Beteja për zgjedhjet është më e rëndësishme se beteja për PD – REDAKSIONALE

Redaksionale

Në një të diel të bukur 10 dosje të mëdha me emrat e 9 qarqeve të vendosura në një shkrim dore u dorëzuan pranë KQZ në formën e ankimit nga ana e PD. Shqetësimi sipas përfaqësuesve të PD është se një makineri e stërmadhe qokash pushteti, blerje votash përmes narkotrafikantëve dhe abuzimi me fondet publike kanë prodhuar jo një palë zgjedhje normale por një vjedhje anormale.
E gjithë kjo skenë që duket e përsëritur deri në komedi por e trishtë sa për të përshkruar tragjedinë e Shqipërisë post-komuniste që ende nuk prodhon dot zgjedhje normale, ka trazuar jo pak rrethet mediatike të vendit.
Duke njohur Shqipërinë e aq më tepër principet mbi të cilat ajo ka funksionuar këto 8 vitet e fundit, një hap i tillë ndonëse domethënës për një pjesë të madhe është energji e çuar dëm.
Në fakt, për këtë të fundit po kontribuon fort media e majtë dhe tentativat e saj për të devijuar diskutimin nga mekanizmi i blerjes së votës tek Lulzim Basha. Ato e kuptojnë që Basha nuk duhet të qëndrojë në këtë pozicion aktual ku po përcjell mesazhe të qarta nga selia e PD për makinerinë e manipulimit të vullnetit të qytetarëve.
Dëshira e tyre është ta involvojnë atë në një betejë mediatike që do të merret me të si kryetar i PD por jo me problemin më kardinal të demokracisë në Shqipëri; manipulimin e votës.
Për rrjedhojë e gjithë propaganda mediatike e pushtetit është sulur për të targetuar humbjen e PD dhe për të relativizuar blerjen e votave apo makinerinë shtetërore dhe kriminale në funksion të Ramës. Me një akt të tillë, ato duan të neutralizojnë diskursin politik që PD po vendos me qetësi dhe bindje përditë duke u treguar shqiptarëve se çfarë ndodhi në 25 prill.
Ky aksion që ndodhet në çdo manual të pushteteve autoritare përpiqet të krijojë sensacione përmes kamuflimit të së vërtetës apo riprodhimit të tezave të vjetra në kurriz të opozitës. Afërmendsh, diskursi publik sot do të rrotullohet rreth diferencave mes Bashës dhe Kryemadhit apo mes faktit që PD duhet të ishte futur në një listë me LSI.
Debate të tilla, ndonëse të domosdoshme dhe realisht frytdhënëse janë një luks i tepruar në situatën ku janë zbuluar mbi 120 mln euro që buxheti i shtetit i ka transferuar rreth 10 bashkive që këto të fundit t’ua kalojnë qytetarëve.
Media në këtë rast, njësoj siç veproi në rastin e ngjarjes tragjike në Elbasan, sillet si një manipulatore që përpiqet të fshijë sa më shpejt ngjarjen madje pa u kujdesur që të mbulojë provat në mënyrë racionale. Aktualisht ajo po përpiqet të sheshojë vrullin e opozitës duke nxitur dhe karikuar mërzinë e demokratëve dhe zhgënjimin e tyre për zgjedhjet.
Ajo po inxhinieron qëllimisht frymën e qytetarëve dhe mbi të gjitha demokratëve në një luftë kundër Bashës dhe duke ngritur teza të ndryshme nga një komplot i stërmadh i Bashës për të shkatërruar PD e deri tek skemat se si Basha duhet të dorë hiqet. E gjithë kjo për të fshehur abuzimin me zgjedhjet dhe mbi të gjitha dështimin e Ramës në fushën e integrimit. Një nga kushtet kryesore për të nisur dialogun me BE mbeten zgjedhjet dhe gjithashtu dënimi i personave të përfshirë në krimet elektorale.
Mirëpo, siç faktet janë rreshtuar duket se Rama më së shumti është angazhuar për të bashkëpunuar me faktorin kriminal për të vazhduar blerjen. Një sjellje e tillë arrogante është një sfidë e qartë mbi të gjitha për demokracinë e Shqipërisë por edhe për procesin e integrimit. Pikërisht ky është ngërçi me të cilin përballet Rama, një njeri i zënë ngushtë mes vesit për të vjedhur që të qëndrojë në pushtet dhe kushtit për të dënuar vjedhësit.
Përballë një sjellje të tillë propagandistike, Basha dhe e gjithë PD duhet të vazhdojë të këmbëngulë dhe të flas edhe më fortë për krimet elektorale që i kanë kushtuar Shqipërisë demokracinë dhe integrimin.
Detyra kryesore e opozitës dhe mbi të gjitha e Lulzim Bashës është që të përçojë gjithnjë e më qartë mesazhin që fshihet në ato 10 dosje që qëndrojnë nga sot në zyrën e drejtuar nga Celibashi. Shqiptarët duhet ta dinë dhe ta mësojnë se kjo vjedhje e mirë studiuar dhe e fshehur në detaj nuk mund të kalojë paq.
Demokratët duhet të kuptojnë se lufta personale dhe e drejtë e grupeve për pushtet nuk mund të mbivendosë problemin e pandëshkueshmërisë. Votuesit gri, duhet të pranojnë se nëse nuk ka drejtësi për këtë abuzim të kryer haptazi në kurriz edhe të bindjeve të tyre e ardhmja e vendit do të jetë gjithnjë e më e errët. Ndërsa elita që sot qeveris opinionin publik jo rrallë me valiume popullore anti-opozitë duhet të pranojë me gjysmë zëri kontributin në këtë kasaphanë elektorale, përmes pranimit dhe relativizmit të blerjes së votës.