Troket pranvera në derë
Hapeni, jam unë si përherë
Kam sjellë lule, gjelbërim, shpresë
Hapeni, hapeni, jam këtu, po ju pres!
Ju brenda, unë jashtë
Ç’është kjo kohë e mbrapshtë
Unë kam ardhur si përherë
Po ju, përse nuk e kaloni atë derë!?
Nuk ua solla unë ngujimin
Eee.. ju, Ju po më kallni trishtimin
Më keni lënë të vetme dhe t’pa vlerë
Çfarë keni, po çfarë keni o dashnorë t’mjerë!?
Dilni njëherë, dilni deri në derë
Më shikoni mua, e gjallë, e freskët si përherë!?
Jam dashuri, gëzim, shpresë, jam pranverë
U gozhduam si asnjëherë, ju brenda unë n’derë
Vij rrotull jush, prej shumë kohe
Jam e vetmuar n’livadhe, male, pemë e kopshte
Bletët thonë, se askund këmbë njeriu s’kemi parë
Mos jeni zemëruar me mua, e s’do dilni këtë behar!?
Do trokas, do trokas mëngjeseve në çdo derë
Ngado iu kam rrethuar me lule, me pranverë
Vetëm dilni, mos rrini brenda, m’shikoni njëherë
Harlisemi, bëjmë dashuri nga mëngjesi n’darkë, si përherë!
E kam përzënë, atë dimrin e acartë
Po dilni, dilni o të ngujuar, o dashnor t’ngratë
Më keni lënë si perri t’gozhduar, duke prit jashtë
Hajdeni, strukuni n’gjirin tim, dilni t’bëjmë dashuri prapë!?
© Autor, Skender Doçi
Tiranë, e Mërkurë, 8 Mars 2020











