Nga Andi VARROSI
Jemi futur tashmë në javën e 8-të nga momenti që u raportua rasti i parë zyrtar Covid 19 në Shqipëri, e duket që nga ai moment asgjë nuk ka lëvizur në vendin tonë. Ndërkohë që në të gjithe botën raportohet për ulje të numrit të të prekurve dhe të viktimave, në Shqipëri nuk ka koma një tendecë të qartë të kurbës së të prekurve. Numrat ulen dhe rriten pa një rregull të caktur, kjo si pasojë e numrit të ulët të testeve dhe te masave gjysmake të marra që nga fillimi. E ndërkohë që Europa dhe mbarë bota duket se po lë pas krahëve situatën shëndetësore dhe po i përkushtohet krizës së thellë ekonomike, ne vazhdojmë akoma të mbajmë nën arrest ekonominë kombëtare, duke e thelluar kësisoj gropën e pashmangshme ekonomike. Vlerësimet paraprake të ekspertëve të FMN flasin për një tkurrje prej 1 miliard euro ose rreth 8% e GDP-Së. Kjo shifër do I shtohet gropës prej 1 miliard euro te shkaktuar nga tërmeti I 26 Nëntorit. Por çfarë masash ka marrë deri tani qeveria për të minimizuar efektete e kësaj krize? Deri tani janë lançuar dy paketa ekonomike dhe pikërisht këto dy paketa do të analizojmë me detaje me poshtë. Sa u premtua, sa u realizua dhe sa i përmbushin këto shifra nevojat më minimale të një familje mesatare shqiptare.
PAKETA 1
Në lidhje me paketën e parë të lançuar nga qeveria, paketën “Rama 1”, shifra që u përmend nga Z. Ahmetaj, ministër i Luftës, i Rindertimit dhe ministri ”de facto” i Ekonomisë e Financave, ishte 120 milion euro. Le të shohim sa e vertetë është kjo shifër. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga paketa e parë ekonomike kanë përfituar 52,350 individë. Po sipas burimi për këtë paketë aplikuan rreth 60 mijë NIPT-e dhe u pranuan kërkesat e vetëm gjysmës së tyre. Pa u futur në detajet e pranimit të aplikimeve që janë një maskaradë më vete, ku bizneset janë refuzuar pa asnjë arsye, le të hidhemi në analizën e shifrave të paguara nga shteti. 52,350 individë*26,000 lek/muaj*3 muaj= 4.1 miliard lek ose e thënë ndryshe rreth 33 milion euro, sipas një kursi 1 EURO = 125 LEK. Në daljen e datës 13 Prill, kur po përgatitej për të lançuar paketën “Rama 2”, vetë kryeministri i vendit deklaroi se nga paketa e parë janë pranuar 71 mijë individë. Një devijim “i vogel” prej 19 mijë persona. Një tjetër problem që paketa e parë mbart është edhe mungesa e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në 3 muajt në vijim personat që do të paguhen nga paketa e parë nuk do kenë mundësinë e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, pra me pak fjale kjo do të jetë një lloj e ardhure e munguar për individët pasi fondi i tyre në FDSKSH do të jetë i reduktuar. Në fakt 26,000 lek është e hyra nominale në llogaritë e individëve, pasi e hyra reale nëse do kemi parasysh sigurimet shoqërore prej 27.9%, do të jetë vetëm 18,746 lek. Gjithsesi për të qenë bujar me qeverinë llogaritjen e bëmë me hyrjen nominale. Nëse këtyre transfertave ju shtojmë edhe transfertat në drejtim të familjeve në nevojë dhe rritjen e asistencave sociale, arrijmë në një shifër totale prej 6.5 miliard lek ose 52 milion euro.
