Përmbledhja poetike “Roja i Dritës”, që pason disa libra cilësorë me poezi të autores, përfaqëson një përthekim të pazakontë të karakterizimit të profilit të Birit, me gjasë i sublimimit të vetjakësisë së poetes-mëmë, çka dëshmon se poezia nuk është thjesht “dashuria e parë” e autores në lëmin e letrave, por në gjithkohën e shkrimit letrar, vijon të mbetet një ngasje dhe magëm e brendshme, thelbësisht shpirtërore, madje e pandarë në secilin çast të jetës, e veçmas në sprovat siprane të shpalimit të letrares, si ndjesi dhe shprehësi. Roja i dritës është libri i mbramë poetik i autores, gjer më tash, që të ndërmend pohimin e Harold Bllom: … poezia është një thirrje profetike që meriton pa diskutim kurorën e letërsisë imagjinare. (2008: 69) në librin Si dhe përse lexojmë, jo si rikthim te poezia, sepse ajo gjellin brenda jetës së autores, nër pejzit ekzistencial, por më tepër si një shpërthim i amës, shpirtërore dhe estetike, e cila fashitet dhe zgjohet, si një tharm çlirues, ndonëse njëherit material e testketeve të kredh në dëshpërimin e humbjes, mbase edhe të një katarse paqëllimore, sepse në shijen dhe bindjen time, shkrimtari, poet a prozator, pra edhe F. Açka, bart mbi vete dy spikama, gati të pashmangshme:
E para: Ai/ajo, si një metaforë e pashpallur, e cila vjen e formësohet në gjithë krijimtarinë, parasëgjithash është dado e shpirtit të parrokshëm të vetvetes, ndonëse frymon në secilën germë, si verb dhe vokacion i pazakontë shprehësie.
E dyta: Shkrimtari/shkrimtarja, ende vijon që të jetë një bari – udhërrëfyes, shpirtëror i njeriut, madje pa ndikuar atë, por ndërkaq duke ia zbuluar botën, krejtësisht lakuriqe, të bukur dhe shëmtarake, mu në shuplakë të dorës.
Spikama e dyfishtë, e secilit krijues, shqiptohet në tekst/ligjërim, por diç ma tepër që fashitet dhe dritëzon nëpër rrezëllimat e nëntekstit, e vatrave ligjërimore, preken dukshëm në leximin dhe rileximin e librit Roja i dritës, që ndërkohë shenjon kulmin e shkrimit poetik, jo pse qarkëzohet nga piskama e dhimbës, por se Biri, në sytë e memes – poete, e shqiptuar si roja i dritës, që vetvetiu ia mbërrini, në rrafsh estetik, me e shpërfill mungimin, terrin, mardhën, errësinën, megjithëse dhimbja e pakufi, është aty, në rrahjet e zemrës, sikur gaca rri ndez nën hi, gjë që e përthekson përjetësinë.
Poetika e vargut antologjik
Gjallimi i poezisë, në përmbledhja të veçanta, ose në botime të natyrës antologjike autoriale, e sidomos të poezive antologjike me poezi, të shumë autorëve, ku përfshihen shumë poezi, në aspektin e leximit dhe receptimit, si shqyrtim dhe analizë e thelluar e dukurisë poetike, mbi këto hapësira ligjërimore, kryesisht noton në vagullësi, duke mbetur gjithsesi në hapësirën e teksteve poetike, si thelb shenjues. Pavarësisht ligjërimit poetik, në secilën formë të librave me poezi, në rastin e përcaktimit tipologjik, realisht jemi në tri gjendje poetike, të mirëfillta dhe të ndryshme, të cilat krahas afrive të ndërmjetshme, ndërkaq përvijojnë nuanca dhe diferenca tipologjike dhe shprehësie. Kur thuhet gjendje poetike, e diferencuar si formë strukture, janë marrë në konsideratë dhe vihen në interpretim, vetëmse për të shënuar nivelet e përfaqësimit:
– Libër poetik autorial, që emërtohet edhe si përmbledhje a vëllim poetik, që gjellin si forma më e njohur, më e hershme, si dhe më domethënëse, në shpalimin e profilit të poetit/poetes, gjithnjë si tekst shkrimor.
– Libër antologjik, i një autori të caktuar, që madje shpesh emërtohet edhe si përzgjedhje me poezi, shënon një cak tjetër, më të ngritur ligjërimi, si me thënë një paraqitje, të shenjave kualitative të poezishkrimit.
– Libër antologjik, i poetëve dhe poezive të ndryshme, e cila shenjon një përmasë specifike, të komunikimit të kumteve, që përçon poezia, e kësaj forme komunikimi. Antologjitë me shumë poetë, në fakt krijojnë një hapësirë paksa më unike, të kundrimit në përqasje, me të tjerët, e sidomos me materien tekstore, të secilit poet. Mbi të gjitha, forma e librit të tillë antologjik, përfaqëson një shans për të mundësuar verifikimin dhe receptimin e teksteve me poezi, në bashkëprani dhe bashkëkuptim, me shkrimin e të tjerëve, e cila si model dhe përvojë shkrimi, të jep dorë me prek hijedritat, madje në secilin tekst me poezi, të autorëve të ndryshëm, që janë përfshirë në tipin e antologjive me shumë autorë.
