Elona CASLLI
Shoqëria shqiptare sot më shumë se kurrë ka nevojë t’i thërrasë arsyes dhe ndërgjegjes së saj. Kur një shoqëri i thërret arsyes duhet pashmangshmërisht të përballet me të shkuarën e saj. Ky proces nuk duhet të pjellë heronj, por duhet të pjellë një rizgjim kombëtar.
Thonë se mençuria nuk qëndron tek shkatërrimi i idhujve, por tek moskrijimi i tyre. Ishin pikërisht idhujt që krijuam si shoqëri, që na përballin sot me bilancin tragjik pas tridhjetë vitesh, ku thërritet ende fjalia – -E duam Shqipërinë si gjithë Europa!
Edmond Budina me të drejtë ka bërë një nënvizim duke thënë se kjo thirrje duhet ndryshuar dhe duhet thënë- Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!
Ta duash diçka është një gjë dhe ta bësh diçka është një gjë tjetër!
Qëndrestarët e kauzës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar quhen shpesh heronj.
Në të vërtetë , unë besoj se janë thjesht individë të rizgjuar.
Kauza e Teatrit Kombëtar, duhet të shihet si një motiv rizgjimi për shoqërinë shqiptare dhe jo si një motiv për të krijuar heronj apo heroina.
Duhet të rizgjohet shqisa e qëndresës, e kundërshtisë dhe e ballafaqimit me të vërtetën tek çdo shqiptar, në mënyrë që të rikthehet ndërgjegjësimi për të drejtat që i takojnë një qytetari dhe detyrat që i takojnë një pushtetari.
Duke i quajtur heronj, qëndrestarët për mbrojtjen e teatrit, nuk bëni gjë tjetër veçse krijoni idhuj dhe zhvendosni përgjegjësinë tuaj si qytetarë.
Shqipërinë nuk e shpëton heroizmi kombëtar, por rizgjimi kombëtar.
Rizgjimi kombëtar do të rikthente njëkohësisht arsyen kombëtare dhe arsyeja kombëtare do të na bënte zotër të fatit dhe jo të nënshtruarit e tij.
Tek sheshi i Teatrit Kombëtar gjenden të rizgjuarit dhe jo heronjtë!
Rizgjimi yt është vullneti yt! Askush nuk mund të të rizgjojë, apo të rizgjohet për ty!
Je ti që vendos, të rizgjohesh ose jo!
Post Scriptum- Rizgjim do të thotë pjesëmarrje.