PAKETA 2
Për paketën e dytë ministri Ahmetaj, i cili kishte ardhur me valixhe në emision, por kishte harruar të merrte makinën llogaritëse, u shpreh se përbëhet nga 70 milion euro. Le ta shohim sesa e vërtetë është edhe kjo shifër. Nga paketa e dytë pretendohet të përfitojne 176 mijë individë, të përbërë nga 100 mijë individë që kanë humbur punën në biznese që kanë patur aktivitet, 66 mijë individë nga biznese të mbyllura dhe 10 mijë punonjës të sektorit të turizmit. Secili nga këto individë do të përfitojë një transfertë të vetme prej 40,000 lek, e cila do të mbulojë 2 muaj, pra vetëm 20,000 lek në muaj për çdo individ. Në total kemi 176,000 individë*40,000 lek= 7 miliard lekë ose 56 milion euro. Sipas regjistrave të DPT-së deri më datën 27 prill të dhënat për këtë paketë janë si në vijim: 81,266 aplikime, 69,271 të pranuar dhe 48,943 të paguar. Kjo paketë vijon dhe është në ekzekutim e sipër.
Pra në total nga dy paketat e para janë transferuar e priten të transferohen në llogaritë e individëve, që kanë humbur punën për shkak të masave të marra në kuadër të parandalimit të Covid 19, 108 milion euro ose 13.5 miliard lek. Përkthyer kjo në përqindje ndaj GDP-së, të cilën ministri i Luftes dhe KM nuk e dinë sesa është e se nga çfarë përbëhet, ndihma është vetëm 0.77% e GDP-së. Një vlerë shumë e ulët krahasuar me vendet e tjera të Europës dhe të Rajonit.
MINISTRI ME VALIXHE
Le t’i hedhim një vështrim shifrave pompoze që deklaroi ministri i Luftës një javë më parë në emisionin Opinion. I pajisur me një valixhe gjigande, që i ngjante portofolit që do t’i nevojitej për të futur paratë e vjedhura nga shqiptarët, por pa asnjë njohuri minimale rreth shifrave, “Tigri i Financave” deklaroi se qeveria ka lançuar në total një ndihmë 650 milion euro. Ok…marrim pak frymë. Sipas Z. Ahmetaj paketa totale është si vijon:
- Paketa e parë 120 milion euro. Siç e shikuam ishte vetëm 52 milion;
- Paketa e dytë 70 milion euro. Në fakt është vetëm 56 milion euro nëse do të ekzekutohet plotësisht;
- Kamatvonesat e falura nga OSHEE 150 milion euro. Kjo shifër të bën të mendosh shumë. Mesatarisht i bie që një shqiptar ka 50 euro kamatë tek OSHEE, pra një familje ka afërsisht 200 euro kamatë. Ok, nëse kjo do ishte e vërtetë çdo abonenti do i ishte prerë energjia elektrike, e jo më t’i falej kamata. Mos harrojmë që janë burgosur njerëz per 30 mijë lek të vjetra energji të papaguar. Nëse kjo shifër nuk është gënjeshtër, atëherë janë kamatat milionëshe që do t’i falen oligarkëve të afërt me qeverinë që kanë me vite që nuk paguajnë energji e asgjë tjetër.
- Garancia sovrane për kreditë që do ti akordohen bizneseve. Pa u futur në detajet e problematikave që do të kenë në implementim këto lloj kredish, mjafton të sqarojmë se kjo është thjesht garanci, pra jo para të nxjerra nga buxheti. Bizneset do të marrin kredi dhe do të shlyejnë këstet. Qeveria është thjesht garante, nëse kredia nuk shlyhet në kohë.
Deri këtu jemi në një shifër totale 440 milion euro. Po 210 milion euro të tjera nga i gjeti ministri i Financave (de facto). Kur e pyetën në studio për këtë, Ahmetaj kruajti kokën dhe aty për aty lëshoi një “argument” tepër të kopsitur: “Keto janë paketat e dyta”, pa dhënë asnjë sqarim tjetër. Po sapo thamë që paketat e dyta ishin 70 milion euro?!