Parafraza përmbi tippet e paraqitjes së librave me poezi, natyrisht një parashtrim i paplotë, që në një rast tjetër, do të përplotësohet me më shumë detaje, edhe si nevojë e faktit, që në librin Roja i dritës, si dëshmi e formatimit dhe faktologjisë së shenjëzimit antologjik, pra një shenjë estetike që e kapërcen autoren dhe ngarend në hapësirat e literaritetit të njëmendtë, që tejçon një situim letrar të pazakontë, si tharm i shprehësisë artistike. Përmbledhja Roja i dritës, ka të përfshira 61 poezi gjithsej, një libër i ngjeshur në ndjesi të holla dhe tronditëse, me kumte të larmisë tingullore, me tonalitet të shumëngjyrtë, të materializimit të poetikës së metaforikës shpirtërore.
Megjithatë, libri Roja i dritës, shpalos një situatë tekstologjike të beftë, sepse nga radha e poezive, ta plasuara nëpër tekste, gjithnjë në binarët e leximit dhe rileximit, mbi njëzet poezi përmbushin kriteret e përfaqësimit, në secilën formë të antologjive poetike, që tejkalon autoren, dhe natyrshëm mund të qëndrojë në secilin libër antologjik, të letrave shqipe dhe më përtej tyre. Tufa poetike, ku përfshihen vargjet e poezive: Liria e keqkuptuar, kur Bisturia, Zgjimi, Bardh, Horizonti i Pranimit, Lutje, Planeti Ngjyrëujë, e sidomos peozia Roja i dritës, që qartësisht mishëron poetikën autoriale, që rrezonon me poetikën, ku universi i qenies dhe magjia e fjalës, shenjtërojnë fatin e humanes, në zgrip ekzistencial, që veçmas përndritet në vargjet e dhimbës, si zë i kohës.
Pjesë e vëllimit poetik, është edhe poezia e Courteney Elisabeth Macanly, mikeshës së Birit, shkruar në anglisht dhe kthyer në shqip, nga autorja e librit, një tekst që ia shton shenjat estetik përmbledhjes. Situimi i fjalësuar, në hemisferat metaforike të vargëzimit të lirë kryesisht, që ma tepër shpështillet ndër pejzitë e mendimit, plazmon tërësinë e librit, e veçanërisht një substancë letrare, e natyrës antologjike, që zbulohet dhe shijohet në lexim dhe rilexim, ndërsa komentin dhe analiza e stërholluar, më tepër e shkërmoqin magjinë që përçojnë vargjet.
Struktura e materies poetike
Vëllimi poetik Roja i dritës, në shestimet dhe përftesat e larmisë poetike, përfaqëson një nivel tjetër, thelbësisht më cilësor, të poezishkrimit të autores, gjë që shpërfaqet qartësisht edhe nga strukturimi i përveçëjm i librit. Substanca letrare e kësaj përmbledhjeje formësohet nga këto elementë ligjërimorë:
– Shënimi përkushtues: Sërish për Jerin, që lajmëton se Roja i dritës, është shëmbëllimi i Birit.
– Falenderimi i autores, që përçohet në shumicën e librave, për të gjithë ata që u bënë pjesë e realizimit të librit.
Këto dy elementë, të cilat ndërkaq luajnë rolin e hapësirës paratekstuale të tekstit, që paralajmëron praninë e hemisferave të laryshisë së teksteve poetike, ku materializohen kumtet dhe shprehësia e pazakontë letrare.
– Struktura themelore e materies poetike, ku janë paraqitur 61 poezi të librit. Strukturimi, sendërtohet nëpër këto cikle:
A – INITIUM, ku janë vendosur 14 poezi, pjesë e rëndësishme e kalendarit poetik autorial, që zë fill në vitin 2016, e në vijim.
B – TERMINUS, cikël që përfshin 23 poezi, me titull dhe një poezi pa titull. Ky cikël, varësisht hapësirës dhe shtjellimeve, grupon materien poetike, që bart vokacionin e kumtit, për të tjerët dhe për vete, të vetë autores, ku madje rëndon më shumë pesha e humbjes së Birit, e ikjes së parakohshme.
C – ESTENSIO, që përfshin 19 poezi, me titull dhe disa prej tyre pa titull, e cila rimerr fatin e hidhur të ikjes së Birit, të ikjes pakthim, ndonëse ka lënë dritën në mes si një rojtar, që kundron nga qielli dhe lëshon dritën e shpirtit të bukur. Pra, poezia autoriale, është kompozuar në tre cikle, që përmbajnë 56 poezi, me titull, si dhe pesë tekste pa titull, duke shënuar kështu 61 poezi gjithsej.
