Nga Edmond DEDGJONAJ
Të kesh të bësh me Prof. Edvin Priftin është fat brenda fatkeqsisë. Them kështu pasi problemet shëndetësore në fushën që ai mbulon, pra në atë të kardiokirurgjisë janë një barrë e rëndë në radhë të parë në aspektin e shëndetit për atë që përballet me probleme të tilla por edhe psikologjike e ekonomike për familjen e të sëmurit.
Nga ana tjetër, fati brenda kësaj fatkeqsie është se kemi në Shqipëri profesionistë të mirëpërgatitur për të bërë ndërhyrje kirurgjikale në fushën e kardiologjisë që shpëtojnë çdo ditë jetë njerëzish. Personalisht, për jetën e tim eti i detyrohem në radhë të parë Zotit të gjithëpushtetshëm e Dr.Priftit.
Ndaj sigurisht që ndjej keqardhje kur dëgjoj se gjykata ka dhënë masë arresti me “burg pa afat” për një personalitet të tillë të mjeksisë shqiptare. Sigurisht që të gjithë e dimë nga përvojat tona personale se në spitalet tona kërkohen, merren e jepen para nën dorë dhe thënë këtë, nuk po zbulojmë asgjë të re. Kjo është një njollë e madhe e zezë mbi bluzat e bardha të mjeksisë shqiptare që të gjithë e shohim por ndaj të cilës pak marrim guximin të reagojmë. Në rastin e profesionistëve të ekselencës si Dr. Prifti çështja bëhet më e ndërlikuar.
Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një burokrat të rëndom që merr ryshfet. Në këtë rast kemi të bëjmë me një profesor të kardiokirurgjisë që i ka kushtuar shumë vite sakrifica e përpjekje formimit të tij profesional e që çdo ditë përballet me vdekjen në një luftë që zhvillohet në një terren limit mes jetës dhe vdekjes.
Dr. Prifti padyshim i përket një elite profesionistësh që Shqipëria i ka mjaft të paktë në numër. Në këtë pikë diskutimi etik bëhet kompleks. Nga njëra anë, kërkimi i parave nën dorë për një shërbim publik që teorikisht duhet të ishte falas, duke shfrytëzuar trazirën shpirtërore të njerëzve që gjenden në situata të tilla ku janë të gatshëm të japin gjithçka kanë për të shpëtuar jetën e familjarëve te tyre, padyshim është një veprim përveçse kundër çdo norme etike, edhe mizor.
Nga ana tjetër, është e qartë që kjo klasë profesionistësh elitarë që vendi ynë i ka me pikatore, nuk trajtohet nga shteti në proporcion të drejtë me kontributin që japin. Në dijeninë time, Shqipëria nuk ka më shumë sesa një apo dy mjekë të tjerë të aftë për të kryer ndërhyrje në fushën e kardiokirurgjisë. Prandaj çdo orë mungesë e Dr. Priftit në pavionin e kardiokirurgjisë është ujë i shkuar dëm në shkretëtirë.
Qeveria nuk mund ti trajtojë këto resurse të rralla që kemi njëlloj si gjithë të tjerët. Ata meritojnë një trajtim të veçantë duke qënë se kontributi i tyre për shoqërinë është i një vlere të veçantë. Qeveria duhet të hartojë një listë të këtyre personave bazuar në kritere që lidhen me ekselencën dhe kontributin e tyre të veçantë në shoqëri e të caktojë për ta një trajtim dinjitoz. Për fatin tonë të keq, janë aq të paktë këta njerëz saqë nuk do ishte nje barrë e rëndë për buxhetin e shtetit edhe sikur t’ua bënte pagën në të njëjtin nivel me atë të kolegëve të tyre jashtë vendit.
Jam i bindur se po të bëhen një referendum për këtë gjë, shumica e qytetarëve do ishin dakord. Sigurisht që me këtë nuk kam aspak qëllim që të justifikoj veprimin joetik, mizor e kriminal të kërkimit të parave nën dorë nga bluzat e bardha, por në atë pikë të pakten do ishim të qetë se ne si shoqëri e kemi bërë detyrën kundrejt këtyre personave dhe do ishim plotësisht legjitimë në denoncimin e dënimin e veprimeve të tyre që devijojnë nga normat e sjelljes profesionale.
“Deri atëherë kursejini qelitë e burgut për hajdutët me çizme që kanë zaptuar pushtetin e po shqyejnë me babzinë e tyre çdo grimcë të Shqipërisë, pa bërë asnjë minutë ndonjë punë të hajrit për vendin. Ka shumë të tillë në radhë se të shkojë puna tek Dr. Prifti.”











