Lidhur me situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, kryetari i PD Librazhd, Bujar Vreto, i ka bërë një apel të fortë politikës dhe jep një zgjidhe sesi dilet nga kjo situatë. Sipas Vretos, Shqipëria sot ka nevojë urgjente që politika t’i gjendet pranë banorëve që janë në nevoje dhe të braktisur. Më poshtë lexoni intervistën e plotë të kryetarit Bujar Vreto për portalin ATNA.al
- Vreto në këtë situatë të vështirë dhe tragjike ku ndodhet vendi pas tërmetit si po operon PD e Librazhdit, Dega e PD-së Librazhd ?
Në sintoni të plotë me udhëzimin e Kryetarit Basha po ndjek nga afër të gjitha problematikat që kanë banorët edhe pse rrethi jone nuk është prekur nga tërmetet. Ne jemi solidarizuar, individualisht por dhe në grup duke dërguar ndihma në veshmbathje, ushqime dhe sende të tjera që janë të dobishme për situatën e rëndë. Jemi të tronditur shumë për humbjen e jetës së 51 personave, shprehim ngushëllimet më të sinqerta, për lëndimin e 900 vetëve, urojmë shërim të shpejtë dhe për mijëra banorë që kanë mbetur në qiell të hapur, pasi banesat e tyre janë kthyer në gërmadha dhe një pjesë të pabanueshme. Tragjedi është pak të thuash, prandaj duhet një reflektim i thellë, i moralshëm dhe jo djallëzor ashtu siç po reklamohet nga çakenjtë e mafies gjasme biznesmenë që dalin e gërthasin, ulërasin e akuzojnë me një patetizëm që do kishte zili cdo diktator për të filluar gjuetinë e shtrigave.
2- Si e mendoni organizmin për mbledhjen e fondeve nga instancat qeveritare dhe organizata të ndryshme, aty pamë edhe shumë biznese që kontribuonin për grumbullim fondesh, janë të detyruar apo janë solidarizuar vetë ?
Unë pashë njerëz të ndershëm që bashkoheshin me këtë dhimbje të madhe duke dhuruar euro, dollarë dhe leke, ndaj të cilëve përulem se është djersa dhe fisnikëria e tyre. Vlerësoj me përulje edhe ata që përfshihen nga emocionet apo ju mungon aftësia për të lidhur fjalët dhe japin nga puna 5000 apo 10 000 euro, por kurrë ata që fitojnë tendera për kanale vaditëse, qendra shëndetësore, spitale, shkolla e punime të tjera dhe nuk kryejnë punën por toka digjet për ujë, të sëmurët nuk gjejnë ambient për tu vizituar, fëmijët nuk kanë ku fusin kokën për tu arsimuar dhe jeta e banorëve kthehet në ferr për tu jetuar, pra nuk mbetet gjë tjetër vetëm vraga për të mërguar. Është e habitshme dhe shumë e neveritshme kur të llastuarit e ed-ver Ramës, hajdutët e taksave, lëpirësit që kanë qelbur rrugët dhe kanë bërë të pabanueshme zonën apo zonat, reklamojnë mashtrimin se po ndihmojmë të prekurit nga fatkeqësia, në fakt paratë e grumbulluara janë domosdoshmëri dhe duhen menaxhuar me shumë kujdes por kjo bamirësi është e punonjësve që punojnë me orë të zgjatura dhe paguhen nën fashën e miratuar nga qeveria si dhe në kushte mizerabël, këta persona të pacipë hajdutë e të pafe nuk do shpëtojnë nga forca e ligjit se i kanë shkaktuar popullit tërmet artificial me të forte se tërmeti natyral.
3-Po ndjek me vëmendje, angazhimin e PDSH-së në terren por nuk po dëgjoj kërkesën për largimin e qeverisë Rama, mos vallë ka ndonjë marrëveshje të heshtur ?
