Një aktivitet i Universitetit të Mjekësisë ku merrte pjesë edhe kryeministri Edi Rama nuk ka shkuar edhe aq vaj për kreun e qeverisë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është përballur me një situatë të pakëndshme pasi është ndërprere nga njëri prej studentëve që ishte në sallë. Fjalët e tij nuk i kanë pëlqyer shefit të mazhorancës që edhe pse u mundua të ruante qetësinë, urdhëroi me delikatesë që i riu të shoqërohej jashtë.
Dhe fjala e “të madhit” nuk bëhet dy, truprojat e kryeministrit e kanë kapur “për zhelesh” studentin për ta nxjerrë jashtë. Në një video që ja siguruar lapsi.al dëgjohet pak nga ajo që thotë i riu, por kuptohet se ai është i pakënaqur nga ajo që ofron sot arsimi i lartë në vend i cili favorizon të pasurit. Fjalët e të riut janë shoqëruar me duartrokitje nga salla.
“A e dini që ata që arsimohen sot janë vetëm të pasurit. Diplomën e duan si bileta për arratisje….”, u dëgjua një zë nga salla, ndërsa apeli i tij u shoqërua me thirrjet në kor “Rama ik” dhe duartrokitje, që e nervozuan dhe sikletosën jo pak kryeministrin.
“Nuk e di a e dëgjuat ndërhyrjen, por ndërkohë që djalin duhet ta shoqëroni për të marrë shërbimin e shpejtë mjekësor unë mund t’i përgjigjem edhe asaj pyetjeje. Kjo është e pavërtetë” – tha Rama duke shtuar: “Është një individ në shërbimin tuaj që të filloni të ushtroni profesionin. Merreni, jepini recetën e duhur. Në kohën e kaq shumë barnave të rimbursueshme i merr falas dhe nesër do të jetë më mirë”, – tha ai pasi dëgjoi studentin.
Studenti nuk pati mundësi të thoshte ato që donte pasi truprojat e Ramës e shoqëruan menjëherë jashtë sallës. Ramës iu rikthyen menjëherë në mendje imazhet e përballjeve me studentët në dhjetorin e 2018-ës .