Nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Për publikun që e pret me padurim sot në mbrëmje shfaqjen “Mbretëresha” monodramë nga Rexhep Qosja, të intepretuar nga Justina Aliaj (mjeshtre e madhe), po publikojmë një biografi të jetës profesionale të saj.
Përgatitur nga gazetarja e kulturës, Elsa Demo
Justina Aliaj (l.1951 në Shkodër) ka mbetur në kujtesën e publikut ajo artistja vibruese dhe e guximshme që në pak kohë diti t’i prekë teatrin, muzikën e lehtë, televizionin, kinemanë, fusha që nuk përbënin një traditë solide në historinë e arteve dhe të spektaklit në Shqipërinë e viteve 1960-‘70. Për
Qytetiti i saj i lindjes, Shkodra ka qenë de facto kryeqytet kulturor i Shqipërisë, me studiot e para të fotografisë dhe shtypshkronjat, me shkollat dhe gjimnazet klerikale – ku profesorët jezuitë e françeskanë përbënin bërthamën e elitës kulturore kombëtare – me bandat muzikore dhe grupet teatrale, që u ngritën gradualisht nga mesi i shek.19-të në vigjilje të shekullit të 20-të. Ishte kjo Shkodër që provoi goditjen më të rëndë nga regjimi komunist menjëherë në vitin 1944, me asgjësimin e klerit katolik, e intelektualëve të formuar në Perëndim, me shpronësimin e familjeve të mëdha që e kishin ndërtuar atë pozitë shoqërore në shekuj.
Justina u rrit në një fole të tillë siç ishte lagjja “Arra e Madhe”. Muzika dhe aktrimi ishin pjesë e edukimit të saj brenda dhe jashtë shkolle. Ajo shfaqet në skenën e festivaleve dhe zëri i këngëve të saj për fëmijë ekziston i regjistruar në shiritat e Radio-Shkodrës që kanë arritur t’i mbijetojnë kohës. Nisur nga këto dhunti dhe nga aftësia e saj për t’i performuar këto dhunti, fiton bursë për të studiuar muzikë në Liceun “Jordan Misja” në Tiranë, liceu më i rëndësishëm artistik në vend, por, në përfundim, aktrimi u bë zgjedhja e saj për të studiuar në degën e Artit Dramatik në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Një ndër pedagogët e saj ishte Kujtim Spahivoglin i cili kishte studiuar art dramatik në Moskë. Një figurë e rëndësishme për artin skenik që u ndëshkua pas Pleniumit IV. E larguan nga Universiteti, nga skena dhe, duke e detyruar të divorcohet, e largojnë edhe nga Tirana.
Në vitin 1967 Justina merr pjesë në Festivalin e 6-të të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar me këngën “Sot këndoj” dhe për çdo vit në vazhdim ajo kërkohet nga kompozitorë me emër si Agim Krajka, Tish Dajia. Disa nga këngët e asaj kohe janë: “Jam një vajzë”, “Motiv i ri”, “Jehonë kënga rinore”, “Unë dhe shokët e mi”, “Unaza”, “Ne të dy”, këngë që e interpreton me Sherif Merdanin, miku i saj i cili do të burgosej pa vite më vonë si pasojë e Festivalit të 11-të.
Në të vërtetë, qysh në edicionin e vitit 1971 ku Justina Aliaj merr pjesë me këngën “Stacion i dashur”, ishte vënë re një prirje më e çliruar në kompozimin dhe orkestrimin e këngëve, në frymën e lirikave për pak më shumë përditshmëri brenda kanoneve të ngurta tematike, po edhe për një interpretim skenik më të shpenguar nga ana e këngëtarëve, e drejtuesve të festivalit, shprehur kjo edhe në veshjet dhe krehjen e tyre.
Kështu në dhjetor 1972, Justina Aliaj merr pjesë në Festivali i 11-të me këngën “Në ekranin e televizorit” kompozuar nga Agron Xhunga. Vargjet thonë:
Në ekranin e televizorit
Kishe dalë mes shokëve edhe ti.
Hapa sytë, hapa kraharorin,
Rri n’ekran i dashur, thoshja, rri.
Unë të ndiqja me sy,
Por ti mes shokëve pranë.
Si të vija aty tek ti n’ekran?
Ti mes shokëve të tu
Të mirë dhe duarartë.
Në ekran po flisje për punë,
Si në repart.
Edhe pse bënte fjalë për një dashuri në “gjirin e klasës punëtore”, interpretimi i Justinës e bënte këngën të pazakontë.
