Pas tre raundeve të rregullta të ditës sotme dhe dy seancave të dështuara të djeshme, për shkak të mosplotësimit të kuorumit me 80 vota, Vjosa Osmani, nga sot është presdidentja e re e Kosovës.
Osmani mori në raundin e tretë 71 vota (nga 82) , teksa minumimi për t’u zgjedhur presidente në raundin e tretë ishte 61 vota. Në garën për president ishte dhe kandidati Nasuf Bejta.
Ish-kryetarja e Kuvendit është kështu presidentja e dytë grua pas Atifete Jahjagës. Më parë president të Kosovës kanë qenë Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi, Behxhet Pacolli, Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi.
RAUNDET E VOTIMEVE TË SOTME
Raundi i parë
Në raundin e parë për President në Kosovë, morën pjesë 82 deputetë. Vjosa Osmani mori 69 vota, ndërsa kundërshtari i saj Nasuf Bejta nuk ka marrë asnjë votë. 12 fletë votimi kanë qenë të pa vlefshme.
Raundi i dytë
Në raundin e dytë për zgjedhjen për President në Kosovë, morën pjesë 82 deputetë. Për Vjosa Osmani 67 vota kanë qenë pro saj. Vetëm 4 vota kanë shkuar për Nasuf Bejta. 11 vota kanë qenë të pavlefshme.
Raundi i tretë
Në raundin e tretë për zgjedhjen për President në Kosovë, morën pjesë 82 deputetë. Për Vjosa Osmani 71 vota kanë qenë pro saj, të mjaftueshme për t’u zgjedhur presidente.
Profili i Presidentes së dytë të Kosovës, Vjosa Osmani
Kuvendi i Kosovës ka votuar Vjosa Osmani-Sadriun për Presidente të Kosovës.
Ajo ka lindur më 17 maj 1982 në Mitrovicë, Kosovë.
Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Mitrovicë, ndërkaq Fakultetin e Drejtësisë e ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Studimet Master dhe studimet e Doktoraturës i ka të mbaruara në Universitetin e Pittsburghut në Pensilvani, ShBA, njofton KlanKosova.tv.
Ajo është zgjedhur deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër mandate, kështu duke u bërë gruaja më e votuar në histori të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë si dhe politikania e dytë më e votuar në zgjedhje parlamentare.
Në mandatet e kaluara Osmani ka udhëhequr Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Integrime Europiane dhe ka qenë Nënkryetare e Komisionit për Reformë Kushtetuese.
Më 3 shkurt 2020, Vjosa Osmani u zgjodh Kryetarja e parë grua e Kuvendit të Republikës së Kosovës teksa me 5 nëntor 2020, ajo mori detyrën e u.d. si Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve 2006-2010, ajo ka shërbyer si Shefe e Stafit të Presidentit Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për çështje Ligjore dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Ajo ka përfaqësuar Presidentin në Komisionin për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ka qenë anëtare e ekipit përaqësues të Republikës së Kosovës në rastin para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Që nga viti 2006 ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa si profesor vizitor ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburghut në SHBA.
Për disa vite ka ligjëruar edhe në RIT – Kosovo (AUK), Kolegjin AAB – Riinvest si dhe ka mbajtur ligjerata tematike në universitete të tjera në Evropë e në ShBA.
Nga Universiteti i Pitsburgut është nderuar me çmimin “Sheth International Award”.
Është anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe anëtare në Komisionin Drejtues të Deputetëve të rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.
Vjosa Osmani është e martuar me Prindon Sejdiun dhe ka dy vajza binjake dhe jetojnë në Prishtinë.
Shefja e re e shtetit flet gjuhën angleze, turke, serbokroate dhe komunikon në spanjisht.











