Tetë vjet më parë shqiptarët i dhanë një shans Ramës për të qeverisur. Pas dy mandateve, njëra prej së cilës pa partner në koalicion, situata në Shqipëri është më kaotike dhe më e përçarë se 8 vite më parë. Pandemia dhe tërmeti dëshmuan gjendjen reale të qeverisë dhe shtetit. Një kaos total dhe gjithashtu abuzime të pafundme.
Lulzim Basha nuk është një mrekulli, madje as profet për problemet e Shqipërisë. Gjithsesi ai është një njeri më i mirë dhe më decent se sa Rama. Një kryetar partie që nuk përdor ofendimet dhe bullizimin për kundërshtarin dhe që është përballur me një qeverisje që ka përdorur kriminelë dhe mafiozë për të kërcënuar jetën politike të opozitës.
Tetë vitet e pushtetit të tij, Rama ndërtoi dhe implementoi një skemë të mirëkalkuluar për të sunduar i vetëm nga zyra e kryeministrisë. Në të njëjtën metodë si diktaturat komunniste zbatuan parimit e sundimit përmes Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste.
Arritjet e tij në këto tetë vite nuk kanë qenë të dukshme dhe as të qarta në fushën e taksimit. Mbi 7 ligje abuzive dhe me emër biznesi janë votuar dhe kaluar nga shumica e drejtuar prej tij ndërkohë që pabarazia në vend është rritur.
Një sistem i ndërtuar dhe ideuar për të favorizuar vetëm një grup të vogël klientësh që janë pranë qeverisë. Ndërkohë që kroni kapitalizmi thellohet me media që blihen dhe përdoren për të linçuar publikisht kundërshtarin.
Rendi dhe siguria janë kërcënuar këto 8 vite duke pasur rënie të sigurisë së qytetarëve. Minat me sahat që komentoheshin në 2014 si “larje hesapesh” mes bandave janë ende në kujtesën e qytetarëve. Avionët e drogës që fluturonin mbi kokën e qytetarëve ndërkohë që Shqipëria festonte arritjet nën efektin e propagandës zbuluan edhe një herë lidhjen e ngushtë mes ministrave të Ramës dhe grupeve të strukturuara kriminale e deri mafiozëve.
Gjatë këtyre 8 viteve ai ka zhvlerësuar dhe dhunuar bazat e demokracisë dhe qeverisjes. Me një sjellje shumë larg standarteve të një shteti ligjor dhe europian që ne dëshirojmë të jemi, Rama ka ngritur një mit të vetin si njeriu i plotfuqishëm dhe i gjithëditur. Mënyra se si ai sulmon dhe kërcënon gazetarët apo këdo tjetër që nuk i pëlqen atij është shenjë e një nariczmi të rrezikshëm që nëse trashëgohet do të shkatërrojë rrënjësisht të ardhmen e vendit tonë.
Përmes sjelljes së tij ai ka promovuar tribalizmin politik dhe atë shoqëror mes palëve. Kryeministri që mahniti perëndimin dhe qytetarët e Tiranës duke shpërfytyruar me bojra fasadat e pallateve është kthyer në një njeri të vështirë për të komunikuar. Rama në çdo dalje është përpjekur që të jetë përjashtues dhe t’i vendosë qytetarët kundër njëri tjetrit. Në çdo protestë ai ka përdorur tone raciste dhe ofenduese karshi protestuesve ndërkohë që vetë ka veshur fyerjet e tij përmes fjalimeve elegante por plot stereotipe.
Gënjeshtra dhe njëanshmëria politike duke mos e parë opozitën si pjesë të demokracisë por armike e saj. Sajesat në kurriz të opozitës për të vrarë mendimin ndryshe si dhe përdorimi i çdo institucioni shtetëror për t’i mbyllur gojën opozitës. Përdorimi i shantazhit ndaj gjyqësorit për të çliruar bandat e krimit si dhe përdorimi i tyre për fushatë elektorale janë një njollë e turpshme për një Shqipëri në shekullin 21 që është pranë integrimit Europian.
Katër vite të tjera nën një kryeministër që rrezikon të shkatërrojë edhe atë pak sens ligjor që ka Shqipëria do ishin katastrofa më e madhe për vendin tonë. Ndoshta në vitin 2013 shqiptarët u impresionuan nga premtimet bombastike të Ramës, më tej në 2017 gjetën një opozitë vulnerabël dhe të papërgatitur. Por, kësaj radhe zgjedhja është më jetike se sa 8 vite të para. Humnera është e madhe dhe e pafundme.
