Red VARAKU
Shumë autorë bashkëkohorë, ndër ta dy profesorët e nderuar të Universitetit të Harvard Daniel Ziblatt dhe Steven Levitsky, argumentojnë se jetojmë një kohë ku po shikojmë gjithnjë e më rrallë grushte klasike shteti. Sipas tyre, egziston një formë tjetër e kamufluar e asgjësimit të demokracisë dhe kapjes së shtetit, të cilën e hasim shpesh kohët e fundit.
Sipas tyre, në një grusht shteti klasik demokracia vdes brenda ditës dhe kjo i bëhet menjëherë e qartë qytetarëve nga autorët e grushtit të shtetit. Ushtria pushton institucionet. Tanket pushtojnë rrugët. Presidenti ose kryeministri në pushtet ose egzekutohet, ose burgoset, ose detyrohet të largohet nga vendi. Kushtetuta pezullohet ose digjet bashkë me flakët që djegin demokracinë.
Ndërsa, në një grusht të kamufluar shteti nuk ka më tanke nëpër rrugë, apo ushtarë nëpër institucione, madje kushtetuta dhe institucionet formale demokratike vazhdojnë punën normalisht. Njerëzit votojnë rregullisht.
Autokratët që zgjidhen e ruajnë me fanatizëm fasadën e demokracisë, por e gërryejnë atë nga brenda.
Ironikisht, përpjekjet e qeverisë për ta rrënuar dhe asgjësuar përfundimisht demokracinë përkufizohen dhe janë ‘ legale ’, në kuptimin që ato miratohen nga parlamenti dhe pranohen nga gjykata. Madje, paradoksalisht ato paraqiten plot bujë edhe si përpjekje për të përmirësuar ose mbrojtur demokracinë.
Ndërkohë, mediat ose duhet të mbyllin gojën ose duhet të kthehen në kurtizane të pushtetit duke përftuar, ashtu si kurtizanet, shpërblime të majme nga pushteti. Kurse, qytetarët e kanë të drejtën të kritikojnë qeverinë, por shpesh për shkak të këtij qëndrimi kërcënohen në forma të ndryshme derisa detyrohen me kamzhik në dorë të heqin dorë ose të largohen.
Nëse nuk ndërhyet shpejt dhe radikalisht, atëherë të gjitha institucionet jo vetëm që nuk do të mbrojnë më qytetarët, por do të kthehen në pushkë, këmbëzat e të cilave i tërheq vetë udhëheqësi i këtij grushti shteti. Kur vjen ky moment, e vetmja rrugë mbetet ose largimi, ose përballja me armë me regjimin.
Pikërisht, ky fenomen duket se ka ndodhur edhe në Shqipëri dhe largimi i njerëzve është prova e parë që gjendemi në këtë situatë. Është e vërtetë që nuk ka tanke nëpër rrugë dhe njerëzit votojnë rregullisht. Kryeministri ynë autokrat kujdeset personalisht ta ruajë me fanatizëm fasadën e demokracisë, por ai bën gjithçka për ta shkatërruar atë nga brenda, sepse ashtu si çdo autokrat ai e sheh çdo përmasë lirie si kërcënim për pushtetin e tij.
Shembulli i krijimit të ‘opozitës së re ‘ është një ilustrim ulëritës i këtij fanatizmi dinak. Ndërsa, rasti i reformës në drejtësi, e cila u ndërmor me qëllim përmirësimin e sistemit të drejtësisë, rezultoi në kapjen tërësisht të saj. Edhe lufta kundër korrupsionit, nuk është tjetër vetëm se një luftë selektive kundër kundërshtarëve politikë dhe PPP korruptive janë kthyer në kancerin e sistemit financiar. Ndërsa, reforma zgjedhore në thelb nuk ishte reformë për të përmirësuar demokracinë, por u bë me qëllimin për t’i dhënë fuqi absolute udhëheqësve politikë.
Akti i fundit po luhet me Presidencën. Ajo është një përpjekje e hapur për t’i ‘vjedhur’ me ligj një anëtar të Gjykatës Kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion legjitim dhe të pavarur në Shqipëri, me qëllim kapjen e kësaj të fundit. Është përpjekja e fundit për të asgjësuar plotësisht demokracinë, ndaj Presidenti e ka konsideruar këtë përpjekje si vijë ‘e kuqe flakë’, pas të cilës rrezikojmë deri edhe përplasje parapolitike.
