Greva e kontrollorëve në Rinas, PD: Për qeverinë , të gjithë janë fajtorë, përveç Ramës…

Partia Demokratike ka reaguar gjatë ditës së sotme pas grevës së kontrollorëve në Rinas dhe qëndrimeve të Ramës dhe qeverisë së tij.

“Ministrja që ishte 8 vite përgjegjëse për punëtorët, tani po na akuzon ne për një grevë”, tha në një deklaratë shtypi Alfred Rushaj duke shtuar se “kjo është fryma konstante e qeverisë Rama: Të gjithë janë fajtorë, përveç Ramës vetë dhe qeverisë së tij të dështuar”.

E plotë:

DEKLARATE E PARTISE DEMOKRATIKE, ALFRED RUSHAJ

Ministrja na shpjegoi se për grevën në aeroport duhen fajësuar punëtorët dhe opozita.

Ministrja që ishte 8 vite përgjegjëse për punëtorët, tani po na akuzon ne për një grevë.

Ky është një mashtrim elektoral i Ramës për qytetarët shqiptarë.

Kjo është fryma konstante e qeverisë Rama: të gjithë janë fajtorë, përveç Ramës vetë dhe qeverisë së tij të dështuar.

Kur paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në Europë – arsyeja është pandemia.

Kur ai nuk mban dot asnjë premtim – arsyeja është tërmeti.

Kur Shqipëria është në mesin e vendeve me vdekjet më të larta në Europë dhe spitalet po kolapsojnë – arsyeja është se qytetarët nuk janë mjaftueshëm të kujdesshëm dhe të mbrojtur.

Kur Shqipëria gjobitet me një shumë astronomike prej 110 milion euro – arsyeja është pronari i televizionit dhe vetë kanali televiziv.

Kur papunësia arrin kulmin e qindra mijëra të papunëve, Rama shpjegon se kjo vjen për shkakun tonë, vetë qytetarëve shqiptarë që nuk duan të punojnë.

Por qytetarët shqiptarë e dinë tashmë … është Rama dhe qeveria e tij e dështuar, vetëm ata janë përgjegjës për të gjitha dështimet. Vetëm ata janë përgjegjës për faktin që Shqipëria ka mbetur në vendnumëro për 8 vite.

Dështimi i Shqipërisë është dështim i Ramës.

Shqipëria duhet të ndryshojë, Shqipëria duhet të nisë të shpresojë sërish.

25 prilli i jep fund justifikimeve të dobëta të Ramës.

Shqipëria meriton një qeveri dhe një kryeministër që merr përgjegjësi për rezultatet dhe punon për Shqipërinë.