Shirat e dendur të ditëve të fundit kanë krijuar probleme të shumta në disa qytete të vendit, ku më evidente janë Lezha, Durrësi dhe Vlora, pamjet e së cilave japin ofrojnë imazhe të qyteteve që notojnë në ujë dhe nga ku instancat qeveritare dhe autoritetet vendore nuk preokupohen aspak për zgjidhjen e kësaj problematike të akumuluar ndër vite.
Ish-deputeti Eduart Ndocaj, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka bërë prezent këtë situatë në qytetin e tij, Lezhë, nga ku apelon mekanizmat qeveritarë të ndërhyjnë sa më shpejt për marrjen e masave të domosdoshme, pasi rreziku është evident dhe popullata është e ekspozuar nga epidemi dhe rreziqe të tjera që vijnë nga përmbytjet që kanë pushtuar Lezhën dhe trevat e saj.
Ndocaj, shprehet në reagimin e tij, se “është absurde dhe e papranueshme që sa herë bie shi, Shqipëria kthehet në liqene të shumta, pasi mjaft qytete notojnë në ujë dhe tashmë dihen arsyet, pasi investimet e kryera ndër vite janë bërë pa asnjë strategji në funksion të zgjidhjes së kësaj problematike, prandaj deri të investohet cilësisht dhe me përgjegjshmëri, s’na mbetet gjë tjetër vecse të lutemi që të pushojë shiu”-, përfundon reagimin e tij, ish-deputeti “kaubojs”, Eduart Ndocaj.