SHPENZIMET MUJORE TE 1 FAMILJE
Le të shikojmë tani sesa i përmbushin nevojat e një familje paketat ekonomike. Për të bërë një tjetër “favor” në krah të qeverisë llogaritjet do ti bëjmë me pagesën 26,000 lek, sepse paketa e dytë prej 40,000 lek në dy muaj është jashtë çdo standardi mbijetese. Gjithashtu për qartësi theksoj që një indvid nuk mund të përfitojë nga dy paketat, pavarësisht se propagandohet ndryshe. Do të supozojmë se të dy kryefamiljarët e kanë përfituar pagën e luftës, dhe pse kjo vështirë të ketë ndodhur, sepse bizneset familjare zakonisht deklarojnë vetëm njërin prej bashkëshortëve në tatime.
Një familje me 4 persona, do të marrë nga paketa e ndihmës 26,000*2= 52,000 lek në muaj. Një familje mestare me 4 pjesetarë shpenzon në një muaj mesatarisht si më poshtë:
- Fatura e OSHEE 6,000 lek;
- Fatura e UKT 2,000 lek;
- Uje i blerë 3,000 lek;
- Qira/këst kredie 30,000 lek (në varësi nëse jeton me qira apo në shtëpi të blerë me kredi. Shumë pak familje jetojnë në banesa të blera pa kredi);
- Gas 1,000 lek;
- Celular 1,500 lek;
- TV/net 1,500 lek;
Deri këtu jemi 45,000 lek në muaj vetëm për fatura utilitare dhe pagesa fikse mujore. Pra në llogarinë e çdo familje mbeten vetëm 7,000 lek për veshëmbathje dhe ushqime. Por në bazë të çmimeve në treg me 7,000 lek mund të blejmë vetëm 1 kg portokalle dhe 0.5 kg limona në ditë, përgjatë gjithë muajit. Pra, nuk mbetet asnjë e ardhur as për bukë thatë e jo më për produktet e shportës. Mos flasim për produktet e higjienës aq të nevojshme për këtë periudhë, se llogaria shkon shumë larg.
CFARE DUHEJ BERE?
Siç vërtetuam në bazë të llogaritjeve, vlera maksimale e dalë nga qeveria në ndihmë të qytetarëve është 108 milionë euro, e pashlyer e gjitha. Duke marrë parasysh se 100 milion euro është ndihma nga FMN, praktikisht nga buxheti i shtetit nuk ka dalë asgjë, shumë më ndryshe nga deklarata pompoze prej 650 milion euro e ministrit Ahmetaj.
Mesatarisht nëse 108 milion euro i shpërndajmë në 1.6 milion individë të punësuar në shqipëri, arrijmë në një vlerë prej 67.5 euro për cdo person të punësuar. Pra, e thënë ndryshe ndihma nuk është asnjë qindarkë më e lartë sesa vlera që mesatarisht një i punësuar paguan si tatim mbi të ardhurat personale, një tatim ky i pakthyeshëm.
Por sa do duhej të ishte ndihma ekonomike që ne ti përafroheshim standardeve bazë të jetesës dhe të arrinim në nje nivel relativ me vendet e tjera? Sipas të dhënave të qeverisë do duhej të përfitonin në total rreth 230 mijë individë. Nëse secili individ do merrte një transfertë prej 40,000 lek në muaj, për 3 muajt në vijim do kishim një transfertë totale prej 220.8 milion euro ose e thënë ndryshe rreth 1.58 % e GDP-së kombëtare. Kjo është një vlerë relative e perafërt me shumë vende të tjera dhe kjo duhej të ishte bërë.
Ajo që është bërë deri tani nga qeveria është thjesht një përhapje frike e terrori, një propagandë dhe një fushatë e dobët politike, por në asnjë moment nuk është menduar për shendetin e shqiptarëve apo të ekonomisë. Ekonomia vazhdon të vuajë arrestin kombëtar dhe ne vazhdojmë të djegim jorganin për një plesht.
Paketa e ofruar deri tani nuk është as pagë lufte dhe as ndihmë, por është një kafshatë e turpshme mjerimi. E ndërsa i bindemi fantazisë sadiste me mijëra të vdekur nga “i pari i fshatit”, do vazhdojmë ta kapërdijmë kafshatën e mjerimit. Ndërkohë, nëse qeveria nuk e trajton me seriozitet situatën ekonomike, e vetmja gjë që do marrë me vete do jetë vula e turpit në ballë.
Andi VARROSI