Ekonomia si fillim i çdo Reforme/ Nga Luçiano Boçi

Nga Luçiano BOÇI

Takimi i djeshëm me ekonomistë, financierë, përfaqësues të bankave dhe ekspertë të fiskut më mësoi tre gjëra:
1. E para, problemet tona ekonomike mbartin të gjithë ngërçin e sistemit:
a. ato kanë përmasën ligjore të dëmit të qëllimshëm që i është bërë ekonomisë për përfitim personal nga personat me pushtet;
b. ato mbartin difektet sistematike të strukturës së organizmit të ekonomisë dhe mungesën e parashikueshmërisë në vendim-marrjet qeverisëse – duke krijuar një kuadër fiskal që ndryshon sipas urgjencave për fonde;
c. ato pasqyrojnë në mënyrë besnike humbjen e perspektivës që reflektohet qoftë si tregues i besueshmërisë së një tregu ashtu edhe nivelin në rënie të konsumit;
2. Problemi I Elbasanit është se ka një trup sipërmarrjeje shumë të vogël dhe qëllimshëm të pazhvilluar – përballë një potenciali ekonomik të pamatë, që kërkon vëmendje, pjesmarrje dhe investime strategjike.
3. Efektet e ndërhyrjes në Ekonomi duhet të pararendin çdo reformë tjetër për të prodhuar një masë kritike ndryshimesh në jetën e njerëzve – në mënyrë që reformat e mëtejshme të legjitimohen.
Ka një million ide që mund të pasurojnë repertin e zgjidhjeve për ekonominë tonë të dobët. Investimi tek shkolla mbetet parësor dhe kusht për zhvillim të saj. Pjesa tjetër është një analizë e përditshme që mund dhe duhet të bëhet me pjesmarrjen e afërt dhe të angazhuar të ekspertëve të terrenit, bankierëve, specialistëve të fiskut.