Mimoza REXHVELAJ
E pimë për qefi me miq e shok, e pimë për gëzime, e pimë edhe nga inati kur gjërat nuk shkojnë. Është zakon i vjetër i shqiptarëve ta shoqërojnë jetën me një gotë.
E pimë për të harruar, por ta dish z. Kryeministër gota jonë, e Dashit, apo e kujt do tjetër nuk peshon mbi popullin, gota nuk mban helmin e mallkimeve të njerëzve që s’kanë bukë të ushqehen.
Gota nuk mban lotët e nënave që nisin fëmijët në kurbet pa bërë 14 vjeç se do strehohen në familje angleze, franceze si të mitur.
Gota nuk mban dhimbjet e shpirtit të pensionistëve që nuk ushqehen as nuk mjekohen dot.
Gota nuk mban ëndrrat e “çartuna” të studentëve që nuk shkollohen dot nga pamundësia ekonomike, gota nuk mban farmakun e të papunve. Nuk mban krizën e vendit as marrjen peng të së ardhmes.
Gota jonë nuk mban dështimin e gjithë reformave të dështuar në këtë vend. Nuk mban zhgarravina që shiten për piktura. Nuk mban tallje as përqeshje, as sarkazëm e shaka pa kripë, nuk mban as ironi ndaj njerëzve në nevojë.
Eh z. Kryeministër ju po që duhet të kini kujdes me gotën tuaj. Është e rënd pesha e popullit kur i ke hyrë në hak. Edhe po shpëtove nga politika do kesh një gjyq hynor që askush nuk i shpëton. Asnjë diktator.