Nga Red VARAKU
Ka një ndjeshmëri dhe interes të shtuar në rritje në lidhje me deklaratat e Ambasadores Amerikane Znj. Kim, sidomos pas përpjekjeve të saj për të ushtruar presion mbi qeverinë në lidhje me kandidimin e individëve me rekorde kriminale.
Kjo ndjeshmëri në fakt nuk lidhet dhe aq me fenomenin e përdorimit të të fortëve në politikë, sa lidhet me nevojën për të dekriptuar rolin dhe qëndrimin e ri të SHBA-ve në raport me Shqipërinë pas ndryshimit të pushtetit në SHBA.
Në këtë kuptim dekriptimi i deklaratave të Ambasadores ashtu dhe reagimi i kryeministrit shqiptar merr një rëndësi të veçantë sepse zbulon pikërisht të vërtetën e qëndrimit të ri të SHBA në lidhje me këtë kryeministër.
Në rastin konkret kemi një presion që ka ardhur duke u shtuar deri sa u përkthye nominalisht në emra konkretë. Të gjithë e dimë që një presion i tillë përveç se e diskretiton këtë kryeministër si hajdut zgjedhjesh , ai në vërtetë tenton të paralajmërojë dhe njëkohësisht trembë dhe paralizojë shtyllën kryesore të makinës elektorale socialiste, që janë ‘të fortët’ apo tregtarët e votës.
Pra, kësaj rradhe, ndryshe nga qëndrimi i dyshimtë i tyre përmes Mathew Palmer për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, SHBA-të po kërkojnë vendosmërisht që Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe njëkohësisht si aspirant për tu bërë anëtare e BE-së, por edhe si detyrim për qytetarët e saj, të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Të gjithë e dimë se thjesht kthimi i këtyre zgjedhjeve në kusht për integrimin nuk është vetëm një diskretitim publik për këtë qeveri, por është njëkohësisht dhe një mbështetje për opozitën, sepse të gjithë e dimë se kush i fiton zgjedhjet nëse ato mbahen të lira.
Kjo është e vërteta që vjen nga SHBA dhe kjo është pikërisht ajo që po tenton të zhurmojë propaganda e qeverisë. Të tjerat janë interpretime.
Ky qëndrim nuk do të mbetet thjesht në nivel ambasadorësh, por do të vijë duke u përforcuar dhe do kalojë në nivel zyrtarësh të lartë të administratës amerikane.
Ndërsa refuzimi i Ramës për t’iu nënshtruar këtyre kërkesave bëhet thjesht në nivel propagandistik, sepse të gjithë e dimë sa shanse ka për mbështetje në Shqipëri një kryeministër që futet në konflikt me Washington-in.
Në aspektin politik ky refuzim për tu tërhequr bëhet pikërisht për të kundërtën, për të mbajtur gjallë dhe me shpresë mbështetësit si dhe për të dekurajuar mbështetësit e opozitës. Sepse, dihet që një tërheqje e tij do pereceptohej si një sinjal për një dorëzim përfundimtar para zgjedhjeve dhe do të nxiste një humbje të thellë.
Motivimi dhe inkurajimi i mbështetësve të tij përmes formulës që ne do ta mbajmë pushtetin me çdo kusht pavarësisht kushteve të Perëndimit , është thjesht një taktikë politike.
Për këtë shkeli marrëveshjen e qershorit duke miratuar ndryshime të njëanshme kushtetuese dhe po për këtë po injoron çdo debat racional mbi zbatimin e ligjit dhe çdo këshillë perëndimore. Në fakt kjo është dhe arsyeja se pse e mban të ndezur dhe konfliktin publik kundër ambasadorëve aktualë të Perëndimit.
Është e qartë se e ka taktikë prodhimin e një konflikt me ta. Sepse, qëndrimi i tij ndaj tyre po perceptohet si një “lojë force” prej së cilës mbështetësit e verbër marrin zemër dhe kurajo.
Pra, sinjali i tij për mbështetësit e tij mbetet i qartë. Ai po i thotë atyre që ne do ta mbajmë pushtetin me çdo kusht, sepse ai e di që një tërheqje tani , do të ishte një sinjal i dorëzimit pa asnjë kusht dhe me këtë mllef që është akumuluar kundër PS, do të rrezikonte ta zhdukte fare atë nga harta politike pas zgjedhjeve. Në fakt ky është i vetmi përfitim i tij nga kjo.
Por nëse në aspektin politik ai mund të nxjerrë ndonjë përfitim të vogël në politikën e provinciale shqiptare , në aspektin diplomatik ai ka dështuar plotësisht për të fshehur qëndrimin e palëkundur perëndimor për largimin e tij. Bllokimi i negociatave dhe kushtëzimi i tyre me zgjedhjet e prillit përfaqësojnë njëkohësisht dhe një distancim zyrtar të Perēndimit nga ky kryeministër.
Në fakt mjafton vetëm kjo se pjesën tjetër shqiptarët tani e dinë vetë.