Këto përpjekje të qeverisë për ta rrënuar dhe asgjësuar përfundimisht demokracinë janë ‘ligjore’, në kuptimin që ato miratohen nga parlamenti ynë ‘pluralist’ dhe vërtetohen nga gjykatat tona ‘të pavarura’.
Edhe media ka mbyllur gojën dhe është kthyer në kurtizane besnike të pushtetit. Kurse, qytetarët shqiptarë që guxojnë të kundërshtojnë këtë realitet, përfundojnë ose të poshtëruar dhunshëm ose të arrestuar.
Është normale që kjo panoramë ka sjellë mjaft konfuzion tek qytetarët shqiptarë. Njerëzve të bombarduar nga propaganda 24 orëshe, i duhet kohë ta kuptojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Për shkak se nuk ka tanke në rrugë apo pushtim me dhunë të institucioneve me ushtarë, njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë po ndodh, edhe pse e ndjejnë që janë kthyer në të nënsshtruar vertebralë të këtij pushteti.
Partia Socialiste dështoi për ta izoluar këtë njeri. Institucionet shqiptare jo vetëm nuk rezistuan, por ranë pa rezistencë një nga një në duart e kryeministrit përveç Presidentit. Detyra për izolimin dhe ndalimin e tij i mbeti Opozitës dhe qytetarëve të angazhuar . Fatmirësisht, me gjithë përpjekjet e kryeministrit për ta blerë me para ose ‘nënshtruar’ me dhunë edhe Opozitën, nëpërmjet presionit dhe mercenarëve të tij brenda dhe jashtë Opozitës, ai nuk ia doli dot.
E ndodhur përballë këtij presioni të hapur dhe sulmi si për neutralizimin e saj ashtu edhe për asgjësimin e demokracisë, Opozita shqiptare, nën udhëheqjen e një njeriu me formim të pastër perëndimor, u angazhua në një akt heroik vetëmohimi, të paprecedentë. Një akt që rrezikoi seriozisht egzistencën e saj. Ajo dogji mandatet dhe prej gati një viti është në rrugë bashkë me qytetarë të tjerë të angazhuar në një protestë historike për nga kohëzgjatja dhe masiviteti, si alternativa e vetme që mund ta izolojë këtë fenomen dhe të rikthejë demokracinë në vendin tonë .
Ndërhyrja e saj erdhi në momentin e duhur. Strategjia e saj për ndërgjegjësimin e opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar në lidhje me këtë situatë, rezultoi e suksesshme. Refuzimi i saj i prerë për një marrëveshje politike në dëm të interesit të qytetarëve rezultoi në rindezjen e shpresës se ky vend do të bëhet. Pas kësaj ofensive të gjithë qytetarët shqiptarë nuk kanë më iluzione dhe e kanë të qartë fytyrën e vërtetë të këtij regjimi.
Edhe faktori ndërkombëtar është ndërgjegjësuar në lidhje me situatën e rëndë të demokracisë në Shqipëri, ndaj si në asnjë rast tjetër, bllokoi integrimin dhe shtoi kushtet për hapjen e negociatave . Jo pa qëllim kushtet lidhen me reformën e re zgjedhore dhe ndërtimin e institucioneve kryesore Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, SPAK dhe BKH , duke i dhënë një mesazh të qartë shprese shqiptarëve, që ata e nohin shumë mirë problematikën dhe po e ndjekin me shumë vëmendje situatën në Shqipëri. Njëkohësisht, me reformën zgjedhore dhe aplikimin e menjëhershëm të saj , ata i dhanë një mesazh të prerë qeverisë se ka ardhur koha që ajo të reflektojë dhe më pas duhet të largohet.
Ndërkohë, Opozita po kërkon një përmasë të thellë reflektimi kombëtar dhe për këtë ka zgjedhur të shkojë tek qytetarët në një ‘tur shprese’. Ajo ka ofruar një vizion optimist dhe një plan konkret, i cili orienton përtej krizës dhe drejt rrugës së duhur. Aty shfaqet një Shqipëri plot shpresë dhe që frymëzon. Ajo po lufton për një transformim rrënjësor, në të njëjtë linjë me shpirtin dhe synimet e shqiptarëve. Ajo po lufton sërish ashtu si në vitin 1990 për një Shqipëri si gjithë Europa.