D – SPIRITUS VENTUS, ku gjendet falenderimi i autores, për poezinë e mikes së Birit, me titull Mos Dashuro Kurrë një Burrë Që Po Vdes, një poezi e pazakontë, që përçon dhimbje, filozofi, melodi shpirti, e po kaq shenjëzime estetike. Po ashtu kemi edhe praninë e përmbajtjes, një shënim autobiografik mbi jetën dhe librat e botuara nga F. Açka.
Metaforika e vargut dhe fjalës
Kryemetafora e këtij libri, sugjerohet qysh në titullin e përmbledhjes, Roja i dritës, që mishërohet në hapësirën e tekstit të poezisë, teksa portretizon dhe sublimon Birin, si përçues i dritës, e cila e tjekalon edhe amshimin. Vargjet e poezisë, në një kuptim, janë një rekuiem për Birin, që rimerret dhe shpërfaqet me gjithë dimensionet, në prozën unike, Biri. Po kaq, hapësira e teksteve të përmbledhjes, veçmas të poezisë Roja i dritës, janë një vijëzim i tipareve njerëzore të djaloshit, që lidhet me moshën e ëndrrave, ku as ikja e parakohshme, nuk ka gjasa që ta ndërpres dritën, që shqiptohen në vargjet:
Ti roja i dritës,
përgjon errëtitë që vijnë të na nxijnë,
të na derdhin mjerim.
Tani shkel në dhera të pastra,
e ëndrrash të qashtra shtigjesh nget,
ti nezra e përjetshme,
nuk fikesh si kandil,
as flaka e qiririt topitur erës,…(2018: 66-67)
Substanca poetike, e tanësisë së përmbledhjes, më tepër shqiptohet si një metaforë totale, e shpaluar në shumicën e poezive. Metafora, vatra e tharmit poetik, aty ku ngjizet un-i autorial, hapësira e materies letrare, ku madje lartohet ngrehina e librit, Roja e dritës, shpërfaqet në gjithë hapësirën tekstologjike. Manteli metaforik ose shkalla më e lartë e abstraksionit estetik, zbulohet nga prania e disa elementëve, që endin dhe formësojnë mishërimin estetik.
Së pari: Mbizotërim i vargut të lirë, si dhe tek – tuk, ndonjë situim i thyerjes së vargut, çka e shpërndërron poezinë, mirëfilli ritmike, të një ritmi organik, ku madje shpërfaqet melodia e brendshme e un-it poetik, që anësohet nga spikama shpirti, meditimi filozofik, mbi kohën e përmbysur, që ka shformësuar ritmin e jetës. Fusha e zezë, përfaqëson të vetmen poezi, shkruar me kuatern, pra me strofë katërshe, me vargun 13 – rrokësh, si dhe e shoqëruar me rimën e alternuar.
Së dyti: Libri, përfshin 56 poezi, me titull dhe, pesë poezi pa titull, fare të shkurtra, me dy-tre-katër a më shumë vargje. Me 24 janar 2018, pra në ditarin me poezi, hidhen vargjet:
I thjermët, ky i qiellit zymt,
Veç gazi e zhbën, të kafkës tymt.
Peng i mbetur në spiralen e kohës,
Kahjen kah drita mos e humb…(2018: 44).
Këto vargje janë shkruar me strofë katërshe dhe me varg të matur. Po ashtu dyvargëshi drithërues:
Më thonë se ke ikur, por
s’kanë fuqi për t’më bindur… (2018: 65).
Së treti: Përkujdesja e zakonshme gjuhësore, si shenjë e rrokshme e stilit, e cila lidhet me përzgjedhjen leksikore, e veçmas me aktin përlindës të fjalëve autoriale, çka dëshmohet edhe në librat e tjerë të autores. Roja i dritës, e pasuron fjalësin e shqipes, me topikën e leksikut poetik: vdekatar, zjarrtymi, nerza, i thjermët, fikndizet, gjethërimë, shkëlbaza, mugësisë, çurkëlojnë, lungovarre, e vlimta, të helmët, muzgësojnë, trupitje, çukurlit, djegurisë, e pabëzamja, e shqepëta, diellsi, gabimtarët, gjethësor, larginës, fushësimit, hapëruar, tëhuajësia, përzimën, marrafrymën, e shqimët, shpellon, shtijane, matësi, dritëlehta, bojëvranësisë, heshturojnë, shoshane etj. Leksiku autorial, përzgjedhur dhe venduar në hapësirën e teksteve, për ta formësuar dhe shumëfishuar kumtin, rrafshet e shprehësisë, të ndërmendin idenë e Tomas Eliotit, kur nënvizonte: … detyra e poetit si poet është vetëm e tërthortë për popullin e tij: detyra e drejtpërdrejtë është e lidhur për gjuhën e tij; së pari ta ruajë dhe së dyti ta zgjerojë dhe ta pasurojë. (1982: 61), tek libri Ese të zgjedhura.