Nga Sheradin Berisha
Marrëveshjet dhe vendimet politike të fuqive të mëdha, nga Konferenca e Londrës (17 dhjetor 1912 – 29 korrik1913) e tutje, gjatë sundimit të princit gjerman Vid në Shqipëri (7 mars – 3 shtator 1914), në shumë aspekte janë të ngjashme me marrëveshjet, vendimet dhe zhvillimet e përgjithshme politike të fundshekullit XX (1998-1999), në Kosovë.
Në vazhdim sjellë 13 ngjarje historike të viteve 1912 – 1914 të cilat në kontekstin e marrëveshjeve dhe vendimeve janë të ngjashme me 13 ngjarjet historike të viteve 1998-1999 në Kosovë.
1. Më 1912-1913 u zhvillua lufta e parë dhe e dytë ballkanike, ndërsa në vitet 1998-1999 u zhvillua lufta në Kosovë;
2. Më 1912-1913 u mbajt Konferenca e ambasadorëve në Londër për dhënien fund të luftës në Shqipëri dhe përgjithësisht në Ballkan, ndërsa në shkurt-mars 1999 u mbajt Konferenca e Rambujesë – Parisit për t´i dhënë fund luftës në Kosovë;
3. Në tetor 1913 me vendim të Fuqive të Mëdha u vendos Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit (KNK) në Shqipëri, ndërsa në tetor 1998 me vendim të Fuqive të Mëdha në Kosovë u vendos Misioni paqëruejtës i OKB-së në krye me ambasadorin W. Woker;
4. Më 31 korrik 1913 në Londër Fuqitë e Mëdha vendosën që për Shqipëria të vihet nën protektoratin ndërkombëtar dhe të administrohet nga një princ i huaj dhe KNK’ja… Më 10 qershor 1999 KS i OKB-së në Nju Jork përmes rezolutës 1244 Kosovën e vë nën protektoratin ndërkombëtar të administruar nga një kryeadministrator i huaj dhe UNMIK-u;
5. Më 28 nëntor 1912 – janar 1914 në Shqipëri vepronin dy qeveri: Qeveria e Përkohshme e Vlorës në krye me Ismail Qemailin, ndërkohë që në Durrës vepronte qeveria e ashtuquajtur “Pleqësia e Durrësit” në krye me Esat Pashë Toptanin, – ndërsa në mars 1999 – janar 2000, në Kosovë vepronin dy qeveri: Qeveria e Përkohshme e Kosovës në krye me Hashim Thaçin dhe Qeveria e Kosovës në krye me Bujar Bukoshin;
6. Në janar 1914 nën presionin e Fuqive të Mëdha, pushojnë së funksionuari: qeveria e Vlorës dhe pak më vonë edhe “pleqësia e Durrësit” etj., dhe Shqipëria vihen nën kontrollin e KNK-së, ndërsa në janar 2000 pushojnë së funksionuari: qeveria e Hashim Thaçit dhe ajo e Bujar Bukoshit (si dhe presidenca e Ibrahim Rugovës) dhe Kosova vihet nën administrimin e UNMIK-ut;
7. Më 10 prill 1914 KNK-ja miraton përfundimisht “Statutin Organik të Shqipërisë” i cili bazohej në vendimet themelore të marra në korrik 1913 në Konferencën e Londrës, ndërsa më 15 maj 2001 në Prishtinë nga UNMIK-u miratohet “Korniza kushtetuese për vetëqeverisje të përkohshme”, e cila bazohej në vendimet e konferencës së Rambujesë (shkurt – mars 1999) dhe në rezolutën 1244 të miratuar më 10 qershor 1999 në KS të OKB-së;
8. Në mars – shtator të vitit 1914 në Durrës (gjatë sundimit të princit Wied) vepronte Qeveria e Turhan Pashë Përmetit pa kompetenca të plota (sipas Statutit Organik të Shqipërisë) – ndërsa në vitet 2001-2007 në Prishtinë vepronte qeveria e Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit dhe Agim Ҫekut pa kompetenca të plota (sipas kornizës kushtetuese për vetëqeverisje të përkohshme);
9. Më 17 dhjetor 1913 Fuqitë e Mëdha dhe Greqia, në Firencë të Italisë nënshkruan marrëveshjen e ashtuquajtur “protokolli i Firencës” për tërheqjen e trupave ushtarake greke nga Shqipëria – ndërsa më 9 qershor 1999 NATO-ja me Serbinë, në Kumanovë nënshkruan “Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake” për tërheqjen e trupave ushtarake serbe nga Kosova;
10. Në 7 mars 1914 me vendim të Fuqive të Mëdha në Shqipëri vjen Princi gjerman, Wilhelm Wied, – ndërsa në 10 qershor 1999 me vendim të KS të OKB-së në Kosovë vjen kryeadministratori i parë francez, Bernard Kushner;
11. Më 10 mars 1914 arrihet marrëveshja Tomson-Karapano për të drejtat e grekëve “vorio-epirot” në jug të Shqipërisë, – ndërsa më 5 nëntor 2001 në Beograd arrihet marrëveshja Hakerup – Çoviq për të drejtat dhe kthimin e serbëve në Kosovë;
12. Në maj 1914 në Korfuz zhvillohen bisedimet KNK – Greqi nën mbikëqyrjen e Fuqive të Mëdha dhe arrihet marrëveshja e ashtuquajtur “protokolli i Korfuzit”, që dy prefekturat në jug të Shqipërisë, Korça dhe Gjirokastra…, (ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar), do të kishin një administratë më vete pothuajse autonome, nga pushteti qëndror i Durrësit – ndërsa në vitin 2006 – 2007 në Vjenë u zhvilluan bisedimet Kosovë – Serbi, nën udhëheqjen e emisarit të OKB-së Marti Ahtisari dhe realizohet marrëveshja e ashtuquajtur, “Propozimi Gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, ku në substancë ka “44 zona të veçanta eksteritoriale për kishat e manastiret serbe”, si dhe decentralizimin dhe formimin e 6 komunave të reja serbe përveç 4 komunave ekzistuese serbe në veri të Kosovës!
13. Më 2 mars 1914, duke shfrytëzuar mungesën e një qeverie të plotfuqishme shqiptare, autoritetet greke, organizuan në Gjirokastër një “kongres epirot” dhe shpallën “autonominë e Vorio-Epirit”; – Më 19 prill 2013 dhe më 25 gusht 2015 në Bruksel, Kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan marrëveshjen me kryeministrat e Serbisë, Ivica Daçiq dhe Aleksander Vuçiq, për themelimin e “Asociacionit të komunave me shumicë serbe” (Zajednica) ku do të përfshihen jo vetëm katër komunat matanë Ibrit (Mitrovica Veriore, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi), por edhe 6 komunat tjera serbe në brendi të Kosovës (Graçanica, Novo Bërdoja, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu dhe Shtërpca).













