsyetimi i tij ishte për çështjet personale. Pas largimit të tij, kreu i PD-së, Lulzim Basha, i delegoi kompetencat e sekretarit organizativ te sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi, ndërsa sigurisht pritet që të ketë zgjedhje për të.

Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka mbajtur një peshë të rëndësishme gjatë mandatit të fundit të PD-së në opozitë. Kryetari i këtij forumi tashmë ka marrë mandatin e deputetit dhe është gati për sfidat e reja. Në këtë mënyrë, edhe në këtë hallkë të PD-së Basha pritet që të bëjë zgjedhje për kryetarin e ri të forumit. Pak më ndryshe është situata në Lidhjen Demokratike të Gruas në Shqipërisë. Kryetares Albana Vokshi i ka mbaruar mandati një vit më parë dhe në korrik pritet që të shpallen zgjedhjet edhe për këtë forum të PD-së.

Megjithatë, ka gjasa që zgjedhjet për forumet të bëhen në një moment të dytë, pasi me prioritet shikohen zgjedhjet për sekretariatet dhe degët e PDsë në varësi të përfundimit të analizës së zgjedhjeve. Më komod është posti i zëdhënëses së Partisë Demokratike. Aktualisht atë post e mban Ina Zhupa, e cila do të jetë e ulur në një nga 140 karriget e Parlamentit të ardhshëm. Megjithatë mandati i deputetit nuk e pengon që të mbajë edhe postin e zëdhënëses së partisë. Ky pozicion në selinë blu nuk zgjidhet, por caktohet nga kryetari i partisë dhe nuk ka kritere të përcaktuara dhe afat për mandat.

BETEJA

Analiza e brendshme e PDsë vjen në një moment kur janë ezauruar disa hallka të betejës ligjore të partisë më të madhe në opozitë për faktimin e asaj që ata e quajnë “masakër elektorale” dhe kur kanë paralajmëruar vijimin të betejës në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg. Në dy hallkat e para në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve si dhe në Kolegjin Zgjedhor nuk pati asnjë ndryshim të rezultatit të zgjedhjeve.

Megjithatë demokratët shprehen se nëse KAS dhe Kolegji do të kishin pranuar kërkesën për administrimin e provave shtesë, do të kishte argument të mjaftueshëm për ripërsëritjen e zgjedhjeve. Ndërsa hapi tjetër i paralajmëruar ku po punojnë ekspertët juristë të PD-së është kërkesë-ankesa në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me mospranimin e marrjes së fakteve shtesë nga ana e KAS dhe Kolegjit Zgjedhor.

Kjo ka penguar zhvillimin e një procesi të rregullt, sipas tyre. Ndërsa lëvizja tjetër që po përgatitet është dërgimi në Gjykatën e Strasburgut të databazës me patronazhistët e PS-së dhe 910 mijë votuesve. Demokratët janë të bindur se databaza që doli nga kompjuterët e zyrave elektorale të socialistëve ka të dhëna personale që shkelin të drejtën e njeriut.