Nga Irena PROGNI
Ne shpesh krijojmë gra “role model”, që edhe ato vetë nuk do të donin të ishin në këto pozicione, por ne si shoqëri i “detyrojmë”, jo për ndonjë arsye apo kontribut të veçuar, të “veshin” këto role.
E më pas, pasi i kemi krijuar këto gra “role model”, po ne, si shoqëri, i masakrojmë dhe i zhveshim nga çdo vlerë, që ato në të vërtetë mbartin.
Ne nuk kemi reshtur së krijuari pafund “zonja të hekurta” dhe arsyet e këtyre titujve asnjëherë nuk kanë qenë të arsyeshme, të plota, bindëse, konkrete dhe, që mbartin peshë!
Ndaj, me të njëjtën arsye, pra pa arsye, që i krijojmë, iu kundërvihemi e i zhbëjmë, siç deri më tash.
Margaret Thatcher ishte kryeministrja britanike, gruaja e parë, më jetëgjatë në shekullin e 20-të, që mbajti këtë detyrë. Një gazetar sovjetik e quajti atë “Zonja e Hekurt”, një pseudonim, që u lidh me politikën dhe stilin e udhëheqjes së saj të pakompromistë.
Por, Margaret Thatcher ishte, dhe mbetet, ikonë e asaj se, për çfarë duhet të jetë dhe të funksionojë politika – kurajo, shpirt dhe vendosmëri për t’i ndryshuar gjërat, vetëm për mirë!
Gratë shqiptare janë të forta, të mençura, të zonjat, mendjehapura, profesioniste, të suksesshme, nëna dhe bashkëshorte të pashoqe, jetojnë, punojnë e zhvillohen në kushte të vështira, të pabarabarta, dhe ato meritojnë “role models” përfaqësuese e dinjitoze, që i rezistojnë kohës, që rrezatojnë dijen, dashurinë, dhembshurinë, forcën e ndryshimit, karakterin, integritetin në mënyrë, që të mos zhbëhen lehtë!