Përballë një sjellje të tillë qëndron Lulzim Basha, një njeri mëse normal dhe një shtetar që e ka dëshmuar me kohë normalitetin e tij. Gjatë kohës së tij në qeveri arritjet kanë qenë të dukshme dhe të matshme. Edhe në krye të bashkisë Tiranë me gjithë dritëhijet e saj qe një periudhë e paqtë dhe pozitive për qytetin. Natyrisht ai i kurseu vendit një transformim të dhunshëm dhe banal siç bëri pasardhësi tij në krye të bashkisë.
Plani i tij për qeverisjen është mëse i pranueshëm dhe i mundshëm të zbatohet. Natyrisht nuk mund të pritet mrekullia por duhet të pranojmë se qasja e tij është tërëissht europiane dhe pozitive. Vendosja e një takse të sheshtë 9% është një shpresë jo vetëm për bizneset por edhe për të punësuarit. Aplikimi i një klime pozitive karshi biznesit familjar është një hop cilësor për jetën e familjeve shqiptare.
Angazhimi i tij personal për të revolucionarizuar sistemin e shëndetësisë dhe mbi të gjitha për të cpërfunduar një herë e mirë ecejaket në Bruksel janë një shtysë për ta votuar. Referencat për arritjet e tij ekzistojnë, mbase të fryra nga propaganda por reale dhe të prekshme.
Jo vetëm kaq por Basha është një shpresë për socialistët që të shkëputen nga kriminalizimi i tejskajshëm që ka pësuar PS këto vite. Lidhja e pandashme mes krimit dhe PS është një fakt i hidhur që duhet të çojë në reflektim partinë e dytë në Shqipëri. Tanimë është e qartë për çdokënd edhe ato që janë senatorë në atë parti që kjo lidhje rrezikon të shkatërrojë gjithë trupin e partisë.
Përgjatë gjithë mandatit të tij si kryeministër Rama është kujdesur që gjithë buxhetin e shtetit ta kanalizojë në bilancet e pak kompanive. Sistemi ekonomik që ai ngriti prodhoi një ekonomi të pandershme që bazohet mbi favorizimet e qeverisë dhe jo mbi konkurencën e lirë. Sakaq, investimet e huaja direkte nisën të zhduken dhe u zëvendësuan nga PPP-të strategjike. Firmat përfituese të tyre ishin të lidhura me kompani offshore dhe partnerë aspak strategjikë.
Në terma të raporteve ndërkombëtare dhe marrëdhënieve me partnerët strategjik Rama ka përcjellë një sjellje aspak pozitive. Ai ka ngritur një mur bllokues me vëlleërit në Kosovë duke na ndarë me një tra në rrugën që duhet të na bashkonte. Me vendet fqinje si Greqia, ku ndodhet një pjesë e madhe e diasporës, Rama ka krijuar jo pak incidente. Ndërkohë që lidhjet okulte të PS me deputetë të bundestagut që sot hetohen për manipulim financiar janë shenjë domethënëse e degradimit të pushetit të tij. Sikundër kanë qenë sulmet e drejtë për drejta karshi BE-së apo dhe zotit Ëadephul.
Një fitore e PD-së do të qe në fakt një sinjal i mirë jo vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët por gjithashtu edhe për socialistët. Një parti që me gjithë hallet edhe të shkuarën e saj të palavdishme 50 vjeçare mund të rigjejë veten për të rindërtuar veten. Ndërkohë që pluralizimi dhe mbi të gjitha ai brenda PS është i rëndësishëm jo vetëm për jetën demokratike të vetë asaj partie por edhe të Shqipërisë.
Zgjedhjet e kësaj radhe janë jetike për ne. Shqiptarët do duhet t’i japin një shans një kryeministri normal. Akoma më shumë, ne duhet të ndahemi nga kjo qeverisje e paqëndrueshme dhe që ka çuar në mizerabilitet jetët tona.
Rama në 8 vjet ka qenë një kryeministër që ka shkatërruar dhe çrrënjosur atë pak demokraci të kultivuar këto vite. Ka shkatërruar çdo institucion kushtetues nën pretendimin e reformave, ka përbuzur dhe përbaltur çdo institucion shtetëror në kurrizin e lirisë sonë personale siç edhe turpi i patronazhistëve tregoi. Basha më së paku është e kundërta e tij. Zgjedhja e tij me gjasë nuk do të sjellë Edenin në tokë, por së paku ai do të jetë një kryeministër i ndryshimit. Një njeri që do të lutojë për të ndryshuar kursin jo-normal 8 vjeçar të një karateri destruktiv. Basha, është mundësia që ne duhet t’i japim të ardhmes; për një Shqipëri ndryshe.











