Dogana e Hanit te Hotit, ka rrëzuar deklaratat e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila pretendonte se 28-vjeçari i prekur me koronavirus, ka hyrë në vendin tonë nga kjo pikë e kalimit kufitar.
Sipas burimeve zyrtare nga ana e Doganës së Hanit të Hotit, 28 vjeçari i prekur me inicialet P.K ka hyrë në vendin tonë nga pika e kalimit kufitar të Murriqanit.
“Pas kontrollit të bërë në sistemin TIMS nga data 20 shkurt dhe deri më sot, as P.K dhe as V. K nuk rezultojnë të kenë kaluar në Han të Hotit. Ndërkohë djali është regjistruar në TIMS në Muriqan me datën 26 Shkurt. Babai i tij, shtetasi V.K nuk ka asnjë hyrje apo dalje nga Shqiperia përmes pikave të kalimit kufitar me Malin e Zi”, bëjnë me dije burimet zyrtare.
Ministria njoftonte fillimisht dje se të dy personat kishin hyrë nga pika e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, ndërsa në një njoftim të dytë sqaronte se prej ande kishte hyrë vetëm 28-vjeçari.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë u vendos mbyllja e shkollave për dy javë, si dhe e të gjitha aktiviteteve publike, si dhe ndërprerja e të gjitha fluturimeve në drejtim të vendeve të zonës së kuqe.
Kryeministri Rama apeloi për vetëpërmbajtje, dhe tha se paniku është një nga armiqtë kryesor në betejën me COVID 19.
“Këshilla themelore e OBSH-së dhe baza e të gjitha praktikave të ndjekura nga shtetet e tjera është: ruajtja e qetësisë, marrja e masave hap pas hapi dhe referimi sa më strikt në protokollin zyrtar të organizatës botërore të shëndetësisë, si edhe në burimet zyrtare të informimit shëndetësor
Sistemi ynë shëndetësor dhe të gjitha strukturat e përfshiira në planin e masave janë në gatishmëri për të përballur situatën hap pas hapi”, u shpreh Rama, ndërkohë që dha detaje dhe lidhur me dy rastet me koronavirus.
Sipas kreut të qeverisë ka qenë djali që kishte mbërritur nga Firence ai që kishte infektuar të atin e tij në Shqipëri.
“Receta më e gabuar që mund të merret në këtë rast, është ajo e të vepruarit në panik. Në të gjitha ato vende që ka prevaluar qetësia dhe vetëpërmbajtja ka pasur një menaxhim më të mirë të situatës. OBSH kundërshton me forcë mbylljen e kufijve, e them këtë se kjo është një nga akuzat e burimeve jo kompetente, që duheshin mbyllur kufijtë.
Mbyllja e kufijve është një masë shumë drastike e përdorur pothuajse fare, dhe lidhet me raste shumë specifike, që Shqipëria sot nuk e ka. Sot me konfirmimin e rastit të parë, futemi në një skenar të ri, plani i masave kalon në tre drejtimi, së pari është kufizimi, shtyrja në kohë e përhapjes së virusit, dhe vlerësimi i pasojave që sjell infektimi me COVID-19.
Për të gjitha masat e marra jemi në konsultim me OBSH-në, dhe si në çdo situatë ku shteti përballet me një gjendje jo të zakonshme, thelbësore është vetëpërmbajtja”, u shpreh Rama.
Rama tha se janë marrë dhe masat financiare për të mbështetur ekipin mjekësor në këtë fazë të re të përballjes me koronavirusin.
“Ne kemi vendosur një fond financiar për këtë situatë, për plotësimin e disa nevojave të kësaj faze për mbështetjen e sistemit tonë shëndetësor. Kemi gjetur edhe mirëkuptimin maksimal të personelit mjekësor, dhe ajo që është vertetë për t’u nënvizuar është se e gjithë struktura e personelit shëndetësor, është e mirëorganizuar dhe mirëinformuar”, tha më tej Rama.
“Nga sot pezullohen fluturimet direkte në drejtim të Italisë deri në datën 3 Prill, mbuyllja e shkollave për një periudhë dy javore”, tha Rama.
Lidhur me ambientet e karantinimit, Rama tha se ato kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme, për të përballuar situatën. Kreu i qeverisë shtoi një apel për familjarët e pacientëve në QSUT që të shmangin vizitat në spitale.
“Dhomat e izolimit në QSUT janë funksionale, dhe po punohet për të pasur gjithë stokun e nevojshëm të materialeve. Do ju lutesha shumë atyre që kanë të afërm në QSUT që të shmangin vizitat, dhe të lehtësojnë punën tonë të përbashkët”, tha Rama.
Rama apeloi të gjithë qytetarët që në rast se kanë pasur kontakte me zonat e prekura, të jenë të ndërgjegjshëm dhe të vetëkarantinohen, si dhe të telefonojnë në numrin e urgjencës kombëtare për të kërkuar ndihmën dhe këshillat e duhura.
Kryeministri shtoi më tej se duhet një angazhim ku secili të bëjë detyrën e vetë, me qeverinë që padyshim ka peshën më kryesore të udhëheqjes së procesit.











