Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar edhe njëherë duke shkruar se kjo është një nga ditët më të rënda të kombit tonë.
Kurti ka thënë se të gjithë janë pranë familjarëve të viktimave dhe pranë popullit të Shqipërisë.
Ai ka shtuar se kanë mbledhur edhe ndihma, shtroja e tesha, barna e ushqime për t’i dërguar në Shqipëri.
Postimi i plotë:
Ditë e rëndë për kombin tonë, ditë kur të gjithë jemi pranë familjarëve të viktimave e pranë popullit të Shqipërisë.
Me shpresën që tërmetet të mos vazhdojnë, ne sot u angazhuam si gjithë populli i Kosovës, në ndihmë të motrave e vëllezërve tanë në Shqipëri. Unë i shpreha solidaritetin tonë presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, si dhe kryetarit të PD-së, kurse zyrtarë të Lëvizjes kanë kontaktuar me ministrat, kryetarët e shtabeve të emergjencës, duke ofruar ndihmën tonë.
Qysh prej orëve më të para të mëngjesit secili aktivist i Lëvizjes është vënë në dispozicion për të ndihmuar. Secili aktivist tash është vullnetar. Kemi mbledhur ndihma, shtroja e tesha, tenda e barna, ushqime e gjësende të ndryshme, po ashtu edhe mjekë e infermierë vullnetarë. Kamionat e ambulancat janë nisur për Shqipëri, e të tjera ende vazhdojnë të nisen.
Bashkë, forcojmë njëri-tjetrin…