Pretendenti për udhëheqjen e ekzekutivit të vendit, Albin Kurti thotë se partia e Isa Mustafës e përcakton se kur do të formohet qeveria e re, e jo presidenti i Kosovës. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se do të ndodhë takimi konsultativ me Hashim Thaçin, mirëpo siç tha ai ky i fundit nuk mund t’ia caktojë datën për formimin e qeverisë.
Këto deklarata ai i dha gjatë mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë që ai udhëheq, derisa ka theksuar se presidenti Hashim Thaçi mund të përcaktojë datën e konstituimit të Kuvendit.
“Presidenti i Republikës përcakton datën e konstituimit të Kuvendit, jo të formimit të Qeverisë. Formimin e Qeverisë e përcakton tjetër kush, jo Presidenti i Republikës. Mua datën për formimin e qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike Kosovës, jo Presidenti i Kosovës, pra mos të keqkuptohen të gjëra. Natyrisht që do të ndodhë takimi konsultativ. Mirëpo ta vonosh maksimalisht 30 ditë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e të mi dërgosh dy ftesa në ditë është kërcim prej një ekstremi në ekstremin tjetër, secila më gabim se tjetra”, tha Kurti, raporton KP.