Gati se për çdo ditë në Kosovë raportohen raste të dhunës, qoftë të asaj fizike, psikike e seksuale. Shumë persona janë vrarë si pasojë e përleshjeve e shumë gra kanë humbur jetën për shkak të dhunës, që është ushtruar nga burrat e tyre. Ndonëse vit pas viti në Kosovë organizohen takime të ndryshme me qytetarë, me qëllim të vetëdijesimit të tyre për dhunën, edhe më tej kjo dukuri vazhdon të jetë mjaft e përhapur në Kosovë, shkruan Gazeta “Zëri”.
Si shqetësuese dukurinë e dhunës e ka parë edhe psikologu Besnik Peci. Ai ka thënë për “Zërin” se dhuna ndikon negativisht edhe te fëmijët, të cilët nëse rriten në prezencë të saj mund të bëhen edhe vetë dhunues.
“Dhuna ka ndikim negativ në zhvillimin e personalitetit të individit. Si rrjedhojë fëmijët të cilët rriten në prezencë të dhunës kanë predispozita shumë të larta që kur të rriten edhe ata të bëhen dhunues. Përveç kësaj, kualiteti i jetesës është shumë më i dëmshëm te rastet e individëve të cilët janë të ekspozuar ndaj dhunës, për faktin se dhuna lë pasoja jo vetëm fizike, por edhe emocionale dhe psikologjike. Si rrjedhojë kemi të bëjmë me një vetëbesim shumë të ultë të personit”, ka thënë ai për “Zërin”.
Sipas tij, asnjë formë e dhunës nuk është e dobishme për rritjen dhe mirëqenien e mirëfilltë të një individi, pavarësisht moshës.
“Dhuna di të japë lëndime me pasoja organike, si dëmtim të trurit dhe gjëra të tilla dhe di të shkaktojë edhe probleme në funksionim. Po ashtu mund të provokojë edhe trauma të ndryshme psikologjike”, ka theksuar ai.