Një numër vendesh europiane, kanë vendosur të ndalojnë fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar.
Shkak për këtë vendim është bërë shfaqja e një varianti të ri të koronavirusit, i cili përhapet 70% më shpejt se sa varianti fillestar i virusit.
Deri tani, Hollanda, Belgjika, Italia dhe Franca kanë ndaluar udhëtimet me Mbretërinë e Bashkuar, për të frenuar përhapjen e këtij varianti.
Ky variant i ri, është përhapur me shpejtësi në Londër dhe në juglindje të Anglisë, zona të cilat janë vendosur në nivelin e katërt të ndalimeve, pra ku ka një izolim thuajse total dhe njerëzit janë inkurajuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të punojnë nga shtëpia, kur një gjë e tillë është e mundur.
Kryeministri Boris Johnson, lajmëroi të shtunën, se do të anullohen planet për të relaksuar rregullat gjatë krishtlindjeve.
Ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, e konsideroi situatën me variantin e ri të virusit, si “jashtë kontrollit”.
Çfarë dimë për variantin e ri të koronavirusit?
Vetë kryeministri Johnson shpjegoi në konferencë për shtyp, se varianti i ri i virusit, është rreth 70% më i transmetueshëm. Megjithatë, shkencëtarët ende nuk kanë prova që ky virus të jetë më vdekjeprurës, apo që të krijojë rezistencë ndaj vaksinave.
Testime të shumta po zhvillohen për të kuptuar më shumë rreth këtij varianti dhe impaktin e tij të mundshëm, tek vaksinat e sapo aprovuara në mbarë globin.
Analizat përfshijnë rritjen në laborator të variantit të ri, studimin e antitrupave që prodhon dhe testimet e vaksinave kundër Covid-19, ndaj këtij varianti. Autoritetet shëndetësore, janë duke krijuar harta që tregojnë përhapjen e virusit në Mbretërinë e Bashkuar, gjë që do të kërkojë të paktën dy javë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka sqaruar se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët në MB, lidhur me këto zhvillime. OBSH i tha BBC-së, se i njëjti mutacion që është shfaqur në Angli, është identifikuar edhe në Hollandë, Danimarkë dhe Australi.
Deri në këto momente, nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se varianti i ri ka rrezikshmëri më të lartë.
“Nëse varianti i ri do të kishte një impakt të madh në rrezikshmërinë e sëmundjes, do ta kishim parë një gjë të tillë deri tani. Rastet e shtrimit në spitale në raport me rastet e infektimeve ose do të ishin shtuar shumë ose do të ishin zvogëluar në mënyrë dramatike, por ato janë pak a shumë njëlloj“, u shpreh zëvendës drejtori i Laboratorit Europian të Biologjisë Molekulare.