Kënga u prit shumë mirë nga publiku, njerëzit e fërshëllenin melodinë e saj sikurse të disa këngëve të tjera të festivalit. Në RTSH vinin letra nga shumë të rinj entuziastë që e prisnin me padurim festivalin e dhjetorit, “ngjarjen e vitit”, që dukej sikur po hapte një rrugë të re për ndryshimin e ngjarjeve në vend. Por nga “specialistët” pati kritika mjat të ashpra për mënyrën e interpretimit të Justina Aliajt, për atë “dredhje të zërit” të papranueshme për një “artist të moralshëm në shërbim të pushtetit popullor”. Pas fjalës së Enver Hoxhës në Pleniumin e IV, në ditët e fundit të qershorit 1973, përhapet lajmi që Justina Aliaj është arrestuar, gjë që nuk ishte e vërtetë. Ishte metodë e punës së Sigurimit të Shtetit për të krijuar gjendje terrori midis artistëve. Vite më vonë Justina tregon se atë kohë ka jetuar ditë pas dite me ankthin që policia do t’ia behte në derën e shtëpisë së saj në Shkodër ku ishte detyruar të kthehej pasi e kishin përzënë nga çdo mundësi krijimi e punësimi në Tiranë. Atmosfera nuk ishte aspak e mirë në Tiranë. Skuadristë të organizuar nga komitetet e Rinisë së Punës, ndërhynin në rrugë, në kinema, në stadiume, iu shqyenin vajzave fundet “mbi gju”, djemve iu grisnin pantallonat që i kishin o shumë të ngushta, o shumë të gjera dhe u prisnin flokët me gërshërë kur i kishin pak më të gjatë nga “ç’duhej”.
Justina Aliaj nuk arriti të diplomohej në kohë dhe për 18 vjet nuk e pa më televizionin. “Vazhdonin të më sillnin vërdallë sa në njërin vend, në tjetrin. Aty për herë të parë pashë hipokrizinë e një aparati shtetëror që vepronte nëpërmjet prapaskenave të ulëta. Dhe isha tepër e re kur e kuptova këtë gjë. Ngado që shkoja më thoshin: “Ti je e damkosur “armike e popullit dhe e partisë”. Kam punuar 8 vjet në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore në Shkodër. Ishte një punë e lodhshme dhe për mua që kisha investuar për artin, më dukej dyfish e tillë… Nuk duhej të flisja. Në qoftë se flisja, nuk flija rehat pastaj. Nuk ishte realitet, ishte një jetë rrenash. E neveritshme. Do të dilje që nga mëngjesi deri në darkë për të gënjyer dhe jo për të qenë vetvetja. Ndodhte që të shkoje dhe të thoshe se kam dëshirë të këndoj një këngë angleze dhe ata çohen dhe bëjnë mbledhje partie.”
Megjithatë në Shkodrën e saj kishte njerëz që e çmonin për natyrën e saj të paepur edhe pse e pambrojtur, për dinjitetin dhe forcën shpirtërore, dhe këta njerëz donin ta shihnin në skenë. Kështu ndodhi që interpretoi në disa drama të autorëve vendas dhe në vitin e largët 1989 i besuan rolin e Polit tek “Opera për tri grosh” e Brehtit, dhe rolin e Bernardës tek “Bernarda Alba” me të cilën më në fund diplomohet. Në kinema e ftojnë për ndonjë rol të vogël, gjithnjë me frikën e censurës për pjesët ku ajo luan si për shembull në filmat “Pylli i lirisë”, “Çifti i lumtur”, “Yjet e netëve të gjata”, “Thirrja”, “Rrethi i kujtesës”, “Vdekja e burrit” ku i jepet për herë të parë një “rol pozitiv”. Rishfaqet në ekran më e bukur se kurrë me baladën “Mall për Vendlindjen” dhe po atë vit në Festivalin e Këngës në dhjetor 1990, kur Tirana dhe Shkodra e saj ishin përfshirë nga ngjarjet që çuan në rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Me hapjen e kufijve ajo emigroi familjarisht në Nju Jork. Aty hera-herës gjen mundësi të këndojë, të realizojë një show, po edhe të interpretojë Hekubën në tragjedinë e Euripidit “Trojanet”, në Off-Broadway. Në teatrin “La Mamma” ka interpretuar Homerin tek vepra “Nobodysees”.
Në vitin 2015 u kthye në Tiranë me “Justina show” në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në atë auditor ku ndodhi edhe Festivali i 11-të. E pas kësaj shumë ftesa për të bërë teatër por që ajo i shikon me shumë rezervë. Interpreton tek “Tartufi” në Teatrin Kombëtar dhe në monodramën “Mbretëresha” e shkruar nga Rexhep Qosja, regjinë e të cilës e realizon vetë, një vepër ku përzihen eksperiencat jetësore të aktores.
Justina Aliaj jeton në Bruksel. Kohët e fundit ajo ka deklaruar se Sigurimi i Shtetit kishte hapur një dosje për të dhe ajo e ka parë atë dosje, por nuk ka ndërmend ta bëjë publike përmbajtjen dhe as të merret me emrat konkretë të atyre që e kanë ndjekur dhe e kanë denoncuar.