Matura si antitezë

LUÇIANO BOÇI

Teza e debatit mbi vlerën e maturës ka kohë që është vënë në dyshim. Përgjatë disa viteve me shpejtësi ajo humbi qëllimin për të vendosur një drejtësi vlerësuese, për të cilin u krijua. Mendjelehtësia ministrore dhe degradimi politik i sistemit e shndërroi atë në një proces fals dhe krejtësisht të padrejtë, ku vlerat e vlerësimet përmbysen me një të rënë buzëqeshjeje ekranesh të shpifur. Jashtë çdo iluzioni, teza e letërsisë doli si çdo vit tjetër, sikurse pritet të ndodhë me tezat e tjera e u shpërnda në rrjete me lehtësinë e një reklame fushate me premtime aeroportesh e vende punësh.

Por në një sistem ku blihen e shiten vota hapur, blerja e shitja e tezës së provimit të maturës, qoftë dhe badjava apo si letër me vlerë votash, nuk përbën më lajm dhe nuk është as habi e jo më të ngjallë reagime.

Kryeministrit, madje, kjo i ngjan si një lojë fëmijësh, pasi serioziteti grabitës i patronazhistëve të tij e skalioneve policorekriminale-administrative ishte kaq brutal përgjatë zgjedhjeve politike, sa faktet për daljen e tezës i shkaktojnë vetëm të qeshura.

Ndërkohë, ata që e pësojnë, vetë maturantët, i nënshtrohen garës brenda rrethit të antivlerave. Gjithçka që atyre u është thënë ndër vite në tekste mësimore, në biseda familjare, në gjykime të ndryshme opinionesh për të drejtën, moralin, të vërtetën, meritën, zhduket menjëherë brenda një dite. Dhe në këtë rreth fiton ai që është më i shkathët, jo më i zoti. Fiton ai prindi i të cilit ç’nuk bëri për partinë e pushtetit, ndërsa ai prindi i të cilit besoi tek e drejta, është i destinuar të shohë dhe një herë t’i shkërmoqet para syve i gjithë investimi jetësor dhe çdo sakrificë e bërë.

Përmbysja që ndodh te të rinjtë tanë është e pakthim. Gjurma e maturës së grabitur nga pushteti është një njollë që nuk do t’i shqitet asnjëherë dhe do jetë baza më pas e shumë veprimeve që kërkojnë një justifikim të qëndrueshëm. Zaret janë hedhur pa kthim pas dhe lufta për to sapo ka filluar. E kjo luftë nuk është e lehtë. Ajo është brutale, e pistë, pa rregulla dhe e neveritshme. Fiton ai që i pari kupton se padrejtësia është rruga që duhet përqafuar për të arritur qëllimin. Para syve të tyre, maturantët me dhimbje momenti e gazmend profan moshor, shohin se si pushkatohet e ardhmja dhe si shkërmoqen ëndrrat.

Kjo nuk është ajo që ata duan. Kjo është ajo që i imponojnë vit pas viti. Kjo është dhurata që qeveria ka pasur për to fshehur pas trëndafilave në grusht.. Ndërsa pushteti, ai Kryeministri, ajo ministrja shtriqen kolltukëve duke u shqetësuar për faktin nëse teza arriti deri te x apo y që u bënë copash për ta në fushatë, apo ka shkuar në duar jomilitante. Për Ramën dhe të tijtë si ngërdheshës të përhershëm të fateve të të rinjve, s’ka as drojë dhe as shqetësim. Tek e fundit, ata e quajnë veten “shumica”, ajo që blen e shet fate njerëzore dhe ia njohin këtë të drejtë vetes me pashë votash të blera, me djersën e ballit të miletit që i deformohet pareshtur çdo e drejtë e çdo vlerë.

Por nuk mbaron këtu.

Të shtriqurit kanë dhe arrogancë shembullore dhe ata nuk mund të pranojnë që t’ia prishin rehatinë zërat denoncues e të vërtetë.

Hakërrimi i tyre absurd është i njëmendë dhe i menjëhershëm, në raport të drejtë me padrejtësinë e nxjerrë sheshit.

Fajtorët të shtriqurit i gjejnë jashtë zyrave të tyre. Ata janë përherë njerëzit e ndershëm që denoncimin e bëjnë përtej interesave personale, por thjesht për hir së vërtetës dhe së drejtës.

Dalja e tezës së radhës dëshmon qartë dështimin spektakolar të një sistemi arsimor në agoni.

Matura tashmë është rrënuar dhe shndërruar në një trampolinë kompensuese të politikës pa shpirt dhe në një tezë (anti) të instalimit të paaftësisë institucionale. Nga e dobishme tashmë është deformuese dhe vrasëse e shpresave dhe meritave të maturantëve.

Matura ka vdekur bashkë me vlerën e dijes në një shoqëri si kjo e jona.

Tashmë ajo është një antitezë.

Përgjegjësit janë antipolitikanët e pushtetit.