Çdo javë nga një kryesues i ri. Herë Vllaznia, here Teuta e herë Partizani. Tani është radha e këtyre të fundit të marrin kryesimin pas javës së 31-të të Kategorisë Superiore, me një fitore të vuajtur ndaj Apolonisë në “Elbasan Arena”. Të kuqtë u imponuan minimalisht 1-0 ndaj ekipit fierak që po bën paraqitje dinjitoze edhe pse mund të konsiderohet e rënë, teksa sfidën e vendosi Jasir Asani me një gol në 76’, kur i shërbyer nga Cinari në zonë me të djathtën e dërgon topin në rrjetë.
Ishte një ndeshje sigurisht e dominuar nga Partizani por që hasi vështirësi ndaj një Apolonie që u mbrojt mire dhe u dorëzua vetëm në fund dhe tani skuadra e Ilir Dajës është ajo që merr kryesimin me 57 pikë, falë edhe barazimit 0-0 në sfidën Vllaznia-Teuta.
Në “Loro Boriçi” u luajt një përballje shumë e fortë fizike por që me raste u dominua nga Vllaznia që pati disa raste shënimi në pjesën e parë me Denis Imerin dhe Ardit Hoxhajn dhe në të dytën u hodh e gjitha në sulm por pa arritur të gjej rrjetën ndërsa Teuta që vinte si kryesuese nuk pati pothuajse asnjë rast të pastër.
Një rezultat i tillë sigurisht që favorizon Partizanin që me 57 pikë kryeson në renditje, Teuta zbret në vendin e dytë me 56 pikë, Vllaznia e treta me 56 dhe Laçi 53 pikë. Duhet thënë që 5 javë nga fundit gjithçka mbetet e hapur dhe gjithçka mund të ndodhë mes këtyre ekipeve në garën për titull.