Unë nuk mendoj se ka marrëveshje të heshtur apo të fshehtë, por sot s’është koha për të akuzuar, as për të bërë politikë, strukturat e PD-së dhe demokratët janë bërë njësh me qytetarët dhe po kuvendojnë me ta për fatkeqësinë natyrore, megjithëse vendi është katastrofë në të katër anët. Ne jemi të vetëdijshëm për situatën e rëndë dhe po bëjmë çka mundemi për të shpëtuar jetë njerëzish dhe të dobishëm për t’i strehuar ata, por nuk mund të bëhemi kurrë me shpërdoruesit e besimit të popullit, me hajdutët që janë sulur si shushunjat dhe po grabisin gjithçka. Aktrimi i krokodilëve për fatkeqësinë dhe ftesat publike për ulje në tryezë me opozitën janë një demagogji për të kaluar lumin dhe me pas dihet puna e kalit. Aktrimi i hileqareve, të korruptuarve dhe të paaftëve ka filluar që në 2 Gusht 1943 ku etërit e këtyre shkelën mbi besën dhe marrëveshjen e Mukjes, Marifetçiu, stilisti i potureve dhe ryshfetçiu Ed-ver Rama, i pabesë, dinak dhe mosmirënjohës, shkeli mbi marrëveshjen e 17 majit 2017 dhe i solli vendit pasoja të parikuperueshme duke vjedhur zgjedhjet, duke shkatërruar gjykatat dhe më pas i nënshtroi ato, duke hedhur gaz helmues mbi popullin e vet, dërgoi qindra vetë në ndjekje penale, dhjetëra të tjerë në burg dhe si pasojë futi nën thundrën e tij pushtetin lokal me vendosjen në krye të Bashkive 60 kryetar komitetesh. Ç’na pandeh ky mafioz se jemi ne? ‘dele’ dhe sa herë ka vështirësi ky duhet të jemi ne çanakun e zullumqarit?
4- Përtej të qenurit kryetar dege i PD-së, si e shikoni liderin Basha në këtë situatë të vështirë për qytetarët?
Ka një dallim të madh midis këtij horri dhe liderit Basha, që me konstruktivitetin dhe civilizimin e treguar konfirmoj lidership me mentalitet të ri për kapërcimin e fatkeqësisë duke e vendosur opozitën pranë njerëzve dhe jo pranë qeverisë mëkatare, duke kërkuar të dëmshpërblehen tërësisht familjet e prekura dhe jo të jemi pjesë e një qeverie fajtore. Tashmë është e qartë si drita e diellit se nuk vret tërmeti por paaftësia dhe korrupsioni. Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë politike dhe të japë dorëheqjen, prokuroria duhet të ngrejë akuzën për shkaktarët duke çuar para drejtësisë ata që dhanë lejet dhe lejuan abuzimin, sepse nuk mund të luash dot me jetën, pronën dhe familjarët, pra me një popull të vuajtur.
5-A keni ndonjë mendim konkret për zgjidhjen këtij kolapsi ku është sot vendi?
Kjo pyetje është pak e vështirë për të kthyer unë përgjigje për vetë pozicionin tim, por meqë ju insistoni po jam mendimin tim personal?
Zgjidhja e vetme është ‘’Qeveri Shpëtimi’ me detyra të kufizuara.
1- Sistemimi i menjëhershëm i familjeve të pastreha nga tërmeti.
2- Drejtësi për pasuritë e shkatërruara dhe fillimi nga puna për rindërtimin e zonave të prekura.
3- Reforma zgjedhore paralel me reformën territoriale.
4- Funksionimi i menjëhershëm i gjykatës kushtetuese.
5- Emërimi i 61 drejtuesve të Bashkive deri në zgjedhje.
6- Ndryshimet e nevojshme kushtetuese me referendum.
7- Menaxhimin e zgjedhjeve të parakohshme qendrore dhe lokale në një ditë.
Pushteti nuk është tallje poturesh, as benefit për të favorizuar disa dhe shkatërruar një popull, por duhet përdorur me përgjegjshmëri për sigurinë dhe mirëqenien e çdo njeriu.
Intervistoi per portalin ATNA.al, gazetari: Oldi MELE