Nga Albina DEDA
Rilindja dhunon e masakron femijet por lexoni cfare propagandonte ne Mars 2016 ..!!!“Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me mbështetjen e partnerëve, fillon në mars 2016 një plan mobilizimi për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e dhunës.
Për muaj me rradhë ne kemi punuar me partnerët tanë lokalë dhe ndërkombëtarë për të hartuar disa politika që përmirësojnë situatën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Këto politika do të sjellin ndryshime në ligjin “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” dhe miratimin e Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2016-2020.
Kur flitet për të drejtat e fëmijëve nuk mund të mos mendojmë fëmijë të gëzuar, të cilët kanë mundësi të arsimohen, marrin kujdesin e duhur shëndetësor, kalojnë kohë duke u argëtuar, janë pjesë e një familje e komuniteti që i vlerëson, i mbron dhe kujdeset për ta, dhe jetojnë në një shtet që i ka në vëmendje fëmijët në nevojë dhe rrezik.
Është bindja dhe detyra jonë se sigurimi i një mjedisi të lirë nga dhuna për fëmijët është përparësia kryesore e çdo shoqërie që kërkon zhvillim dhe mirëqenie.Qëllimisht e kemi quajtur këtë levizje një Plan Mobilizimi, dhe jo një fushatë. Sepse ne duam që të gjithë ata që do të marrin pjesë të angazhohen seriozisht dhe të bëjnë pjesën e tyre në këtë betejë të vështirë, por jo të pamundur.
#UnëMbrojFëmijët nuk është thjeshtë një slogan, por një zotim, të cilin çdo kush duhet ta marrë përpara shoqërisë dhe fëmijëve.
Mobilizimi do të nisë nga institucionet publike, profesionistët që janë në kontakt me fëmijët, të cilët duhet të ndërmarrin masa konkrete në mbrojtje të fëmijëve dhe realizimin e të drejtave të tyre. Si qeveri, ne kemi marrë zotimin për të patur shkolla dhe institucione të përkujdesjes sociale pa dhunë, neglizhencë dhe abuzim. Shteti ka detyrë të vendosë standarde dhe kontroll për zbatimin e ligjit.
Së bashku me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Brendshme ne po punojmë që të krijojmë mjedise ku fëmijët të rriten të mbrojtur nga çdo formë e dhunës.
Po përgatism programe aftësimi profesional për të gjithë profesionistët e fushës, si psikologët apo punonjësit socialë që punojnë ngushtë me fëmijët, që të jenë të aftë të ndihmojnë në fuqizimin e familjeve, por njëkohësisht të përgjigjen dhe të mbrojnë fëmijët në rastet e abuzimit.
Nga ana tjetër, ne kemi nevojë që e gjithë shoqëria: biznesi, media, shkolla, familja, komuniteti, të krijojë një mjedis mbështetës për fëmijët, një mjedis që nuk e pranon dhunën, që e refuzon atë, por edhe e raporton dhe bën detyrën e vet ndaj së ardhmes së vendit.
Ne duam që gjithkush që vendos sot t’i bashkohet motos #UnëMbrojFëmijët, të zotohet para publikut që po bën punën e tij për mbrojtjen e fëmijëve. Ky slogan do të jetë një kujtesë dhe thirrje për reflektim çdo ditë për situatën e fëmijëve dhe të drejtën e tyre për tu rritur të lirë nga dhuna, neglizhenca dhe shfrytëzimi.
Në mënyrë të veçantë u bëj thirrje prindërve të na bashkohen në këtë lëvizje dhe të bëhen pjesë e planit të mobilizimit i cili lufton dhunën si mjet edukimi.Vetëm duke krijuar bashkarisht një front të unifikuar mbrojtjeje për fëmijët, ne do ta fitojmë betejën dhe përmbushim zotimin tonë për mbrojtjen e fëmijëve.E veçanta tjetër e fushatës është pjesëmarrja e fëmijëve në këtë plan mobilizimi.
Ata janë protoganistë me idetë, talentin dhe të drejtën për të qenë kontribues dhe jo vetëm fasadë. Shkollat dhe qendrat komunitare do të jenë vatra kryesore të këtij plani ku fëmijët do të diskutojnë bashkë me institucionet rreth shqetësimeve të tyre dhe si të mbrohen prej tyre.
Kjo është arsyeja pse ne ftojmë secilin/ën nga ju që merrni në dorë këtë broshurë me mesazhet dhe kalendarin e aktiviteteve, të reflektojë mbi rolin e vet në këtë plan mobilizimi..!!