Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka thotë se po përgatitet për zgjedhje të parakohshme.
Pas një takimi me strukturat e kësaj force politike në Berat, Duka shprehet se partia e tij po bëhet gati për zgjedhje të parakohshme “me një alternativë konkrete për problemet reale të qytetarëve”.
Edhe zyrtarë të tjerë të lartë opozitarë, kryesisht nga Partia Demokratike, kohët e fundit kanë lëshuar sinjale në rrjetet sociale se po përgatiten për zgjedhje të parakohshme. Ky duket të jetë vizioni i opozitës shqiptare që sheh tre palë zgjedhje në tetor të këtij viti. Megjithatë mazhoranca duket e palëkundur nga 30 qershori.
“Në një shtet ku Parlamenti është i rremë, votimet janë të rreme, ekonomia është e rreme, vetëm hallet e qytetarëve janë reale. Nga Berati, me strukturat e Partisë Agrare Ambientaliste, po bëhemi gati për zgjedhjet e parakohshme, me një alternativë konkrete për problemet reale të qytetarëve, fermerëve, blegtorëve, agronomëve dhe veterinerëve të lënë në harresë”, shkruan Agron Duka në rrjetet sociale.